Trajneri Silvinjo publikoi dje listën e lojtarëve që janë ftuar në Europianin e Gjermanisë. Në listë ka befasi, në një farë mase ka largime por edhe afrime të çuditshme. Largime të bujshme janë Cikalleshi dhe Uzuni, kurse afrim i çuditshëm është kthimi i veteranit Amir Abrashi. Pyetjeve të gazetarëve Silvinjo u përpoq t’u bënte bisht, sidomos atyre për mungesën e Uzunit. Por edhe pse nuk e tha shkoqur, ai la të kuptuar se ishte e drejta e tij e zgjedhjes dhe jo të gjithë do të mund të ishin në listë. Në vend të Uzunit ai ka marrë Brojën e në vend të Cikalleshit ka marrë Manajn. Më qartë se kaq nuk ka, kurse disa zgjedhje të reja mund të jenë edhe momentale, për një ndryshim të orës së fundit më 7 qershor. “Përzgjedhja është bërë me një proces të gjatë studimi mbi karakteristikat që ka ky kompeticion. Është përgjegjësi e trajnerit të bëjë zgjedhjet, por fatkeqësisht nuk mund t’i marr të gjithë. Zgjedhjet kanë qenë të vështira. Evropiani ka specifike të veçantë. Shkojmë për të zhvilluar vetëm tri ndeshje, është krejt ndryshe nga eliminatoret kur kishim 10 muaj për 8 ndeshje”, theksoi ai. Më pas Silvinjo arsyetoi mungesën e Cikalleshit dhe të Uzunit. “Jam i bindur se dhoma e zhveshjes do të jetë “ok”, qetë, atmosfera do të jetë “ok”. Nuk ka qenë e lehtë për mua për të bërë këto zgjedhje. Kemi marrë vendime për ta përballuar në mënyrën sa më të mirë të mundshme Evropianin. Abrashi i vetmi që ka luajtur në Evropian në 2016, ma jep përvojën dhe grintën që karakterizon këtë skuadër. Kemi një vit që e ndjekim Medon Berishën, dhe pas një punë të shkëlqyer që po bën që nga U-21 kemi vendosur ta thërrasim. Berisha do ta japë përgjigjen e tij në fushën e lojës. Përgjigjen e kam dhënë, doja të merrja 35, por unë mund të marr vetëm 26 në fund, në këtë liste kemi 27. Dikush edhe e meriton, por kjo është jeta. Kemi studiuar lojtarët, karakteristikat e tyre dhe të kundërshtarëve dhe në bazë të këtij studimi kemi bërë këto zgjedhje. Mund të ketë 7-8 lojtarë të tjerë që e meritojnë, por mund të marrim vetëm 26”, nënvizoi tekniku.
Broja i duhet skuadrës, Manaj shënon gola
Për Silvinjon ftesa për Brojën është e natyrshme, pasi ai është i fortë dhe i shpejtë. “Lojtari që nuk është 100%, kemi vendosur të mos e marrim. Ky është kriter i padiskutueshëm. Broja është një lojtar që të gjithë e njohim, i shpejtë shumë i fortë në luftën një kundër një. Edhe Manaj po bën shumë mirë prej tetë muajsh. Nuk bëjmë zgjedhje të tilla, pra nëse nuk luan me klubin, nuk vjen me ne. Kriteri ynë është: nëse bën shumë mirë te ne, e marrim. Ne besojmë shumë te Muçi, Bajrami, Seferi, mund të luajnë në disa role. Laçi është një tjetër që mund të bëjë disa role, ky është e ardhmja e futbollit. Ne provojmë të bëjmë më të mirën për këtë skuadër për këtë vend. Sa i përket rinovimit, forca jonë, energjia jonë, është përqendruar te ky Evropian. E njohim forcën e kundërshtarëve, ata nuk luajnë për të avancuar, por për ta fituar Evropianin. Zemra, shpirti i skuadrës e heq gjithë presionin e futbollistëve tanë. Shpirti dhe zemra nuk duhen negociuar”, shtoi Silvinjo.
Lista e Kombëtares
Portierë: Berisha, Strakosha, Kastrati, Simoni.
Mbrojtës: Gjimshiti, Hysaj, Balliu, Ismajli, Mitaj, Aliji, Ajeti, Mihaj, Kumbulla.
Mesfushorë: Abrashi, Asllani, Bajrami, M.Berisha, Gjasula, Laçi, Muçi, Ramadani.
Sulmues: Asani, Broja, Daku, Hoxha, Manaj, Seferi.