Komshiun tim pensionist e pashë të dilte i nevrikosur nga dera e farmacisë, me qesen e ilaçeve në dorë. “Bëjmë ribursim të ilaçeve, thonë dhe për këtë kanë mbushur gazetat e televizionet. Ky është rimbursim për t’u tallur. Rimbursohen ilaçet më të lira, aspirinat apo ndonjë tjetër ilaç i skaduar, sepse ato të tjerat, më të domosdoshmet e më të shtrenjtat, duhet t’i blesh sa të dhemb koka. Ja psh sioforin që e kam të domosdoshëm për të luftuar diabetin, nuk ribursohet e kështu dhe shumë të tjera.” Besoj, se nuk mund të ketë familje që të mos ketë një pjesëtar të saj me probleme shëndetsore e që të mos kurohet me ilaçe. Ka disa që marrim mjekim të përkohshëm dhe gjendja shëndetsore mund të përmirësohen shpejt, por shumica janë me sëmundje kronike dhe ilaçet i kanë domosdoshmëri jetike. Dihet se më të sëmurët, për arsye të viteve që u rëndojnë mbi supe janë pensionistët, shtresa më e diskriminuar e shoqërisë. Një rrezik serioz për shumë njerëz është sëmundja e diabetit, e cila ndikon në agravimin e shumë sëmundjeve të tjera. Po për këtë sëmundje kërcënuese komunitetet mjekësore, shoqatat e Diabetit, që e kanë në dorë luftën ndaj tij, bëhen bashkë, japin leksione e këshilla, se si të parandalohet dhe luftohet diabeti,vetëm në ditën e Diabetit, më 14 nëntor. Sipas statistikave në botë numërohen mbi 535 milon diabetikë , shifër kjo me tendencë rritjeje deri në 1,3 milard në vitin 2050, kurse në Shqipëri numërohen rreth 160 mijë të tillë duke kërcënuar në rritje edhe fëmijët dhe moshat e reja. Në këto kushte, në vend që të shtohet kujdesi në shërbim të diabetikëve,siç ndodh në botë, tek ne vjen duke u rritur indiferentizmi e spekullimi, sidomos në ribursimin e ilaçeve dhe në planifikimin e analizave mjeksore. Pacienti i mësipërm, kishte vërejtje, jo vetëm për ribursimin qesharak, por edhe për planifikimet e tejzgjatura të analizave. Ndodh që nga planifikimi për ta bërë analizën pas disa muajsh, pacienti edhe mund të ketë vdekur. Diabetikët kanë domosdoshmëri matjen e glicemisë, ndoshta edhe dy e tri herë në ditë dhe shteti ka ribursuar qindpërqind fishat e glicemisë. Por ky ribursim paraqet dy shqetsime me rrezik për jetën e diabetikëve. Së pari insulina për uljen e sheqerit në gjak dhe aparatet dhe fishat për matjen e glicemisë, që ribursohen plotsisht nga shteti, nuk janë efektive dhe nuk tregojnë gjendjen reale të nivelit të sheqerit në gjak. Nënë Sanija, e cila ka mbi 30 vite që vuan nga diabeti tregon e shqetsuar: “pasi u bënë fishat me ribursim, fillova ta kontrolloj diabetin dy e tri herë në ditë dhe apratura e tregonte gliceminë normale, si para ashtu edhe pas ushqimit. Edhe pse vazhdoja të kisha shqetsim, fillova të gëzohem, se diabetin e kisha vënë nën kontroll e fillova ta ul përdorimin e insulinës. Por një ditë u keqësova tepër dhe pasi bëra një matje me aparatin e fishat që më kanë dhënë falas, shkova dhe bëra një krahasim në farmaci. U trondita, kur pashë se glicemia ishte dyfishi i asaj që tregonte aparati im. E bëra provën për tre ditë rresht dhe konstatova po të njejtën gjë. Farmacistja më tha: “nuk kanë saktësi as aparati dhe as fishat, nuk dihet se kur janë prodhua ato. Merr një aparat tjetër dhe më mirë t’i blesh fishat që të keshë ekzaktësi.” Ashtu bëra. Aparatin e mora falas, kurse fishat i blej me para dhe kështu sipas matjes së saktë që bëj, i rri diabetit me kujdes tek koka.” Përveç shqetësimit që ndjente , Sania e gjorë duroi edhe ironinë e farmacistes ,kur ajo iu ankua për çmimin e lartë të ilaçeve: ”Ik nënë ik, se tamam e ke pensionin! E ç’i do ti lekët, se mos do të shkosh në plazh!? Paratë i duan bosët, politikanët që bredhin botën për hallin tonë.” Nënë Sanija na qahet, sikur të kishim ne gjitçka në dorë: “Unë marr shumë ilaçe; për diabetin, për zemrën, për stomakun që kushtojnë mbi 90 mijë lekë të vjetra, kurse pensionin e kam vetëm 110 mijë. Ilaçet më të të rëndësishme, si Plavix apo Ultroks nuk ribursohen dhe kështu në 90 mijë lekë që paguaj, vetëm 8 mijë lekë të vjetra më ribursojnë .” Meqë diabeti është sëmundja më e përhapur në Shqipëri dhe me ndikim negative në shumë sëmundje të tjera, strukturat që janë ngritur për këtë qëllim, si Shoqata Shqiptare Endokrinologjisë, Shoqata e Infermierëve të Edukimit për Diabetin, Kompanitë Farmaceutike, Organet Kompetente Shtetërore, apo aktorë të tjerë, duhet të bëhen promotorë të përmirësimit të jetës të popullatës me diabet. Në botë, shteti nëpërmjet mjekësisë, tregon një kujdes të shtuar për diabetin. Jo vetëm bëhet dioagnostikim i rregullt për të bërë parandalimin e diabetit, pa planifikime, por ofrohen edhe paketa për të sëmurin, bëhen shpërblime në para, sigurohet asistencë punësimi, pavarsisht nga kostoja që mund të ketë ky shërbim për shtetin. Shqetësim i vazhdueshëm për pacientët pensionistë janë edhe shërbimet e tjera shëndetsore, sidomos ato stamatologjike, ku nuk njihet asnjë lloj ribursimi. Vetëm heqja e një dhëmballe kushton sa gjysma e pensionit të pensionistit dhe as nuk do t’ia dijë dentisti apo grafisti për xhepin e tij. Dentistët bashkëpunojnë me radiologët dhe të kërkojnë grafinë edhe kur ajo nuk është e nevojshme. Dhe për një shërbim të thjeshtë, llogariteni sa i kushton xhepi pensionistit; 25 mijë lekë grafia dhe 40 mijë mjekimi i dhëmballës, pa llogaritur këtu vizitat e tjera tek mjekët të cilët pa para nuk të kapin me dorë e qëndrimin e gjatë në radhë para dyerve të spitalit, ambulancave dhe farmacive që u shkaktojnë të sëmurëve edhe asfiksi. Ndodh kështu, sepse shteti nuk kontrollon, korrupsioni është ngritur në sistem dhe bëhet vetëm propogandë për shërbim shëndetsor falas.