Zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, i cili është koordinator i antikorrupsionit vjen sot në Shqipëri. Vizita e tij, që është shtrirë edhe në Mal të Zi dhe Lituani, nënvizon angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të luftuar korrupsionin në rajonin e Ballkanit, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të adresuar sfidat e vazhdueshme të përbashkëta. Ditën e sotme, Nephew do të vizitojë Tiranën, ku do të takohet me përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile. Ai do të diskutojë për punën që po bëhet në luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin e mëtejshëm në këtë drejtim. Vizita e zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata e Apelit i dha vulën ish kryeministrit Sali Berisha, të shpallur “non grata” nga Uashingtoni për vepra korruptive që minojnë demokracinë në Shqipëri. Pas vendimit gjyqësor ambasada amerikane e bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me persona të shpallur “non grata” dhe paralajmëroi gjithashtu ata që i shkojnë pas Berishës se duhet ta mendojnë edhe një herë hapin që po hedhin dhe të kenë kujdes marrëdhëniet me të sanksionuarit nga SHBA. Kjo tregon qartë edhe agjendën e zyrtarit amerikan, e cila nuk ka përfshirë asnjë aktor tjetër politik në vend përveç qeverisë. Amerikanët kanë paralajmëruar se do të ketë të tjerë “non-grata” dhe dy ditë më parë ka nisur faza e dytë e planit të tyre për të zhdukur korrupsionin në Ballkan.
A do të përsëritet rasti i Dodik me financuesit e Berishës?
Radio Evropa Lirë (REL), raportoi se amerikanët kanë sanksionuar dy ditë më parë një rrjet prej dy individësh dhe shtatë entitetesh që është thënë se sigurojnë burime të mëdha të të ardhurave për presidentin e Republikës Srpska të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, i sanksionuar, po ashtu, nga SHBA-ja, dhe për familjen e tij. “Dodik e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për të rritur pasurinë përmes kompanive të lidhura me të dhe Igor Dodikun”, është thënë në deklaratën e Departamentit amerikan të Thesarit. Autoritetet amerikane kanë thënë se dënojnë përpjekjet e vazhdueshme të Dodikut për të gërryer institucionet që kanë garantuar paqe dhe stabilitet, në Bosnje-Hercegovinë dhe në rajon. SHBA, gjithashtu, janë shprehur se do të vazhdojnë të shpërfaqin skemat mashtruese që i kanë mundësuar Dodikut dhe familjes së tij që të shfrytëzojë njerëzit e vet për përfitime personale. Ky është një mesazh i qartë dhe për financuesit e ish-kryeministrit Sali Berisha që e kanë mbajtur gjithë këtë kohë dhe vazhdojnë ta mbajnë me para ish-kryeministrin në luftën e tij personale me drejtësinë dhe SHBA. Deri para se të merrte Berisha vulën e PD, ai nuk kishte asnjë fond nga KQZ. Që prej 16 shtatorit të vitit 2021 kur nisi ‘Foltoren’ e tij të parë në luftën kundër Bashës dhe SHBA-ve, ish-kryeministri ka bërë qindra takime në të gjithë vendin. Ai ka marrë qira ambiente, salla në të gjithë vendin, roje me vete, eskorta, etj. Askush deri më tani nuk ka dhënë një informacion se kush ia paguan sallat në të gjithë vendin Berishës? Kush ia financon truprojat e Berishës, makinat e shtrenjta që e shoqërojnë, karburantin, etj? DASH ka paralajmëruar se përveç oligarkëve e biznesmenëve, në listën e zezë do të jenë dhe bankat dhe institucionet e tjera financiare që kryejnë transaksione për persona ose subjekte ekonomike që i nënshtrohen sanksioneve. “Objektivi i sanksioneve është i shumëfishtë. Ne duam ta izolojmë atë person, por edhe të tërheqim vëmendjen ndërkombëtare për aktivitetet e tyre, të cilat janë shumë shqetësuese për SHBA-në për shkak të pasojave të mundshme. Kjo e bën të vështirë që ata të përfshihen në transaksione financiare ndërkombëtare, si dhe të udhëtojnë në SHBA”, tha një zyrtare e lartë amerikane disa kohë më parë. Sipas tyre priten më shumë sanksione amerikane për ata që minojnë paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial. Kjo do të thotë se goditjet e para që kanë nisur në Bosnje nuk janë çudi që të fillojnë edhe në Shqipëri.