Për të realizuar në praktikë një kauzë çfarëdo, siç është detyrimi i zotit Erion Veliaj për të dhënë dorëheqjen si kryetar Bashkie, kërkohet një masë e madhe, shumë e madhe, protestuesish. Kjo është domosdoshmëri. Nga Tirana, që besohet se është prej një milion banorësh, të shkon mendja për rreth 500 mijë protestues para Bashkisë. Mirëpo, një numër jo të vogël banorësh i ke në emigracion, mund të të thotë ndokush. Dakord, jo pak njerëz, sidomos të moshës së re, janë refugjatë në shtete të ndryshme të Europës. Atëhere logjika ta thotë, se para Bashkisë së Tiranës duhet të jetë gjysma e gjysmës; domethënë 250 mijë banorë. Sepse bëhet fjalë për një trysni të jashtëzakonshme politike. Por edhe në këtë aspekt del një pengesë: ka mjaft njerëz indiferentë e moskokëçarës. Preferojnë ta ndjekin protestën nga… televizori. Duke hequr edhe këtë kategori të zhgënjyerish, le të pranojmë se për të dorëhequr kryetarin duhet të jenë para derës kryesore të Bashkisë mbi 100 mijë njerëz. Po në fakt, sa gjenden në grumbullin e atyre që hedhin molotovë e djegin goma?! Të themi se janë 500 njerëz, nuk do të ishim realist. Nga ç’shkruan edhe shtypi i pavarur, për protestë para Bashkisë gjenden apo nuk gjenden më shumë se 300 shpirtë! Cila është kërkesa kryesore e atyre që protestojnë? Është dorëheqja e kryetarit të Bashkisë. Në mes atyre që flasin, dëgjon edhe kërkesa të tjera: lirimin e liderit historik nga arresti i shtëpisë. Tek – tuk dëgjon edhe ndonjë që bën fjalë për zhbërjen e SPAK – ut, që, sipas atyre zërave, mbaka anën e Edi Ramës!!! Edhe pse ata që flasin shfrytëzojnë qendrën e zërit për ta dërguar mendimin e tyre deri tutje qendrës së Tiranës, njerëzit para Bashkisë janë po ata të një jave më parë. Aspak më shumë. Madje, pse të mos e pranojmë: gjenden përherë e më pak protestues! Dhe ndodh kështu, sepse vet protesta nuk ka ngjallur frymë. Ngjet kështu nga që banorët e Tiranës, kryesisht anëtarë e simpatizantë të Partisë Demokratike, nuk gjejnë vetveten. Karakterizohen nga një zhgënjim nisur nga ajo çka vazhdon të ndodhë. Është dëshpëruese të jesh i pranishëm në një protestë, kauzën e së cilës e mbron për interesa familjare apo individuale vajza e iksit, apo djali i ypsilonit! Organizimi i protestës i ngjan një spektakli që të irriton. Del një zonjë që flet pa ndërprerje dhe me zë të lartë po ato gjëra që ka përsëritur në të gjitha herët e tjera. Pastaj ajo ua jep fjalën, sipas një radhe, disa të tjerëve, të cilët përmes mikrofonit përsërisin po të njëjtat slogane që kanë pas thënë një javë më parë! Dalin e ligjërojnë me radhë eksponentë të Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë, të cilët të krijojnë përshtypjen se flasin për të lënë gjurmë në kujtesën e atyre që nesër do të mund të merren me përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë. Të vjen keq, kur shikon se si katandisen disa deputetë të Partisë Demokratike teksa shtyjnë me forcë punonjësit e Policisë e teksa u hakërrohen disa drejtuesve të tyre! Kushdo e di, se protestën e bëjnë të fuqishme dhe rezultative alternativat që shpalosen. Zgjedhësit kanë nevojë të dëgjojnë premtime të argumentuara dhe të besueshme. Ata i largohen protestave të dhunshme, që realizohen me molotovë, me djegie gomash, me hedhje sendesh të forta apo edhe me fyerje. Ua kanë parë hajrin këtyre lloj protestave. Nuk u solli ndonjë përfitim, madje u kushtoi shumë edhe kur gjatë një proteste vranë katër njerëz të pafajshëm. Mendojnë këto, prandaj nuk u afrohen këtyre lloj protestash. Një protestë bëhet masive, e fuqishme dhe gjurmëlënëse edhe nga ata që e thërresin, që e frymëzojnë dhe e organizojnë. Në rastin konkret, kush po e drejton këtë “protestë masive”, siç duan ta konsiderojnë liderët e opozitës? Mjafton të mësosh se kush e hap dhe kush e mbyll këtë “protestë”, se kush flet në të dhe kush kërcënon aty, që të kuptosh se e ç’peshë dhe e ç’rëndësi është ajo! Siç edhe po shihet, atë e drejtojnë disa elementë, që nuk e kanë besimin e plotë të masës së gjerë, madje edhe të vet demokratëve e të Partisë së Lirisë. Sigurisht, orientimet vijnë nga lart ballkonit, ndërkohë që i realizojnë të tjerë, kryesisht figura tejet të konsumuara në mesin e atyre që veprojnë me gjuhën e dhunës. Të tillë njerëz, që gënjejnë veten duke u konsideruar lider, flasin e bërtasin, si dhe shtyjnë e pështyjnë drejt punonjësve të Policisë! Janë po këta njerëz të afirmuar për dhunë, që shpresojnë e besojnë se edhe nesër, kur do të mund të bëhen deputet, do të mbeten përsëri të tillë; të dhunës e të zjarrit! Dhe çfarë synojnë, në fund të fundit, të realizojnë? Të realizojnë sot atë që nuk mundën ta arrinin dot dje me votë: ta detyrojnë kryetarin aktual të Bashkisë që të jap dorëheqjen, që t’i gëzohen kolltukut që mban njëshi i kryeqytetit! Sa për zgjedhje të reja, flasin me gjysmë zëri. E kuptojnë se do ta kenë të vështirë të fitojnë. Gjithsesi, të arrijnë dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë, mendojnë se kanë arritur gjithçka. U mbetet, sipas tyre, vetëm dorëheqja e Kryeministrit! Nisur nga kauza që kërkojnë të realizojnë, si dhe nga metodat e mjetet e dhunshme me të cilat synojnë ta arrijnë këtë kauzë, protestuesit sikur duan të shprehin atë që çka thotë populli: çohu prift, të ulet hoxha!