Krahas përgatitjes me ekipin kombëtar në Gjermani, ku pret sot të jetë në fushë kundër Spanjës, sulmuesi Armando Broja kërkohet në treg nga disa skuadra të njohura europiane. Krahas Milanit në Itali që ka prej kohësh që tenton të vendosë marrëdhënie me lojtarin, duke kërkuar hapje bisedimesh me Çelsin, por edhe një tentativë e dështuar e Xhenoas, duket se për Armando Brojën ka ende klube angleze të interesuara dhe kjo është pozitive për të ardhmen e tij. me siguri që ai do të largohet nga Çelsi sezonin tjetër, por mundet të mbetet në Premier League në Angli. Evertoni duket një mundësi, por nuk përjashtohet të mbetet sërish i Çelsit, pasi trajneri i ri mund të kërkojë qëndrimin e tij. Ndaj Europiani i Gjermanisë ka shumë rëndësi për të. Nga performanca në fushë varen shumë gjëra në treg.
Oferta e Evertonit
Armando Broja do të largohet nga Çelsi këtë verë. Për sulmuesin ka patur oferta nga disa skuadra europiane, por mësohet se nga burime të ndryshme mediatike se në tryezën e “Bluve të Londrës” ka mbërritur një propozim tundues nga Evertoni. Klubi nga Liverpuli ka gati 30 milionë paund për të siguruar shërbimet e Brojës. Ofertë që drejtuesit e Çelsit e kanë pranuar, por tashmë fjala e fundit i takon 23-vjeçarit shqiptar. Dominik Kalvert-Levin do të largohet nga “Goodison Park për t’u transferuar te Njukasëll. Dhe emri i parë në listën e dëshirave të trajnerit Sean Dyshe është pikërisht futbollisti i kombëtares kuqezi. Tekniku u ka kërkuar drejtuesve të klubit të hidhen në sulm për Brojën, i cili pas dëmtimit po fiton formën e tij. Për lojtarin e talentuar shqiptar, klubi nga Liverpuli ka ofruar një pagë që prek shifrën 5 milionë paund në sezon! Që do e shndërronte në lojtarin shqiptar më të paguar në histori. Kalimi tek Evertoni e josh sulmuesin shtatlartë, i cili si dëshirë kryesore ka qëndrimin në Premier League. Por në anën tjetër nuk preferon të nxitohet për t’u përsëritur ndonjë situatë e pakëndshme si në rastin e Fulhamit. 23-vjeçari nga Malësia e Madhe dhe përfaqësuesit e tij ligjorë, do të studiojnë me qetësi të gjitha ofertat që do të paraqiten dhe pas Europianit do të merret vendimi për të ardhmen. Ama, mundësia Everton tundon jo pak.
Kombëtarja mbyll përgatitjet
Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e tretë dhe vendimtare në grupin B të Kampionatit Europian ndaj Spanjës. Kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik u stërvitën për më shumë se një orë në kampin bazë kuqezi në Kaiserau, duke provuar vendosje taktike dhe situata të ndryshme loje. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupi u stërvit i plotë dhe të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike. Edhe mbrojtësi Enea Mihaj u stërvit me grupin duke lënë pas lodhjen muskulore. Vetëm sulmuesi kuqezi Mirlind Daku nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për shkak të pezullimit nga Komisioni i UEFA-s me dy ndeshje. Ndeshja e tretë e Grupit B të Euro 2024, Shqipëri-Spanjë do të luhet më datë 24 qershor në stadiumin “Dyseldorf Arena” duke nisur nga ora 21:00.