Në konferencën e djeshme për shtyp të Kombëtares doli trajneri Silvinjo, si dhe kapiteni i skuadrës, Berat Gjimshiti. Të dy i karakterizoi entuziazmi dhe shpresa që Shqipëria mund të kualifikohet, edhe pse pranuan se ndaj Spanjës nuk do të jetë aspak e lehtë. Pyetjes se si do të ndihej nëse Shqipëria fiton ndaj Spanjës, Silvinjo nuk iu shmang në arsyetim. “Është emocionuese dhe për më tepër është një pyetje interesante. Është e rëndësishme për familjen time. Për mua është fantastike. Spanja është skuadër brilante, do të jetë një ditë që nuk do ta harroj. Kemi përfunduar në grupin e vdekjes dhe tani na jepet një mundësi shumë e madhe kundër një prej skuadrave më të mira në botë. Spanja me ekip të dytë? E dini më mirë se unë që Spanja e ka në ADN-në e saj zotërimin e topit, ka shumë cilësi në mesin e fushës. Ka diçka tjetër, lojtarë shumë të mirë në krahë. Ka disa lojtarë shumë të shpejtë në krahë dhe qendër. Kanë shumë cilësi edhe në mbrojtje, të lejojnë shumë pak hapësira, janë të organizuar. Ka fituar me Kroacinë dhe Italinë, ka fituar grupin, për ne do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Edhe ne kemi lojtarë të mirë, mezi presim të luajmë kundër Spanjës”, tha ai.
Ëndrra vazhdon
Më tej trajneri Silvinjo analizon gabimet e bëra nga skuadra në dy ndeshjet e para në grup dhe arsyeton sjelljen e ekipit në fushë. “Është diçka e madhe të shënosh i pari, ky është eventi i dytë i madh dhe lojtarët po përmirësohen. Ka të bëjë me përvojën dhe ballafaqimet në gara të mëdha dhe me skuadra të mëdha. Duhet të vazhdojmë të përmirësohemi, në menaxhimin e fazave të lojës. Nëse do të bëjmë perfomancën më të mirë, mund të arrijmë rezultatin e duhur. Gjithsesi, jam i lumtur, patjetër, shumë njerëz para pesë muajsh kanë menduar se do të pësojnë katër pesë gola, e ndeshja e fundit s’do të kishte asnjë vlerë. Jam i lumtur për punën që kemi bërë dhe që jemi në këtë grup të vdekjes. Jam i kënaqur me lojtarët e mi, kemi bërë çdo gjë që kemi mundur. Vazhdojmë të ëndërrojmë”, shtoi Silvinjo.
Gjimshiti: Jemi të motivuar për të bërë më të mirën
Kapiteni Berat Gjimshiti doli krah trajnerit Silvinjo në konferencën për mediet në prag të ndeshjes vendimtare për kalimin e raundit në EURO 2024, atë ndaj Spanjës, që luhet këtë të hënë në orën 21:00 në Duseldorf. Gjimshiti u shpreh se skuadra është ende në garë për kualifikimin dhe se ndaj Spanjës do të bëjnë maksimumin. “Spanja është një ekip shumë i fortë, por të gjithë çunat janë gati për këtë sfidë nesër. Gjëja më e rëndësishme është që jemi në grup dhe kemi mundësi ta kalojmë grupin dhe do bëjmë gjithçka mundemi që ta bezdisim Spanjën. Ndryshimet në formacion tek Spanja nuk ndikojnë aspak sepse edhe formacioni i dytë i Spanjës ka të njëjtin nivel si formacioni i parë. E dimë kë kemi përballë, i njohim kundërshtarët. Nuk e mendojmë aspak që ata do luajnë me ekipin e dytë, por do e marrim sfidën po aq seriozisht siç do ishte po të luanin me ekipin e parë. Asgjë nuk është e pamundur në jetë, por sigurisht që është ndeshje e vështirë. Ne sigurisht që do të bëjmë maksimumin dhe do tentojmë që t’i shqetësojmë kundërshtarët. Arsyeja pse jemi këtu ka të bëjë me ndeshjen dhe për atë që do bëjmë nesër dhe do të bëjmë më të mirën”, tha ai.