Komedia “Hap pas hapi” me interpretimin e aktoreve Anila Bisha, Luiza Xhuvani dhe Olta Daku u bë pjesë e aktiviteteve artistike këtë sezon vere. Me regji nga Rozi Kostani vepra teatrore është shkruar nga dramaturgu anglez dhe fituesi i çmimit “Oscar”, Peter Quilter. Kjo vepër që shënoi premierën në skenën tonë teatrore u shfaq për publikun te salla e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” për disa mbrëmje me radhë. Në jetën artistike si regjisore Rozi Kostani ka sjellë në skenë vepra teatrore shqiptare dhe të huaja, por këtë herë zgjedhja e saj ishte një komedi e autorit anglez Quilter. ““Hap pas hapi”. Ejani në teatër për të përjetuar magjinë e jetës”, shprehej më herët regjisorja Rozi Kostani në rrjete sociale për veprën që solli në skenë dhe u shfaq në mbrëmjet e datave 20, 21, 22, 23 qershor. Në komedi, tri shoqe të ngushta, Monika, Sofia dhe Pola do të bëjnë një ngjitje në mal për të përkujtuar shoqen e tyre të ngushtë, Rebekën, e cila është ndarë nga jeta. Secila prej tyre ka një mesazh për t’i thënë Rebekës, të cilin e kanë shkruar në një gur. Gjatë ngjitjes, të vërtetat e tyre shpërfaqen në situata shumë komike, duke i bërë këto personazhe të përjetojnë emocione të forta mes vetmisë, dështimit dhe bullizimit. Vepra e autorit të mirënjohur anglez Peter Quilter është me përkthim nga Artur Lena. Skenografe e kostumografe Iliriana Loxha Basha, koreografia Silvester Shuta dhe muzika në vepër mban emrin e kompozitorit Elvis Peçi. Komedia “Hap pas hapi” vjen në vijim të aktivitetit të regjisores Kostani me teatrin. Rozi Kostani, aktore, regjisore dhe pedagoge në Universitetin e Arteve në Tiranë me veprat e saj në skena nuk ka munguar as në teatrin e Kosovës.