Ekonomia e vendit po jep tregues të mbarë gjatë gjithë pesemujorit të parë të këtij viti. Ndjesia ekonomike, perceptimi i biznesit dhe konsumatorit, kanë arritur nivele të larta. Të ardhurat totale në Buxhetin e Shtetit për periudhën janar-maj 2024 u realizuan në masën 287 miliardë lekë ose 2.9 miliardë euro, 3.4 përqind më shumë se plani i së njëjtës periudhë, ose 11.2 përqind më shumë se periudha janar-maj 2023. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat u rritën me 28.9 miliardë lekë ose 289 milionë euro. Tregues të tjerë të konsumit dhe të investimeve dëshmojnë për një rritje të përshpejtuar ekonomike. Një tregues themelor për shëndetin e ekonomisë së Shqipërisë është niveli i inflacionit. Gjatë gjithë vitit të kaluar dhe po kështu edhe në pesëmujorin janar-maj të këtij viti, inflacioni ka qenë më i ulët se në vendet e rajonit apo nga mesatarja e Bashkimit Europian. Në muajin maj 2024, ai zbriti në 2.2 përqind, në një nivel tërësisht të kontrollueshëm nga banka qendrore dhe të shëndetshëm për ekonominë. Në vitin 2023, ekonomia jonë shënoi për herë të parë një sufiçit(kur të ardhurat i kalojnë shpenzimet) të llogarisë kornete. Pritshmëritë janë për një përmirësim të konsiderueshëm edhe për këtë vit, krahasuar me dhjetra vite 2008-2022, kur kemi patur defiçit të ndjeshëm. Sufiçiti erdhi nga rritja e jashtëzakonshme e turizmit, si dhe nga shtimi i ndjeshëm i investimeve të huaja direkte. Vlerësimet e vazhdueshme në rritje të marra këto muaj nga Shqipëria prej agjencive ndërkombëtare të renditjes së aftësisë borxhshlyese dhe të shëndetit të ekonomisë në tërësi të një vendi, si “Standard&Poor’s” dhe “Moody’s”, çertifikojnë momentin e mirë ekonomik të vendit, ndikojnë në imazhin e tij dhe në aksesin në tregjet ndërkombëtare, si dhe në koston më të ulur të kreditimit jashtë dhe në tregun e brendshëm. Sektori bankar vendas pritet të realizojë për këtë vit programin “Open Banking”, çka do t’i japë mundësi qytetarit klient të bankave të zgjedhë opsionin më të mirë në treg për transaksionet e tij të parave, të ofruara nga bankat apo nga sipërmarrjet e teknologjisë financiare (FinTech). Nga ana tjetër, përmirësim të ndjeshëm shënoi edhe skema e pensioneve, ku të ardhurat e kontribuesve në vitin 2023 arritën në 134 miliardë lekë, ose 1.29 miliardë euro, sa dyfishi i nivelit nga fillimi i reformës në vitin 2015. Defiçiti i skemës së pensioneve është ulur në 0.8 përqind të prodhimit kombëtar (GDP-së) në vitin 2023, ose niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, nga gati 2 përqind të prodhimit kombëtar, që ishte në vitin 2015, kur nisi reforma e pensioneve. Në korrik të këtij viti, qeveria përgatitet të lëshojë një program tjetër të Garancisë Shtetërore në bujqësi, për fermerët që përpunojnë dhe shtojnë prodhimin për eksport, si dhe për bujtinat dhe strukturat e tjera të agro-turizmit. Po ashtu, pagat në shtet për punonjësit në nivele specialistësh , pra një nivel page mesatare në administratën shtetërore, bëhen 900 euro në muaj. Ky nivel mesatar i pagave në administratën shtetërore e rendit Shqipërinë në treshen e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa i përket pagës mesatare në shtet.Rritja e pagave në administratën shtetërore në korrik 2024, do të jetë shtysë edhe për sektorin privat në Shqipëri, që ky t’i shtojë në vijimësi pagat. Ekonomia e vendit po bën mirë edhe në nivel të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri, që janë në shifra rekord dhe për këtë vit dhe parashikohen të kalojnë rekordin e vitit të kaluar, prej 1.5 miliardë euro. Në mars të vitit të ardhshëm parashikohet të përfundojë dhe bëhet operativ Aeroporti i Vlorës, aeroporti i dytë ndërkombëtar më i rëndësishëm i Shqipërisë, i cili do t’i japë një hov të ri turizmit në Jug të vendit. Për qeverinë është sfidë kryesore, që këtë moment të mirë ekonomik ta përkthejë në një mbështetje të shtuar për sektorët më prodhues të vendit, si dhe në një mbështetje më efektive për shtresa të caktuara të popullsisë, me te ardhura modeste ose nën nivelin e varfërisë, me logjikën e një rritjeje ekonomike sa më gjithëpërfshirëse. Të gjithë këta tregues, kombinuar edhe me shifrat pozitive dhe në rritje të turizmit në vend, japin besimin që ky moment pozitiv, më i miri i të 34 viteve në tranzicion, do të vazhdojë edhe në të ardhmen e afërt dhe afatmesme.
E papritur/ Ndahet çifti i shumëpërfolur i Big Brother Vip 3
Pas mbarimit te BBV, u ve re mes nje afrimiteti mes Drini Zeqos dhe Dea Vierit. Shpesh ne rrjet u...
Lexo më shumë