Në vendin tonë janë zbuluar rreth 2000 shpella, por duhet të ketë edhe disa mijëra të tjera, sepse rreth 23 % e territorit tonë është e përbërë nga formacione të tretshme. Në verën e vitit të kaluar, eksplorimet speleologjike nga grupet e huaja, sidomos italiane, së bashku me speleologët e pakët shqiptarë, zbuluan vlera të mëdha, që shënojnë rekorde për ne dhe më gjerë. Duke falënderuar përzemërsisht miqtë tanë të huaj speleologë, kam kënaqësi t`i bëj publike këto rekorde:
1. Eksplorimet e fundit treguan se shpella e Shtarës në Curraj të Epërm (Tropojë) arriti gjatësinë 8,3 km. Ajo është shpella karstike me e gjata deri tani në vendin tonë dhe ndër më të mëdhatë në Europë. Vlerat shkencore dhe estetike të saj janë të jashtëzakonshme. Edhe gjate verës së këtij viti po vazhdon eksplorimi i saj, i cili do të shënojë rekord të ri të përmasave të saj;
2. Pusi ose Shpella e Valbonës, falë eksplorimit nga grupi i madh speleologjik polak, shënoi thellësinë 723 m, më i thelli në vendin tonë dhe ndër më të thellët në Europë.
3. Në kanionin e Lengaricës (degë e Vjosës, Përmet) u zbuluan 13 km shpella, boshllëqe, korridore karstike në një masiv gëlqeror me vetëm 1 km katror sipërfaqe. Sipas eksploruesve kjo është shpella më zhvillimin më të madh në Shqipëri e krijuar nga ujërat termale sulfurore dhe sistemi i dytë aktiv i këtij lloji i njohur deri tani në botë. Edhe një lajm interesant, që më erdhi nga kolegët italianë: Il Consorzio Speleologi Ipogenici (C.S.I.) organizoi më 1 mars 2024, në Perugia aktivitetin me rëndësi të veçantë shkencore “Në Barkun e Dragoit – një udhëtim në zonën karstike termike-sulfuroze të Lengaricës”, ku u promovuan rezultatet e mëdha të zbulimeve të fundit speleologjike në këtë zonë të vendit tonë. Ishin eksplorimet e një grupi të madh speleologësh dhe studiuesish nga shumë rajone të Italisë, që mundësuan këto zbulime interesante dhe me vlerë të madhe sa shkencore aq edhe turistike. Ndërkohë, tek ne asnjë reagim. Shpellat përbëjnë pasuri të jashtëzakonshme: burim informacioni për studime shkencore (gjeologo-gjeografike, hidrologjike, paleontologjike, arkeologjike, historike, bilologjike, ekologjike ej); janë laboratorë didaktikë për nxënësit dhe studentët; objekte me atraksion të fuqishëm turistik, madje më të vizituarat nga lëvizja e sotme turistike, e prirur për: aventura, për të parë dhe shijuar misteret dhe bukuritë e rralla të shpellave apo për të kaluar natën në shpellat-hotele. Jo vetëm kaq. Ka shpella, sidomos ato në gipse e në kripën e gurit, që po përdoren me shume sukses si spitale për pacientët, që vuajnë nga sistemi respirator etj.
Përshëndes dhe përgëzoj të gjitha ata fotografë të talentuar (Albert Cmeta, Fation Plaku etj), studiues dhe ambientalistë të njohur (Abdulla Diku etj) për dokumentimin fotografik dhe informacionet shumë të çmuara për shpellat tona. Me gjithë përpjekjet e përsëritura në gati tri dekada dhe projektet dinjitoze të përgatitura me kolege të huaj, nuk kemi mundur, jo për fajin tonë, të kthejmë në turistike asnjë nga shpellat tona të shumta dhe tepër. Për këtë problem kam folur dhe shkruar disa herë. Do të sillja në kujtesë projektin e Shpellës së Zezë (Pëllumbasit), sensasioni i speleologjisë shqiptare, ku janë zbuluar skelete të arinjve të shpellave (Ursus speleaus), që kanë jetuar nga 10 000 deri 400 000 vjet më parë, dukuri e rrallë në shkallë europiane. Njëherazi janë zbuluar dhe mbetje të njeriut neolitik të shpellave. Projekti ynë parashikon veç infrastrukturës turistike brenda dhe jashtë shpellës, edhe vendosjen e imitimeve te modeleve të arinjve dhe njeriut të shpellave dhe të mjediseve jetësore të tyre. Kjo do ta kthente këtë shpellë, vetëm rreth 15 km larg Tiranës, në një muze në natyrë gjeologo-gjeografik, paleontologjik, arkeologjik, turistik me vlera për studiuesit por edhe për gjithë të tjerët. Duke vlerësuar resurset e tjera turistike afër shpellës (kanionet e Skoranës e Murdharit – monumente natyre, malin e Pashkasheshit me kreshtë të rrafshët, objektet e shumta të trashëgimisë kulturore, vetë fshatrat Pëllumbas, Pashkashesh, Fag, etj me tradita shumë të pasura) është propozuar që muzeu i Shpellës së Zezë të shërbejë si bërthamë e kompleksit apo parkut turistik Shpella e Zezë – Skoranë – Pëllumbas – Murdhar. Në të ardhmen ky kompleks të lidhet me kompleksin tjetër të madh turistik Shëngjergj – Mali me Gropa – Bizë.
Të gjithë që e kanë njohur, përfshi edhe pushtetarët tanë, e kanë vlerësuar shumë këtë projekt, realizimit i të cilit do të krijonte një korridor të madh turistik në juglindje të Tiranës, ku do të shkarkoheshe Tirana mbi një milionëshe, dhe jo vetëm ajo, në fundjavë apo edhe më gjatë. Ai do t`i jepte zhvillim të madh këtij korridori, që dallohet për varfëri dhe boshatisje të fshatrave.
Por ky projekt po fle në sirtarët e Ministrisë së Turizmit e Mjedisit e të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe në arkivin tim. Do të më mbetet peng, nëse ky projekt do të vazhdojë gjumin nëpër këto sirtare. Ndërkohë, së paku, këto vlera të mëdha, që shumë vende në botë do t`i deshën, duhen ruajtur me fanatizëm, sepse janë tepër të brishta dhe të pakthyeshme. Ne duhet të bërtasim kur pritet një pemë, por pema, nëse e mbjell dhe kujdesesh, rritet përsëri. Ndërsa kur këputet një stalagmit apo stalaktit, nuk do të mjaftonte as e uluritura. Që të formohen ato duhen qindra e mijëra vite. Ndërsa tek ne janë jo të pakta lokalet, dhe jo vetëm ato, të “zbukuruara” me copëra të këtyre mrekullive të papërsëritshme. Kurrkush nuk mërzitet apo të protestojë ndaj këtij krimi mjedisor që u bëhet shpellave tona. Në foto shikoni dy speleologë italianë që, së bashku me grupin e tyre, eksploruan shpellën e Kabashit në Gramsh. Ata kanë hequr këpucët, ecin zbathur në shpellë për të mos dëmtuar kristalet me bukuri mahnitëse. Le të jetë kjo foto, shembulli i speleologëve italianë një thirrje e fuqishme për të mbrojtur shpellat tona karstike, këtë thesar të vërtetë të natyrës sonë, të cilin duhet t`ua lemë brezave të paktën të padëmtuar, ndryshe do të meritonim mallkimin e tyre.