Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek zhvillimet brenda opozitës dhe ato që vijnë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Fillimisht zoti Çupi ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilit madje i ka nxjerrë “CV”-në e tij të zezë të këtyre 30 viteve që ai është në politikë. Sipas analistit të njohur, bashkëpunimi i Sali Berishës me udhëheqësin e Serbisë, sulmet ndaj ambasadës së SHBA në Tiranë, grushti i shtetit i vitit 1998 dhe pazaret me terroristët janë njolla që do ta përndjekin ish-kryeministrin. Po ashtu, ndalur tek vendimi i Gjykatës së Apelit që i dha vulën e Partisë Demorkatike Sali Berishës, ai thotë se Lulzim Bashës nuk i intereson emri i PD. Sipas Çupit, Basha e di se emri i Partisë Demokratike krijon alergji në Shqipëri andaj dhe do tentojë të krijojë parti të re. Nga ana tjetër, analisti Frrok Çupi thotë se Enkelejd Alibeaj, i cili u largua nga Grupi Parlamentar i PD, e ka kuptuar se me Sali Berishën, nuk mund të ketë Parti Demokratike. Ndër të tjera zoti Çupi u shpreh gjatë një interviste për “Abc” se me Berishën, PD-ja nuk funksionon.
-Zoti Çupi, si ju duket largimi i Alibeajt nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, megjithëse ishte një ndër qëndrestarët e pakët të PD ku flas dhe për zgjedhjet e 14 majit?
Në fakt ka shënuar një herë a dy herë të para brenda PD. Ne kemi patur shumë zhvillime, largime, ardhje, lëvizje, shkelje të betimeve, kthime të betimeve. Ky është një moment ndryshe, kur një deputet del nga të dy palët dhe hyn në mes dhe i krijon shansin PD, e ‘provokon’ partinë e nëse Partia Demokratike të pranojë vijën e mesme apo jo. Ai rrezikon atë që të tjerët nuk e rrezikojnë, pikërisht mandatin. Atëherë vihet në pikëpyetje nëse vërtetë në anëtarësi ka demokratë të vërtetë apo jo.
-Duhet lexuar kjo edhe si një braktisje ndaj zotit Basha?
Padyshim që është një braktisje ndaj zotit Basha, por më së pari është një mos dakordësi me Sali Berishën. Mesa duket, Alibeaj ka punuar shumë në administratën e Berishës, e ka qenë shumë afër tij dhe refleksionet janë se ai ka kuptuar se çfarë është Sali Berisha, para se ta zbulojnë të tjerët. Afër tij kanë punuar dhe plotë të tjerë por në fakt kanë qenë bashkëpunëtor në krim. Ministrat e Sali Berishës kanë qenë shumë afër tij, madje dhe shumë afër dhe familjarëve të tij por bëjnë sikur nuk kanë kuptuar asgjë sepse kanë gisht në të gjithë veprat. Alibeaj mesa kuptohet, është shumë i ashpër me sjelljet e tij anti-komuniste por në të njëjtën kohë është kundër Sali Berishës pasi ka kuptuar se me Berishën nuk mund të ketë PD.
-Alibeaj ishte nga ata që vendosi kufirin mes tij dhe vetes por nga ana tjetër duke mos pritur rekursin që Basha do t’i bënte vendimit të Gjykatës së Apelit për çështjet e vulës apo krijimin e partisë së re. Tregon ky vendim i Alibeajt që nuk do të jetë pjesë as e partisë së Bashës?
Në profesionin e tij është jurist e mesa duket ka ruajtur aftësitë e një juristi dhe ka kuptuar edhe rolin e politikanit. Ka një meritë tjetër ai, që vërtetë e mbajti PD gjatë kohës që Lulzim Basha mungonte, e mbajti me shpirt nëpër dhëmbë por pa bërë gabime e lëshime të mëdha e sidomos ndaj SHBA e nuk e lëshoi as në duart e Sali Berishës.
-Mund të ketë të tjerë që ndjekin rrugën e tij?
Kjo varet nga personalitetet, nga individët e sa personal janë por unë nuk njoh. PD ka filluar të linçojë të pavarurit menjëherë pas themelimit. I thonë 30 vite linçim dhe tani i kanë ngelur copa mishi, nuk kanë ngelur më ndërgjegje. Kanë ngelur numra por nuk kanë ngelur vlera. Problemi i PD, nuk është tashmë as Sali Berisha, pasi këtë të fundit e ka neutralizuar Amerika, SPAK-u, nuk ekziston më Sali Berisha. Problemi i PD është individualiteti i tyre që mungon. Është dobia ndaj vendit që mungon. E mbi të gjitha nga duhet të fillojë PD, është Meacupla ndaj vendit dhe ndaj interesave të vendit të cilave iu ka shkaktuar kriza shumë të mëdha dhe duhen dhe 30 vite të tjera që Shqipëria ta marr veten.
-Duke patur kaq shumë ikje në drejtim të zotit Berisha por dhe në drejtim të atyre deputetëve të pavaruar e pa parti, e si zoti Basha me 2-3 të tillë si zonja Nebiaj apo zotin Agalliu e ka në krahë ende. Basha mbetet sërish një deputet pa parti aktualisht për aq kohë sa nuk disponon as vulën, çfarë i bie të bëj?
Lulzim Bashën mediat e kanë radikalizuar edhe më shumë sesa është, por ai tani pret një rekurs nga Gjykata e Lartë, e cila mund të rrëzojë vendimin e Gjykatës së Apelit. Por kjo situatë mund të zgjas edhe me vite, ku vulën dhe partinë mund ta mbaj Berisha. Basha nga ana tjetër bën një të mirë, neutralizon Berishën dhe grupimin e tij, i cili është një grupim zjarrvënës e shumë shkatërrimtar për vendin, janë të rregjur e duan të ruajnë pasuritë që kanë vjedhur, duan të ruajnë status quonë e tyre edhe si politikan e si njerëz të dhunës. Kjo është gjëja e parë që bën Basha. Gjëja e dytë është se padyshim siç la të nënkuptuar ku tha se nuk më intereson vula pasi nuk i intereson emri i PD. Ai e di se emri i PD krijon alergji në Shqipëri. Dhe duke e ditur këtë, ai me siguri do të tentojë të krijojë një parti të re.
-Nëse nuk i interesonte PD, pse priti deri tani, mund ta kishte dhënë zgjidhjen shumë kohë më parë për demokratët që ishin anti-Berisha?
Pasi ka provuar ta përjashtojë Berishën nga Grupi Parlamentar, pasi ka provuar marrëveshjen nga SHBA por tani ndodhet në pozita të tjera ku edhe fati punon për Lulzim Bashën sepse pjesa tjetër individualitete si zoti Alibeaj nuk ka e ai do ta vazhdojë të tentojë të ndërtojë një parti. Kjo përpjekje në PD dëshmon edhe për vakumin e ideve dhe interesave politike në shoqëri. Duke qenë se nuk ekziston më PD, padyshim nëse ka nevojë për një opozitë, Basha do të kishte ndërtuar një opozitë por janë të gjitha janë vogëlsira, fraza, fjalë. Askush nuk thotë që çmojmë shumë atë që është arritur në Shqipëri.
-Tani janë plotësuar 6 muaj pas “arrestit shtëpiak” të zotit Berisha e si duket edhe Kuvendi duhet ta interpretojë për një vendim pas 6 muajsh mungesë. Mendoni se do të jetë në favor të tij?
Padyshim është një situatë e diskutueshme, nuk është fikse sepse vetë demokracia nuk është një vlerë që tenton me padyshim që në një moment të caktuar t’i presë drutë shkurtë. Mandati i zotit Berisha tashmë është pa vlerë. Është një mandat i cili nuk mund të ushtrohet e si e tillë dhe ai është në kushtet e mungesës totale të mundësive për të ushtruar mandatin e tij, nuk ka asnjë arsye qenësore për ta kërkuar. Përse i duhet? Nëse do ta mbajë mandatin, nuk ekziston por nëse do ta dorëzojë na çon në një situatë tjetër. Dorëzimi i mandatit të zotit Berisha, ka vetëm vlerë morale por aspak juridike.
-Me gjasa ai nuk do të dojë ta dorëzojë por nëse merret një interpretim të Kuvendit dhe e kërkon të prerë atë mandat…
Nëse vendoset për t’ja hequr atë mandat, do të thotë se nëse do të ketë një mandat deputeti, ai nuk do të jetë deputet. Berisha tashmë ndodhet para viktimave të tij politike, ndodhet para publikut, janë 30 vite që ka shkaktuar dëme të mëdha, janë 30 vite në korrupsion, janë shtetet më të fuqishme të botës që e zbulojnë si një rrezik të madh, si SHBA, Britania e Madhe. Do të thotë se kemi të bëjmë dhe me dëme të mëdha e me tentativa në jetën e tij pulitke Berisha për të shkaktuar trauma në perëndim. E duke mbajtur dhe anën e terrorizmit botëror siç ishte ana e Millosheviçit i cili është konsideruar si një kasaphane e Ballkanit.
-Sa morale do të ishte nëse Berisha do të kthehej një ditë në Kuvend, do të përfaqësonte ata që e kanë votuar nga aspekti që është hetuar për korrupsion?
Nëse kthehet një ditë, kthehet vetëm nëse gjykohet dhe del i pafajshëm.
-Por ju jeni skeptik për këtë?
Jo vetëm që jam skeptik por e gjithë situata është e tillë që vepra e Berishës është mes nesh. Janë të gjitha vitet, aktet, korrupsioni dhe krimi si dhe 3-4 dosje i ka në SPAK, për të cilat padyshim që është në qendër të tyre, si çështja ‘Gërdeci’, ‘21 Janari’, ‘CEZ-DIA’. Janë çështjet më të thjeshta dhe bota është shumë e shqetësuar se ka një mal me prova se Berisha ka bashkëpunuar me terrorizmin islamik kundër perëndimit. Ka bashkëpunuar me udhëheqësin e Serbisë, ka sulmuar ambasadën amerikane në Tiranë, ka bërë grushte shteti në 1998 në Shqipëri, ka organizuar me organizatat islamike në një kohë kur e gjitha bota e përparuar priste që Shqipëria të shkonte drejtë Perëndimit, ndërsa ai shkonte drejtë Lindjes. Ka patur miqësi shumë të madhe me terroristët shumë të mëdhenj që nga Binladen e deri të Kuala Lumpur. Vepra e Berishës është shumë e rëndë dhe mbajtja e saj shkakton vetëm terrorizëm e kjo gjë shkakton shumë iritim te njerëzit. Ose ka disa prova që ne si dimë ose SPAK është i ngathët ose drejtësia është e blerë sërish nga Berisha, përsa kohë nuk ka ritme të shpejta.