Nën një atmosferë elektrizuese në “Arenën e Dyseldorfit”, nën jehonën emocionuese të himnit shqiptar në një stadium të tejmbushur me shqiptarë të ardhur nga të katër anët e botës, Shqipëria mbrëmë zbriti në fushë përballë Spanjës për të shkruar historinë. Shqipëria pati një nisje shumë të mirë, duke ushtruar presion në zonën spanjolle dhe duke krijuar një rast nga goditja e këndit, por që nuk u shfrytëzua si duhet. Përballë kualitetit të lartë spanjoll, kuqezinjve u duhej të linin gjurmë me vrapimet e tyre dhe disiplinimin taktik. Por pas një pritje që bëri Strakosha në minutën e 10-të pas goditjes me kokë të spanjollëve, në minutën e 13-të ata e gjetën golin për shkak të rreshtimit të gabuar të tanëve, ku pasimi perfekt i Olmos u shfrytëzua si duhet nga Ferran Torres që shënoi shtyllë e gol me këmbën e majtë. 1-0 për spanjollët, që bëri që ritmi në fushë të bjerë disi. Për minuta të tëra është Spanja që dominon në fushë, duke krijuar raste të shumta, duke sulmuar nga krahët dhe në mënyrë të kombinuar me pasimet e shkurtra dhe të gjata. Strakosha bëhet shpëtimtar në disa raste, por edhe Ajeti e Gjimshiti detyrohen herë pas here të nxjerrin topin në korne. Mitaj nga krahu i majtë përpiqet të bëjë diçka ndryshe me pasimet vertikale për Bajramin, por ky i fundit, i izoluar dhe i rrethuar nga katër mbrojtës spanjollë nuk ka ku e çon topin dhe e dorëzon atë. Manaj përpiqet të fitojë ndonjë 11-metërsh nga përplasjet direkte me spanjollët janë të qetë në ndërhyrje. Një rast të mirë skuadra jonë regjistron në minutën e 44-t kur goditja e Kristjan Asllanit nga jashtë zone pritet në dy kohë nga portieri spanjoll Raja. Për pasojë, pjesa e parë mbyllet 0-1 në favor të spanjollëve.
Pjesa e dytë
Në pjesën e dytë Spanja nxori Lamerik Laporten dhe futi Norman, kurse Silvinjo vijoi me të njëjtin formacion. Loja jonë në pjesën e dytë rritet në fazën ofensive. Me kalimin e minutave Silvinjo heq Manajn dhe fut Brojën, i cili menjëherë ka një rast të artë shënimi pas asistit të Asllanit që pasoi rrufeshëm, por gjuajtja e Brojës devijohet nga portieri spanjoll. Në minutën e 70-të Bajrami i lë vendin Arbër Hoxhës dhe Qazim Laçi i lë vendin Medon Berishës. Pas kësaj minute loja e tanëve gjallërohet shumë në sulm. Krijohet entuziazëm. Asllani për pak barazon shifrat në të 75’, por sfera përfundon jashtë. Armando Broja tenton në dy raste në minutat e fundit, duke shkuar shumë pranë golit, por portieri spanjoll bëri pritje vendimtare. Shqipëria humbet kështu 1-0 dhe në vend të fundit, por ajo e fitoi Europianin e saj me tifozerinë e pazakontë të këtij edicioni që pushtoi sheshet dhe stadiumet e Gjermanisë. Ndërkohë, ndeshja tjetër e mbrëmjes së djeshme, ajo mes Kroacisë dhe Italisë, përfundoi 1-1. Për kroatët shënoi Luka Modriç në minutën e 55-të, një top të kthyer nga penalltia që ai vetë nuk e shënoi dot. Deri në minutën e fundit po udhëhiqnin kroatët, por pikërisht në sekondat e fundit Italia barazoi me anë të Zaganjit, i cili u asistua nga Kalafiori. 1-1 dhe me katër pikë Italia shkon si vend i dytë më tej, kurse Kroacia si vend i tretë nuk ka shans pasi duhen minimalisht tri pikë të avancosh më tej nisur nga pikavarazhi që kanë disa skuadra në grupet e tjera.