Poeti i njohur Agim Doçi mjeshtri i teksteve të këngë shqiptare u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare mëngjesin e së hënës. Poeti ndodhej prej të shtunës në reanimacion në Shërbimin e Neurologjisë në QSUT, pasi pësoi hemoragji cerebrale. Autori i teksteve i mijëra këngëve që shkroi për jetën, atdheun, lirinë, dashurinë dhe njerëzve la pas një krijimtari unike. Miq, të afërm, kolegë e dashamirës ndanë mesazhe, ku shprehin keqardhjen e madhe për humbjen e papritur të mjeshtrit të teksteve të këngës shqipe. Agim Doçi ishte fituesi i mbi 50 çmimeve dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në “Eurovision”. Në krijimtarinë e tij veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë mes të cilave “Marshi i UÇK-së” dhe “A vritet pafajësia”. Kompozitori Zhulali ndau dje një mesazh për poetin e shquar Agim Doçi “Mjeshtër i Madh” dhe thotë se vargjet e tij do të jetojnë mes nesh. “Agim Doçi poeti i shquar i artit shqiptar, miku im i paharruar bashkëpunëtori im më i ngushtë e më i suksesshëm, krijues i këngëve pafund me sa e sa kompozitorë e këngëtarë nga gjithë trevat shqiptare. U ndave nga ne për të mos u larguar kurrë me vargjet e tua të arta që do të jetojnë përgjithmonë mes nesh. Inxhinier, poet, njeri publik, antikonformist, gazetar, publicist, njeri me kurajo e humor të gjitha në një talent të rrallë njerëzor. E doje aq shumë Kosovën e vargjet tua të arta janë një gjerdan i çmuar në piedestalin e lirisë së saj, e për këtë u përjetësove e u njehsove si një luftëtar i UÇK me titullin “Veteran” i luftës së Kosovës”, shprehet Zhulali. Ndërsa për këngëtaren e njohur Myfarete Laze, Agim Doçi është poeti i mbarë shqiptarisë. “Pendë artë e vargut poetik e të kënduar në breza”, shprehet ajo ndër të tjera në rrjete sociale. Kompozitori Miron Kotani thotë se poeti do të kujtohet përjetë mes vargjeve të tij. “Ike shpejt poet i këngës! Do të të kujtojmë përjetë mes mijëra këngëve e vargjeve të shumta që na dhurove”, shprehet Kotani.
Vargu i tij do të na shoqërojë në jetë
Kineasti Skënder Jaçe një prej miqve të poetit shprehet se Agim Doçi la pas gjëra që nuk mund të harrohen me krijimtarinë e tij. “Vargu i tij i mençur do të na shoqërojë në jetë si një balsam që shëron plagët. La kaq shumë gjëra nga pas sa s’mund të harrohen lehtë. Agim Doçi ishte një institucion, një poet me një prodhimtari të jashtëzakonshme. Mbi 3000 këngë me tekste shkruar prej tij, balada të ndryshme, skenarë të filmit dokumentar, etj. A mund të harrohen lehtë kënga e njohur “E duam Lumturinë”, apo “A vritet pafajësia”, “Xhinset blu”, etj. Ai ishte i paepur ndaj dashurisë së kombit të vet dhe atdheun që aq shumë e desh. Nuk mund të harrojë Kosova “Marshin e UÇK”, e cila u frymëzua nga pena e artë e Agim Doçit. Gjithë kombi u përlot me tekstin e këngës “Në një flamur të pandarë” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë”, shprehet Jaçe. Kineasti kujton se pati fatin ta kishte një mik të mirë dhe bashkëpunëtor në filmin dokumentar “Mbreti i Fushës-Panajot Pano”. “Familja bashkëshortja dhe vajza humbi njeriun e dashur, Kombi një vlerë të penës shqiptare, një Fishtë të ri që ndriçoi mendjet me vargun e tij të mrekullueshëm. Në paqe, RIP Poeti ynë i Kombit Agim Doçi”, shprehet Jaçe. Lindur më 9 maj 1948 në Shkodër, Doçi u diplomua për Inxhinieri, por kishte një pasion të rrallë për letërsinë. Krijues i më shumë se 3.000 tekste të këngëve bashkëpunëtorët e poetit ishin këngëtarë të njohur si Aurela Gaçe, Anjeza Shahini, Parashqevi Simaku, Leonora Jakupi, Myfarete Laze, Françesk Radi, Kastriot Tusha, e shumë e shumë të tjerë.