Konferenca shkencore “Revolucioni i qershorit: në jubileun e 100-vjetorit” mblodhi studiues dhe historianë. Konferenca u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, universiteti “Fan Noli” i Korçës dhe fondacioni “Fan Noli”. Në kumtesën e tij prof. dr. Ksenofon Krisafi ndër të tjera tha se revolucioni i qershorit drejtohej kundër shtypjes feudale vendase, ndërhyrjes së kapitalit të huaj, u përpoq për mbrojtjen e interesave kombëtare, ekonomike, shoqërore, kulturore,etj, si dhe për demokratizimin e shoqërisë shqiptare, etj. Ai tha se Fan Noli, një nga personalitetet më të shquara të botës shqiptare, me profilin e vet të spikatur atdhetar, me shkëlqimin si politikan e diplomat, personalitet me horizont të gjerë, me koncepte dhe sjellje të konsoliduara demokratike, bëri epokë dhe i dha emrin e vet kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Në kumtesën e tij prof. dr. Paskal Milo tha se zhvillimi i ngjarjeve të revolucionit të qershorit është i njohur dhe objekt i këtij referimi, është vetëm vlerësimi i tyre në optikën amerikane të kohës. “Tre janë çështjet përmbajtësore të qëndrimit amerikan: karakteri i kthesës politike që u shënua në Shqipëri në qershor 1924, njohja e qeverisë së re shqiptare dhe reagimi ndaj izolimit ndërkombëtar e ndërhyrjes jugosllave për përmbysjen e saj. Mbështetur në dokumente diplomatike amerikane të kohës me origjinë nga Departamenti i Shtetit në Uashington si dhe nga misionet diplomatike amerikane në Tiranë, Romë, Beograd dhe Athinë, ndryshimi politik që ndodhi në Shqipëri u cilësua revolucion”, tha ai ndër të tjera. Në këtë konferencë mbajtën kumtesa dhe të tjerë historianë dhe akademikë, mes tyre prof. dr. Valentina Duka mbajti kumtesën: “Qeveria e Nolit dhe shoqëria “Bashkimi””. “Pas fitores së revolucionit, erdhi në pushtet Fan S. Noli, i cili, pas diskutimesh dhe kompromisesh, krijoi kabinetin e tij qeveritar. shoqëria “Bashkimi” së bashku me faktorë të tjerë politikë mbështetës të Revolucionit, u vendosën në krah të qeverisë së re duke ushtruar ndikim të veçantë edhe në formulimin e programit të saj”, u shpreh ajo ndër të tjera. Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi mbajti kumtesën “Fan Noli dhe qeverisja e tij në këndvështrimin e politikës gjermane të kohës”, prof. dr. Romeo Gurakuqi foli për “Peizazhin politik dhe parlamentar në Shqipëri nga Kongresi i Lushnjes deri në revolucionin e qershorit”, etj.