Baleti “Fatalita” shënon premierën në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Katër kryevepra botërore, “Romeo and Juliet”, “Carmen”, “La Traviata” dhe “Anna Karenina”, ku heroina është gruaja që vdes, përmblidhen në baletin me ide nga Enada Hoxha një nga artistet e suksesshme të skenës sonë. Zhuljeta, Violetta, Anna Karenina dhe Carmen janë katër heroina që do të vijnë të interpretuara nga balerina e parë e TKOB-së, Enada Hoxha në baletin me koreografi nga Toni Candeloro. Në intervistën për gazetën “SOT” primabalerina Enada Hoxha tregon se vepra që vjen në skenë përcjell një mesazh sensibilizues për shoqërinë: stop dhunës dhe nënshtrimit të gruas, që fundi i saj të mos jetë fatal. Primbalerina Enada Hoxha thotë se “Fatalita” vjen në skenë si një vepër e veçantë me trupën e baletit dhe që ka bërë bashkë një kastë artistësh të njohur, ku janë dhe Gioacchino Starace nga teatri “La Scala” apo dhe Marcos Rodriguez nga Madridi. Soliste në vepër, ajo flet dhe për bashkëpunimin me koreografin e shquar italian Toni Candeloro për të cilin thotë se është një nga kërcimtarët dhe koreografët internacional, që i ka dhënë mundësinë që të përçojë artin e saj edhe jashtë vendit.
-Baleti “Fatalita” do të shënojë premierën në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe do të shfaqet për dy mbrëmje në 25-26 qershor për publikun. Një vepër që bën bashkë artistë të njohur për ta sjellë në skenë. Por për ju është një vepër e veçantë. Çfarë do i përcjellë publikut premiera “Fatalita”?
Baleti “Fatalita” vjen në skenë si një vepër e veçantë e mirëmenduar, por jo pa shkak ky emër.
-Pse?
Sepse kjo vepër baleti premierë përmban katër pjesë të kryeveprave botërore siç janë “Romeo and Juliet”, “Carmen”, “La Traviata” dhe “Anna Karenina”. Janë katër histori që njihen më së miri nga letërsia, filmat, baleti apo opera.
-Ju kemi parë me vepra të ndryshme, por pse kjo zgjedhje nga ju?
Kam zgjedhur pikërisht këto vepra, sepse si natyrë, si artiste dhe si krijuese mua më ka pëlqyer gjithmonë që të vë në skenë dhe të kërcej vepra me emocione të forta. Preferova që idenë time t’ia dorëzoja koreografit të mirënjohur Toni Candeloro, një artist multidimensional, i cili e ka sjellë në formë vërtetë interesante dhe të veçantë. Në këtë rast kam dashur dhe të jap edhe një mesazh të fortë përsa i përket situatës së gruas sot. Neve e kemi quajtur gruaja përtej vdekjes. Këto katër personazhe ajo që i bën bashkë është pikërisht guximi drejt vdekjes. Një mesazh që sot gruaja po gjendet në momentet më të vështira e papërkrahur nga familja, shoqëria, mentaliteti, paragjykimi dhe mendoj që këto katër vepra e përçojnë mjaft mirë këtë. Ne kemi bërë një punë shumë të mirë dhe të mirëmenduar bashkë me trupën e baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
– Baleti “Fatalita” do të jetë në skenë për dy mbrëmje me radhë. Zhuljeta, Violetta, Anna Karenina dhe Carmen do të vijnë të interpretuara nga ju në një balet premierë që rrallë publiku mund ta shohë në skenën tonë. Vepra me idenë tuaj përcjell një mesazh sensibilizues për shoqërinë: Stop dhunës dhe nënshtrimit të gruas, që fundi i saj të mos jetë fatal. Por sa ka qenë e vështirë për ju me katër personazhe në skenë?
Më vjen mirë që kthehem të interpretoj të katër personazhet, që nuk është e thjeshtë kur e mendon. Por unë gjithmonë dua të sfidoj veten me gjithçka që vë në skenë dhe ideoj, kështu që jam gati për t’i dhënë publikut që më do aq shumë dhe më ka ndjekur emocione të forta që kanë këto 4 personazhe.
– Pasi ka prekur skenat më të njohura botërore si balerin dhe koreograf, Toni Candeloro rikthehet për të sjellë “Fatalita”. Por si ka qenë këtë herë ky bashkëpunim me koreografin Candeloro, që me punën e tij ka spikatur në skenat europiane?
Me Toni Candeloro njihemi prej vitesh. Ai është një nga kërcimtarët dhe koreografët internacional që më ka dhënë mundësinë që unë të përçoj artin tim edhe jashtë krah tij, sepse ai është një nga ata kërcimtarë që ka kërcyer krah Carla Fracci-t, Alessandra Ferri-t, kështu që për mua ka qenë një fat që të kërcej krah tij, por dhe të jem muza e tij në krijimet koreografike. Kam fatin sërish të kem në krah solistin e teatrit “La Scala” Gioacchino Starace, por do të shikoni që në skenë kam të ftuar dhe balerinin nga Madridi Marcos Rodriguez në rolin e toreadorit, që do të kërcejë flamenko. Kam sjellë këto dy kultura të ndryshme, por që bën shumë mirë ndarja e eksperiencave me mua si balerinë e parë, por edhe me trupën e baletit. Mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë. Ndriçimi do të jetë inovativ. Veshjet do të jenë moderne, por tepër të thjeshta, sepse të katër historitë i kemi kthyer në kohën e sotme. Mendoj që publiku do të gjejë veten në të katër veprat, sepse e kemi bërë të tillë që të vijë në mënyrën më të thjeshtë edhe pse do duket abstrakte në shumë gjëra sepse ndriçimi është tepër i veçantë. Toni ka bërë dhe skenografinë, ka dhënë ide dhe në veshje, ka punuar dhe me ndriçimin. Mendoj që vjen një balet vërtetë interesant.
– Me një karrierë të shkëlqyer në Shqipëri, por edhe me shfaqje të suksesshme jashtë saj, sot jeni balerina e cilësuar edhe si një yll i skenës. Por kjo për primabalerinën Enada Hoxha, çfarë do të thotë?
Për mua do të thotë përgjegjësi. Unë gjithmonë titujt i kam marrë si një përgjegjësi përpara vetes sime dhe publikut që më ndjek. Unë dal në skenë përsëri pas 30 viteve karrierë artistike dhe nuk është e thjeshtë që ti mbash këta tituj. Por i kam mbajtur me punë dhe me sakrifica, me një përgjegjësi të madhe që sa herë dal në skenë unë të jem po e njëjta Enadë dhe pse jo të vij mirë e më mirë gjithmonë përballë publikut.
-Ju e bëni me dashurinë më të madhe këtë profesion, por a keni ndjerë lodhje me veprat?
Asnjëherë. E bëj me dashurinë më të madhe këtë profesion dhe baleti “Fatalita” është një nga dashuritë e reja që sapo ka lindur dhe dua ta përqafoj fort. Siç e dua unë do të doja ta përqafonte dhe publiku.
-Premiera do jetë vetëm dy mbrëmje, por a pritet dhe një rikthim i saj?
Mendoj që do ta rikthejmë në sezonin tjetër artistik me orkestër. Edhe tani shfaqja do të ishte me orkestër, por për faktin që ajo do të jetë e angazhuar në sezonin veror ka qenë e pamundur kjo gjë.
-Shumë aktive në jetën artistike, por si nis dita për primabalerinën Enada Hoxha?
Puna ime nis si gjithë këto vite. Paraqitem në punë në orën 9: 30 dhe në orën 10:00 fillojnë ushtrimet. Më pas në bazë të aktivitetit që ka kalendari artistik gjithmonë punohet. Trupa e baletit nuk është asnjëherë pa punë dhe vazhdon të stërvitet. Unë nuk jam gjithmonë pjesë e çdo shfaqje dhe kjo për arsye zgjedhjeje e imja, sepse janë pjesë baleti që unë i kam kërcyer dhe tashmë i janë dorëzuar dhe solistëve të tjerë. Unë gjithmonë preferoj të merrem me shfaqje të reja që vijnë në skenë, qoftë këto të krijuara nga unë apo dhe nga një tjetër koreograf, por që të jenë shfaqje të tjera që ti përshtat te vetja, për maturinë time dhe gjithçka që unë përfaqësoj.
-Një verë me angazhime për ju, por çfarë mund të na zbuloni për projektet tuaja në vijim?
Periudhën e pushimeve preferoj që ta kaloj me familjen time, sepse gjithë viti është i mbushur me aktivitete të ndryshme. Mendoj që në të ardhmen projekti im i ri që do të propozoj në teatër të jetë me një nga yjet e baleteve botërore.
Intervistoi: Julia Vrapi
Baleti dy mbrëmje në skenë
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se “Fatalita” do ta kthejë skenën e tij në një muze iluzionesh, ku do të dëshmohen katër akte dramatike të katër heroinave të kryeveprave botërore. ““Romeo and Juliet”, “Carmen”, “La Traviata” dhe “Anna Karenina” vijnë në një premierë baleti nga koreografi i shquar Toni Candeloro, vendosur në një shfaqje surreale dritash e ngjyrash që për dy net do të bëjnë edhe publikun pjesë të skenës”, thuhet nga TKOB. Muzika mban emrat e autorëve Sergei Prokofiev, Giuseppe Verdi, Pyotr Ilych Tchaikovsky, Georges Bizet dhe Yury Shadrin. Kostumografia nga Edlira Qyshka, video dizanjer Forian Çanga. Balet maestër Alisa Gjoni, Eltion Merja. Solistë në vepër janë Enada Hoxha, Gioacchino Starace, Marcos Rodriguez, Dion Gjinika, Kevin Lila dhe Ervis Koceku. Kritika e ka vlerësuar shumë Cadeloron edhe për idetë e tij krijuese në botën e spektaklit, teatrit dhe festivaleve të ndryshme.