Kontrata kolektive e punës për artistët do të ketë ndryshime, duke iu përshtatur edhe kohës. Gjatë këtyre ditëve përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë janë shprehur mbi këto ndryshime, ku në pikat e kontratës janë edhe ngritja e një komisioni për sigurinë dhe shëndetin në punë apo dhe ulja e orëve të punës në sektorin e artistik. Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë bën me dije se ka nisur procesi i ndryshimeve të kontratave kolektive të punës duke ju përshtatur kohës, por gjithashtu sipas saj edhe amendamenteve të reja. Në materialin e ndarë në rrjete sociale nga artisti Julian Kazazi president i SPASH thuhet se me datë 15.10. 2007 nënshkruhet për herë të parë Kontrata Kolektive e Punës pa afat midis Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, Teatri i Kukullave dhe SPASH-së. “QKKF-Teatri i Kukullave përfaqësohej nga drejtori i përgjithshëm, z. Gentian Çoçoli dhe SPASH-ja me kryetare të sindikatës znj. Florinda Mazreku, sekretare znj. Hatixhe Arapi dhe presidenti i SPASH-së z. Reshat Ibrahimi. Me datë 20.6. 2024 u nënshkrua përsëri Kontrata Kolektive e Punës pa afat, por me disa ndryshime për ti ardhur në ndihmë dhe në mbështetje të anëtarësisë, por edhe në të mirë të mbarëvajtjes së punës së përditshme e për ti ofruar garanci çdo anëtari të saj që punon në këtë institucion”, thuhet në këtë material nga Kazazi, që bën me dije për kontratën e nënshkruar së fundmi.
Pikat e kontratës
Disa nga pikat dhe risitë e kësaj kontrate kolektive janë: zbatimi i ligjit “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, ku u dakortësua ngritja e një komisioni të përbashkët ku kryetar i këtij komisioni të jetë kryetari i sindikatës së QKKF-TK dhe anëtarë punonjës të tjerë me eksperiencë dhe specialistë të fushës; Zbatimi i Konventës C.190 “Mbi dhunën dhe ngacmimin në botën e punës”, ku në vazhdimësi do të ketë edhe seminare të ndryshme nga sindikata për sensibilizim të shoqërisë dhe në mbrojtje të anëtarëve të saj. Po ashtu pranimin dhe përllogaritjen e studimit përgatitor individual si proces të punës së përditshme dhe uljen e orëve të punës në sektorin artistik apo dhe caktimin e një komisioni disiplinor dypalësh për përcaktimin e llojit të fajit dhe masave disiplinore, në mbrojtje të dinjitetit të çdo artisti dhe punonjësi të QKKF-TK. Ndërsa Julian Kazazi president i SPASH shpreh dhe mirënjohje për çdo titullar institucionesh që ka zgjedhur bashkëpunimin me sindikatën në të mirë të punës dhe të punëmarrësve, duke zbatuar kontratën kolektive të punës, si të vetmin instrument për të ruajtur balancat e një pune të shëndetshme dhe korrekte nga të dyja palët. “Falenderim për drejtuesin e këtij institucioni dhe artistin Agim Bajko, i cili në çdo moment ka patur në fokus zbatimin e Kontratës Kolektive të punës dhe bashkëpunimin me sindikatën e institucionit për mbarëvajtjen dhe respektimin e kompetencave të përfaqësuesve të saj”, shprehet Kazazi. Edhe më herët artisti Kazazi ka shprehur se kërkesat e tyre për përmirësim të kushteve të punës dhe status të artistit do të vazhdojnë, si dhe të gjejnë zgjidhje dhe çështje të tjera në institucionet e artit.