Ekspozita “Përtej Stolisjes. Celebrimi i traditës” u hap me punimet e artistes Brandi Simpson. Çentrot kanë patur një përdorim të gjerë në familjet tona. Ato përdoreshin për të zbukuruar dhe mbuluar objekte të ndryshme, por artistja nga SHBA në punët e saj që i risjell çentrot thekson dhe rolin e gruas në krijimin e tyre. Ekspozita në Parking Art Gallery vjen e kuruar nga Sead Kazanxhiu dhe në hapje të saj ishte e pranishme dhe vetë artistja, por dhe personalitete të artit në vend si aktorja Tinka Kurti “Nderi i Kombit”, artistë të tjerë dhe dashamirës të artit. Kuratori Kazanxhiu shprehet se artistja Simpson i drejtohet grave të pakicave me një letër ku ajo i fton të punojnë sëbashku për ti risjell këto punime, duke ndarë histori dhe kujtime të ndryshme familjare me njëra-tjetrën. Kazanxhiu thotë se Brandi është artiste që krijon skulptura qelqi dhe shpesh përdor sende jokonvencionale. “Arti i saj eksploron përvojën femërore dhe mënyrën se si ne shihemi nga të tjerët – duke formuar mënyrën se si e shohim veten. Simpson është e interesuar në krijimin e artit në komunitet dhe traditën e grupimeve artizanale midis grave, duke ndarë zanatin e përbashkët të bërjes së çentrove. Kjo është një traditë që është përcjellë nga brezat e grave në familjen e saj”, thotë ai. Sipas Brandit, magjepës është fakti që ne kujdesemi shumë për të krijuar këto punime delikate, me qëllim për të zbukuruar dhe mbuluar mobiljet apo ambientin ku përdoren. Kuratori vijon se qendra e kësaj ekspozite është figura e një gruaje e bërë me çentro dhe strukturë rrjetë teli, dhe dy pllaka qelqi gramafoni të gdhendura në to, ku njëra nga pllakat përçon zërin e rrahjes së një zemre. “Ekspozita “Përtej Stolisjes. Celebrim i traditës”, e artistes amerikane nga Teksasi, Brandi Simpson, i risjell këto centro në një formë ndryshe, jo thjesht si materiale apo punime që shërbejnë vetëm për zbukurime, por thekson dhe rolin e gruas si figurë qëndrore në krijimin e tyre. Këto punime janë realizuar nga familja e artistes dhe nga gratë e pakicave kombëtare në Shqipëri përgjatë punëtorive të organizuara nga ajo”, thotë më tej Kazanxhiu. Sipas tij, kjo ekspozitë jo vetëm rivitalizon historitë, kujtimet që mbartin, por edhe tregojnë elemente të përbashkëta që bashkojnë kombësi dhe kultura të ndryshme.
Artistja e parë ndërkombëtare në këtë galeri
Brandi Simpson është artiste vizuale nga Teksasi, ku punon dhe jeton. Brandi punon në mediume të ndryshme të artit vizual, praktika e të cilës është e rrënjosur thellë në përvojën femërore dhe rolet sociale të grave. Brandi u diplomua për Skulpturë nga Universiteti i Teksasit Arlington dhe aktualisht është duke ndjekur masterin e saj në Studimet e Qelqit në UTA, universitet në të cilin jep dhe mësim në studimet e qelqit nëpërmjet fryrjes. Puna e Brandit, shpesh eksploron se si përvojat formojnë mënyrën se si ne vlerësojmë dhe perceptojmë veten dhe trupin tonë.