Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin “Fan Noli” të Korçës, organizojnë ditën e premte, më 28 qershor, një simpozium shkencor me temë “Monumentet e natyrës së Shqipërisë dhe vlerat e tyre natyrore, historike, kulturore, shpirtërore dhe turistike”, një nismë e ideuar e drejtuar nga një prej profesorëve e gjeografëve tanë më të njohur, prof.dr.Perikli Qiriazi. Shqipëria, për shkak të pozitës së saj gjeografike, kushteve klimatike të vendit, përbërjes gjeologjike e mjaft elementëve të tjerë fiziko-gjeografikë, mbart monumente të shumta natyrore që janë një vlerë e shtuar jo vetëm e natyrës, por me ndikim për sot e në perspektivë në zhvillimin turistik (kryesisht) të vendit. Sot këto vlera janë të rrezikuara dhe kërkohet jo vetëm kujdes administrativ, por nëpërmjet studimeve shkencore të analizohen me kujdes vlerat, të propozohen pranë institucioneve rrugët e zgjidhjes, duke pikësynuar që monumentet natyrore, në kuadër të zonave të mbrojtura, të marrin vëmendjen e merituar si një pasuri e çmuar e vendit. Liqenet Akullnajore të Shqipërisë janë objekte relikte të natyrës tonë, mbetur pas akullzimit të fundit kuaternar që preku territorin shqiptar. Shqipëria ka mbi 200 liqene akullnajore dhe karsto-akullnajore të përmasave të ndryshme (kryesisht nga 0.5 deri në 5 ha, e më të rrallë mbi 5 ha), prej të cilëve 33% janë në gjendje të mirë, 30% të rrezikuar seriozisht, e pjesa tjetër liqene të vegjël e me ujë të përkohshëm të futur në procesin e eutrofikimit të shpejtë, pra në rrugën e livadhizimit e zhdukjes së tyre të plotë.
Foto 1. Liqeni i Zi i Valikardhës, në malësinë e Martaneshit.
Është për të ardhur keq që shumë prej këtyre objekteve të rralla të natyrës tonë, që kanë rëndësi për interpretimin e relievit alpin dhe të klimës në të shkuarën, nuk e gëzojnë statusin e monumentit natyror. Një pjesë janë të përfshirë në parqet natyrore të Lurës, Shebenikut, Valamarës etj, por vetë liqenet që ndodhen brenda parqeve nuk kanë status special mbrojtës. Kjo i ka ekspozuar ata ndaj rrezikut të asgjësimit dhe është mëse urgjente që liqenet akullnajore, në masë dërrmuese, të marrin statusin mbrojtës më të lartë, për të shpëtuar sa është e mundur këtë pasuri të çmuar të natyrës shqiptare.
Në një të ardhme edhe këto objekte mund të shfrytëzohen për turizëm, brenda parqeve dhe sistemeve të tjera të zonave të mbrojtura, por në asnjë rrethanë të lejohen ndërtime pranë tyre dhe ndërhyrje të tjera me qëllime bujqësore, blegtorale, energjetike etj. Kjo pasi liqenet akullnajore dhe mjedisi pranë tyre është mjaft delikat. Sot në të gjithë vendin cirqet akullnajore ku ndodhen liqenet alpine janë prekur nga prerja masive e bimësisë, apo dhe ndërhyrje për shfrytëzimin e mineraleve, duke i sjellë liqenet në kushtet e mbijetesës e shumë prej tyre në kolaps hidrologjik. Ndaj, është e nevojshme, që ndryshimet që ju bënë së fundmi ligjit për zonat e mbrojtura të shihen me kujdes, të merren masat që këto ndryshime të mos prekin për keq liqenet akullnajore dhe zonën rreth e qark tyre, e nga ana tjetër, të binden institucionet të hartojnë strategji që këto vlera të mjedisit, këto monumente të rralla, të shfrytëzohen për qëllime turistike, por brenda një kornize si zonë e mbrojtur me parime strikte.
Foto2. Liqeni i Madh i Jezercës në Alpet Shqiptare.
Nga kush rrezikohen sot liqenet akullnajore të Shqipërisë?
Së pari, nga shkaqe natyrore, që në vetvete lidhen me ndryshimet klimatike. Dihet që liqenet kanë një regjim hidrologjik mjaft delikat, ku hyrja dhe dalja e ujit nga gropa akullnajore, në një cikël sezonal e vjetor ndjek disa rregullsi të caktuara për të ruajtur bilancin e vet. Ky bilanc po rëndohet negativisht me kalimin e viteve pasi avullimi si pasojë e rritjes së temperaturave po shtohet dhe liqenet janë në kushtet e mbijetesës. Si pasojë e kësaj, disa liqene me ujë gjithëvjetor po kthehen në liqene me ujë të përkohshëm. Veçanërisht të rrezikuar janë liqenet e vegjël në kufijtë e 0.2 hektarëve.
Së dyti, ndërhyrjet antropike në pellgun ujëmbledhës kanë shkaktuar dëme të rënda. Këtu së pari ndikon prerja masive e pyjeve halore dhe të ahut, që ka ndikuar drejtpërdrejt në dëmtimin e vlerave peizazhore, por edhe indirekt në mbathjen e gropës me sedimente pasi mungon sistemi rrënjor mbrojtës, duke lehtësuar ardhjen e materialeve copëzore nga shpatet për shkaqe gravitative. Kjo po çon drejt asgjësimit shumë liqene në vargmalin e Lurës dhe dëmi ka qenë i madh. Ndërhyrje të dëmshme kanë qenë edhe ato në kërkim të mineraleve apo hapje rrugësh për shfrytëzim pyjesh etj, veprime të pastudiuara dhe pa miratime inxhinierike. Në liqenet e cekët kjo ka ndikuar në përshpejtimin e livadhizimit të tyre.
Foto3. Liqeni i Zi i Kacnisë, në malin e Balgjait.
Ndërhyrje të dëmshme kanë qenë dhe në ato raste kur janë ndërtuar objekte, qofshin këto edhe të lëvizshme, pranë liqeneve, pasi ka sjellë rritje të ndotjes, mungesë të ajrimit, ndotje të ujit të liqenit dhe të vetë pellgut ujëmbledhës.
Me impakt mjedisor negativ janë edhe tendencat për të shfrytëzuar ujin e liqeneve për qëllime energjetike. Objekte të tilla nuk kanë përmasa dhe volum të tillë ujor që të rrisin energjinë potenciale për shfrytëzim të energjisë elektrike, ndaj ndërhyrjet janë me pasoja fatale për vetë situatën ku ndodhen liqenet dhe natyrën e tyre tepër delikate. Natyrisht, me ndikim negativ janë dhe shfrytëzimi që u bëhet për qëllime bujqësore, duke thelluar kanalet e ujërave dalëse në periudhën e thatë, veprim ky që rrit premisat që rrjedhjet ujore me erozion regresiv të kapin tabanin e liqeneve, duke i çuar kështu ata drejt asgjësimit të plotë. Kurse ngritja e digave dhe argjinaturave krahas anëve pozitive ka pasur shpesh edhe ndikime negative për cilësinë e ujit, brezin e bimësisë rreth e qark tij dhe vlerat peizazhore në përgjithësi.
Foto 4. Liqenet e Lurës.
Për të gjitha këto, është me rëndësi që liqenet akullnajore të Shqipërisë të prezantoheshin në këtë simpozium në këtë kuadër, pasi të jepen rezultatet e kërkimit shkencor, në fund të listohen edhe rekomandimet e nevojshme që kjo pasuri e çmuar e vendit të mbrohet e menaxhohet brenda kritereve të përcaktuara shkencore e administrative, ashtu sikurse e kanë edhe vendet e zhvilluara europiane. Pas analizës së bërë është e rastit të paraqesim disa rekomandime të cilat duhen marrë në konsideratë dhe që duhet, në fakt, t’u bëhen të ditur institucioneve përgjegjëse që lidhen me zonat e mbrojtura dhe mjedisin, apo dhe organet ligjzbatuese, që të jenë të kujdesshme në hapat që marrin, pasi liqenet akullnajore janë një pasuri e madhe natyrore e vendit, pasuri që ofrohet si alternativë në zhvillimin turistik dhe ekonomik të zonave malore.
Foto 5. “Binjakët” e Lenies në malin e Valamarës.
Rekomandojmë konkretisht:
– Monitorimin e liqeneve kryesorë duke vendosur një protokoll në kuadër të parqeve apo zonave të mbrojtura, ku të përfshihet analiza fiziko-kimike, analiza e fito dhe zooplanktonit, pastrimi, monitorimi i pellgut etj.
– Të këshillohen autoritetet përkatëse që të shikojnë mundësinë e krijimit të një sistemi mbrojtës dhe menaxhues kombëtar për liqenet akullnajore, duke krijuar për ta një status të veçantë, një rregullator. Që të ndodhë kjo duhet rritur kategoria e mbrojtjes për liqenet akullnajore që ndodhen në kategoritë IV, V e më poshtë dhe të gjithë liqenet akullnajore duhet të shpallen Monumente të Natyrës, pra të paktën mbrojtje të shkallës së tretë.
– Mbi të gjitha, duke qenë ekosistem shumë delikat, duhet bërë shumë kujdes në menaxhimin dhe shfrytëzimin ekonomik të liqeneve. Çdo vendim duhet të merret pas studimeve të plota të efekteve pozitive e negative të projekteve për shfrytëzimin ekonomik të liqeneve akullnajore.
– Të ndalohet rreptësisht shfrytëzimi i pyjeve pranë liqeneve, si kusht potencial për jetëgjatësinë e tyre.
– Nëpërmjet një liste, disa liqene duhen evidentuar si etalon për të interpretuar në natyrë fenomenin e krijimit të cirqeve dhe të liqeneve e në këtë kuadër të shërbejnë si objekte didaktike, ku të rinj, nxënës e studentë, të marrin leksione në natyrë.
– Në hyrje të parqeve ku ndodhen liqenet ose në bashkitë respektive të ndërtohen harta plane të liqeneve ku të jepen jo vetëm të dhënat, por edhe sqarime të tjera për shtigjet që duhen ndjekur dhe udhëzime të tjera që evitojnë ndotjet dhe dëmtimin e vlerave të liqeneve.
– Mendimi ynë është që liqenet akullnajore nuk kanë potencial ujor për zhvillimin e hidroenergjisë, ndaj projekte të tilla duhen riparë për t’i evituar në të mirë të natyrës, në mënyrë që këto perla hidrografike në relievin alpin shqiptar të mbeten si të tilla edhe për brezat e ardhshëm.
– Do të ishte një punë me vlerë nëse mblidhen nga zonat e ndryshme të vendit, por edhe literaturë vendase dhe e huaj gjithçka lidhet me mitologjinë e liqeneve tona akullnajore. Ky thesar i ardhur gojë më gojë nga të parët tanë e deri në ditët e sotme, mund të shtojë vlerën e liqeneve në aspektin turistik të tyre, por ky është dhe një shërbim ndaj trashëgimisë tonë shpirtërore.
– Të nxiten departamentet e gjeografisë që të inkurajojnë studentët të marrin tema diplomash për liqenet e grupliqenet, për të nxjerrë në pah në vijimësi vlerat e tyre, por edhe për të dhënë ide për zhvillimin turistik dhe ekonomik në tërësi të zonave rurale ku shtrihen liqenet.
Foto 6. Liqeni i Koçes në malin e Dhoksit.
Apeli
Theksojmë në fund se simpoziumi që organizon Akademia e Shkencave për këtë tematikë ka përpara sfida serioze. E kjo jo vetëm për liqenet akullnajore të vendit por edhe për objekte e forma të tjera të natyrës tonë, qofshin këto hidromonumente, biomonumente, gjeomonumente, etj. Është momenti që zonat e mbrojtura të vendit të marrin vëmendjen e duhur por që të ndodhë kjo duhet që studiuesit dhe autorët e kumtesave të nxjerrin konkluzione të sakta që do të jenë udhëzues i saktë për mbrojtjen e këtyre vlerave të natyrës tonë e njëherësh për ta shtruar problemin për zgjidhje si duhet dhe atje ku duhet.