Gjykata e Shkallës së Parë ka lënë në burg oficerin e policisë që akuzohet se mori 500 mijë lekë nga një person i kallëzuar për kanosje.
Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, me afat 15 ditë për Nënkomisar K. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë.
Arrestimi i 35-vjeçarit u krye më 23 qershor nga AMP.
Nga hetimi i kryer u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.
Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumente të tjera që lidhen me ngjarjen.