Adriatik BALLA
Dje u mbyllën përfundimisht ndeshjet në grupe në Kampionatin Europian Gjermani-2024, ku u përcaktuan edhe 16 skuadrat që shkojnë më tej në këtë aktivitet. Mbrëmjen e djeshme ishin ndeshjet e fundit në grupin F, ndërkohë që ndeshjet e xhiros së tretë në grupin E u luajtën në orën 18. Pikërisht në këtë grup pati edhe surpriza befasuese, pasi të katër ekipet e mbyllën me katër pikë në renditje, por njëra prej tyre shkoi në shtëpi. Ishte Ukraina që doli e pafat, për shkak të golavarazhit, e cila në vend të fundit, edhe pse pati katër pikë, eliminohet. Kurse si vend i tretë shkon më tej Sllovakia. Dy vendet e para që kualifikohen direkt janë Rumania dhe Belgjika. E veçanta e djeshme e këtij grupi lidhet me rezultatet, pasi të dyja ndeshjet u mbyllën në barazim pa gola, pra 0-0, diçka që favorizoi skuadrat që mbanin më parë vendet e para në klasifikim. Theksojmë se Belgjika do të ketë një short shumë të vështirë në 1/8 e finales, pasi do të përplaset me Francën, një duel thuajse derbi midis dy fqinjëve, një përplasje që ngjan si finale e parakohshme. Ndërkohë, sa i takon grupit F, Portugalia u përplas me Gjeorgjinë, kurse Turqia me Çekinë në një duel direkt për vend të dytë e të tretë. Për turqit gjërat u bënë disi më të thjeshta pasi që në minutën e 20-të çekët mbetën me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Barak. Pjesa e parë mbyllet 0-0. Në pjesën e dytë turqit shënuan me anë të Calhanoglu. Gjithsesi, çekët nuk u dorëzuan dhe barazuan shifrat në të 66’ me anë të Suçek. Ata u përpoqën ta përmbysin ndeshjen, pornë minutën e 4-t shtesë Tosun shënoi në kundërsulm dhe bëri që Turqia të fitojë 2-1 dhe të kualifikohet. Ndërkohë, mbrëmë surprizë e madhe ishte Gjeorgjia, e cila luajti me shumë dinjitet ndaj Portugalisë dhe fitoi 2-0, duke shkuar në 4 pikë dhe kualifikohet si vend i tretë. Ndeshjet me eliminim direkt në fazën e 1/8 e finales do të nisin më 29 qershor. Duhet theksuar se në këtë fazë të parë të Europianit, pra atë të grupeve, surprizë ishin disa skuadra si Gjeorgjia, Austria që mori keun në grupin e saj, Sllovakia si vend i tretë në grupin e saj, ndërsa mbetën jashtë të gjitha skuadrat që ishin në një grup me Shqipërinë në eliminatoret e Europiani. Pra mbeti jashtë Shqipëria, Polonjia dhe Republika Çeke. Pas kësaj faze, skuadra që bindi më shumë ishte Spanja, që mori tri fitore në tri ndeshje dhe ishte e vetmja që e mbylli grupin me 9 pikë, ndaj edhe është favorite kryesore e Europianit.
Ndeshjet 1/8 e finales
29 qershor
Gjermani-Danimarkë
Itali-Zvicër
30 qershor
Spanjë-Gjeorgji
Angli-Sllovaki
1 korrik
Portugali-Slloveni
Francë-Belgjikë
2 korrik
Rumani-Holandë
Austri-Turqi