Nga Julia Vrapi
Pas raportit të UNESCO-s për Butrintin, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) doli një ditë më parë me një qëndrim publik. UNESCO publikoi raportin e fundit mbi parkun kombëtar arkeologjik të Butrintit në vendin tonë, duke analizuar rreziqet, si edhe duke kërkuar sërish përcaktimin e kufijve të sitit. Në projektvendimin e fundit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore (UNESCO) për Butrintin lihen edhe një sërë detyrash që MEKI do të duhet të realizojë brenda fillimit të vitit të ardhshëm, për të cilat ministria bën me dije se ka filluar puna për plotësimin e tyre. Por MEKI një ditë më parë shprehu se janë përhapur edhe disa të pavërteta. “Ata që prej shumë kohësh kanë përhapur në shqip dhe anglisht disa të pavërteta, ndonjë të vërtetë të nxjerrë jashtë konteksti dhe shumë gjysmë të vërteta, duke shpresuar kthimin e Butrintit në të kaluarën e vet të errët të Listës së Pasurive Botërore në rrezik, kanë plotësisht të drejtë të ndihen të zhgënjyer pas publikimit të projekt-vendimit të QTB në fillim të javës së shkuar. Dokumenti që do t’i përcillet Komitetit të Trashëgimisë Botërore për t’u kthyer në vendim zyrtar, bazohet në analizën e detajuar të UNESCO-s për punën e MEKI-t dhe partnerëve të saj në studimin, konservimin, administrimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Butrintit, si dhe plotësimin e rekomandimeve të ICOMOS-it. MEKI si përfaqësues i shtetit shqiptar në Konventën e Trashëgimisë Botërore e gjen projekt-vendimin dhe raportin analitik të tij si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt”, thuhet nga MEKI. Më tej në qëndrimin publik të MEKI-t thuhet se aty, jo vetëm që nuk evokohet e shkuara problematike e Butrintit, por përkundrazi, shihet nga e ardhmja duke vlerësuar bashkëpunimin e shtetit shqiptar me QTB për diskutimin e propozimeve zhvillimore në pasurinë botërore dhe peizazhin e saj të mbrojtur. “Mirëpriten studimet shkencore dhe ato të ndikimit mbi pasurinë kulturore që i paraprijnë projekteve zhvillimore, progresi i bërë drejt formulimit të instrumenteve të nevojshëm për konservimin dhe administrimin e Butrintit, progresi i bërë në përditësimin e planit të veprimit dhe mirëpërgatitjen e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit për zbatimin e tij”, thuhet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Një strukturë bashkë me ministrinë e Turizmit për administrimin
Në vijim të qëndrimit publik mbi raportin e UNESO-s, MEKI thotë se gjithashtu, aty mbështeten përpjekjet e saj për krijimin e një strukture të përbashkët me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për administrimin e gjithë parkut kombëtar si një i tërë, si dhe punën e nisur për thjeshtëzimin e sistemeve mbrojtëse të nën-zonave përbërëse të tij. “Në projekt-vendim lihen edhe një sërë detyrash që MEKI do të duhet të realizojë brenda fillimit të vitit 2025. Ne ndajmë të njëjtin mendim me UNESCO-n për këto detyra dhe kemi filluar menjëherë nga puna për plotësimin e tyre, pasi i konsiderojmë si themelore për sigurimin e mbrojtjes, zhvillimit dhe përballimit të sfidave të ardhshme mjedisore, klimatike, shoqërore dhe ekonomike të Butrintit”, thuhet nga MEKI. Gjithashtu, me qëllim shpeshtimin e komunikimit dhe forcimit të mëtejshëm të koordinimit me UNESCO, bëhet me dije se është formuar një ekip i posaçëm ekspertësh dhe specialistësh me përvojë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. “Fokusi i këtij ekipi është procesi i vazhdueshëm i informimit reciprok, dialogimit dhe koordinimit cilësor me UNESCO-n dhe me palët e tjera të interesit, si dhe përkthimin e rezultateve nga ky proces në linja pune të bashkërenduar me ministritë e linjës, bashkitë, partnerët dhe komunitetin”, thuhet nga MEKI.
Takimi në Paris
Së fundmi, është përcaktuar dhe një agjendë takimesh për thellimin e bashkëpunimit, duke filluar nga takimi i radhës sot në Paris mes përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s dhe ministrave të MEKI dhe MTM, së bashku me ekipet teknike përkatëse. MEKI shprehet se ky takim do t’i paraprijë sesionit nr. 46 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në New Delhi, Indi, që do të mbahet në datat 21-31 korrik 2024. UNESCO vëren se katër janë faktorët që mund të ndikojnë mbi Butrintin në vitin 2024: ndërtimet, aktivitetet e jashtëligjshme, ndikimi i turizmit dhe plani i menaxhimit ose sistemet e menaxhimit. Më 4 tetor 2023, Qendra e Trashëgimisë Botërore ftoi shtetin palë, Shqipërinë të dorëzonte një raport mbi gjendjen e ruajtjes së Butrintit.