Nga Ivana Tomço
Të gjithë kemi brenda vetes idealet tona, disa prej të cilave, themelore. Ato janë: drejtësia, liria, e vërteta, e bukura. Më pas vijnë idealet e përveçme, midis të cilëve njëri na udhëheq më shumë se të tjerët. Ai është ideali kryesor, i cili duhet të mbetet si një yll, i paarritshëm, por që ndriçon rrugën tonë. I domosdoshëm për t’u formuar, ashtu si duam të jemi dhe ashtu si duam të na shohin. Ai na lejon të duam veten e t’i bëjmë të tjerët të na duan. Për sa kohë jemi të vetëdijshëm për hendekun midis idealeve dhe realitetit, gjithçka shkon mirë. Idealet tona mbeten yje, të paarritshëm, por ndriçues. Por ai më i ndritshmi na orienton pa e kuptuar dhe na tregon vokacionin, shfaqet me më shumë forcë kur për njëfarë kohe mposhtet dhe ne gjejmë mënyra për ta jetuar: në punë, në pasionet tona…etj. Ideali i preferuar është përgjithësisht ai që është lënduar ose mbivlerësuar nga ne në të shkuarën. E që ky i fundit të vazhdojë të na mobilizojë e t’i japë jetë ekzistencës sonë, ai duhet të mbetet një synim. Ne bëhemi njësh me idealin që kemi në zemër. Dhe kur ky i fundit gjen terrenin dhe mbështetjen e duhur, gjithçka është e mundur. Ideali dhe ëndrra ime e 15 viteve të fundit, ka qenë ta shihja edhe njëherë Radio Televizionin Publik Shqiptar të madh. Ashtu siç e pashë dhe e jetova në ato vite të bukur të nisjes së misionit dhe rrugëtimit tim në media, për të cilin isha e sigurt që do të ishte i gjatë. E dija, sepse e doja punën e përkthyesit dhe gazetarit qysh herët. E dija sepse vura në shërbim gjithë energjitë dhe shpirtin tim për të bërë më të mirën e për t’u evidentuar, duke punuar fort e duke jetuar bukur. Por ashtu siç thonë rëndom…te gjitha gjërat e bukura të kësaj bote qenkan efemere. Ato vetëm sa na prekin dhe ikin… Kështu dalëngadalë, jo për fajin tonë, përjetuam një ëndërr të keqe…e cila zgjati jo pak…Për faj të politikës, por jo vetëm. Për faj të injorancës, të cilën po e ujisnim dhe ushqenim dita ditës vetë…duke heshtur…duke duruar, duke mos reaguar në kohë. Të gjithë jemi fajtorë të një degradimi të pafalshëm të medias publike, e cila në fakt duhet t’i jepte tonin shoqërisë, duhet të edukonte shijet, që të mos mbërrinim në realitetin e sotëm!!! Ndoshta, nuk e kishim mundësinë, pasi realiteti nuk ofronte alternativa…Por sot, të gjithë duhet të realizojmë ëndërrat dhe idealet tona. Duhet t’u mundësojmë fëmijëve tanë një botë më të mirë. Radio Televizioni i sotëm është më i bukur se i djeshmi. I nesërmi do të jetë dyfish më i bukur. Unë do të punoj çdo ditë për një Televizion Publik më të mirë, duke shfrytëzuar njohuritë dhe eksperiencën time. Do të përpiqem bashkë me kolegët t’i mposhtim vështirësitë reale dhe ato që na fabrikojnë ata që nuk janë dhe nuk mendojnë si ne. Edhe të atyre që nuk duan të jenë si ne. Kjo, sepse kemi tashmë drejtimin e duhur. Unë do të përpiqem me mish e me shpirt t’i jap realitetit ngjyrat e idealit tim!