Nga Dhimitër Shtëmbari
Sikur ta “ftonim” Hipokratin, mjekun e famshëm grek të shekulit IV para Krishtit, që të na thoshte ndonjë vlerësim, qoftë edhe fare të shkurtër, për mjekët që shërbyen në Lushnje viteve 70 – të, 80 – të dhe 90 – të, besojmë, dhe besojmë fort, se do të na përgjigjej: të gjithë ishin mjekë të shkëlqyer. Humanistë. S’e njihnin korrupsionin. Dhe, duke cituar një pjesë nga “betimi” i vet, Hipokrati do të na “thoshte”: mjekët e atyre viteve në Lushnje “Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek ata asnjëherë s’ndikoi përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e rracës, e politikës, apo e përkatësisë klasore”. Vërtet nuk kanë fotografi gjëkundi, qoftë edhe emrin të shënuar në murin e ndonjë pavioni të spitalit, megjithatë ata kanë mbetur “buste” në kujtesën e mijëra qytetarëve myzeqarë e shumë më gjerë. E kush s’ruan respekt për të përkushtuarin Prrenjo Ymeri e të papërtuarën Vasilika Ymeri; për duarartin Skënder Hoxha e zemërdhimbsurën Nyrten Hoxha; për humanistin Ilmi Deliallisi dhe zemërngrohtin Ismail Nova, për gojëëmblën Afërdita Turku e për të palodhurit Viktor Zegali e Kol Prifti, për … Duke u kërkuar falje këtyre figurave dhe shumë mjekëve të mrekullueshëm të një brezi më të ri, le të merremi, shkurt, vetëm për tre nga emblemat e spitalit të Lushnjes.
Dr. Ihsan Çabej
Emri i mjekut Ihsan Çabej është më i lakuari në gojën e njerëzve të të tri brezave. Sepse ky u shërbeu myzeqarëve të Lushnjes nga viti 1953 e deri në vitin 1992, vit kur doli në pension.
– Doktor Çabej, kam një hall shumë të madh!…
Ky që i lutej ishte një mesoburrë, që i kishte zënë pritë mjekut teksa ky po kthehej prej spitalit atë ditë të ftohtë dimri.
– Çfarë halli ju ka zënë?! – iu drejtua doktori.
– Kam kunatën në Toshkëz, që është shumë e sëmurë. S’lëviz dot nga vendi!
Mjeku e shikoi me një ndjenjë keqardhjeje, por nuk arriti t’i kthente ndonjë përgjigje, sepse ai që i kishte prerë rrugën, vazhdoi:
– Puna është se e sëmura ju kërkon pikërisht ju. “Mos më bini doktor tjetër, na thotë; vetëm doktor Çabejn më sillni këtu…”. Ka besim vetëm te ju.
I qetë prej natyre, doktori i hodhi sytë andej nga kishte ardhur dhe…
– Çështja është se ambulanca jonë s’dihet se kur kthehet nga Tirana…
– Për këtë, i kam marrë masat: ja ku është taksia.
Dhe të dy u drejtuan drejt mjetit që i priste.
– Po këto, çfarë i ke?! – i drejtohet doktori atij që e shoqëronte.
– Janë çisme. Mbase do t’ju duhen atje, se shtëpia e të sëmurës është pak larg qendrës së fshatit.
Mbas kësaj bisede, taksia u nis drejt shtëpisë së të sëmurës.
Doktor Çabej ta lexonte diagnozën në sy.
Dr.Ihsan Çabej, djalë i Gjirokastrës, student i Universitetit të Bolonjës, falë punës së tij të ndershme u bë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. U bë dhe mbeti edhe Qytetar Nderi i Lushnjes.
Dr. Qirjako Lezho
Rasti e solli që kirurgun Arqile Andrea – Profesor doktor, ta kisha mysafir në shtëpi. Në bisedë e sipër, fjala shkoi edhe te kirurgu me emër i Lushnjes, Qirjako Lezho.
– Atë e hëngri provinca, se po ta kishin lënë mjek këtu në Tiranë, ku pat qenë nëndrejtor spitali, do të kishim një Qirjako tjetër. Flas për nga profesioni.
Dhe Prof. Arqileja (ndjesë past!) vazhdoi: Dikur më thërresin në drejtorinë e spitalit këtu në Tiranë dhe më njoftojnë, se duhej të nisesha urgjent për në Lushnje. Atje paraqitej një rast i veçantë: kërkohej të bëhej një ndërhyrje kirurgjikale në trupin e një djali të ri, rreth të njëzetave. Mora detyrën dhe nuk u vonova të nisesha. Mendimi më i parë më shkoi te doktor Qirjakoja. E ç’mund të bëja unë më shumë se sa ai në një rast të tillë? Arrita në Lushnje dhe… drejt e në spital. Doktor Qirjako më priste. Ma tregoi hollësisht rastin në fjalë dhe…”. Veproni si ta gjykoni ju” më drejtohet. “Ju, së bashku me ekipin, a e merrni përsipër këtë operacion, që, të themi të drejtën, është pak i ndërlikuar?”. I thash këtë dhe, të them të drejtën, më zuri një mëdyshje: një mjek i zakonshëm, në një rast të tillë do të pranonte të ishte larg ndonjë telashi të mundshëm dhe do të mund të thoshte: “Merreni dhe operojeni në Tiranë”. Në çast dëgjova të më thotë: ekipi im kirurgjikal e merrë përsipër këtë operacion, veçse duhen bindur familjarët, që kërkojnë me çdo kusht që i sëmuri të niset për në Tiranë. Folëm me familjarët, i bindëm ata dhe operacioni u krye siç dinte mjeshtri Qirjako. Biri i nderuar i Sheperit të Zagories, Qirjako Lezho rininë e kaloi në Peqin, ku i ati punonte gjykatës. Në po këtë qytet doli partizan, madje kuadër i rëndësishëm i batalionit partizan të këtij qyteti.
Dr. Vasil Kuli.
Mjeku Vasil Kuli, i specializuar për sëmundjet e zemrës, në pamje të parë të jepte përshypjen e një aristokrati hijerëndë. Si edhe mjekët e tjerë, edhe doktor Kuli vihej në pozitë të vështirë në qytet: sapo shitëset shikonin një mjek në mesin e atyre që kishin përpara, menjëherë u drejtonin buzëqeshje dhe… “doktor, mos dëshironi të bleni diçka?” Edhe njerëzit e gjendur aty për rreth shprehnin të njëjtin respekt. Pranonin që ata të merrnin “pa radhë”, sepse e kuptonin që edhe ata u shërbenin “pa radhë”, ditën dhe natën. Erdhi një kohë, aty nga viti 1974, që disa mjekë specialistë të spitalit t’i qarkullonin nga qyteti në fshatra! Dr. Vasil Kulin e dërguan në Gradishtë. Një pasdite ktheheshim nga Remasi për në Lushnje. Teksa bisedonim me kryetarin e kooperativës bujqësore të Gradishtës, na afrohet doktor Kuli.
– A keni ndonjë vend deri në Lushnje?
– Posi, madje kemi dy vende.
Ndërkohë që shkon drejt makinës, dikush i afrohet pranë dhe…
– Doktor, e kam nënën shumë të sëmurë.
Dhe nisi t’i tregonte shënjat e sëmundjes.
– Mos vazhdo më tej! Po vij ta vizitoj në shtëpi.
Mori çantën që e kishte futur në makinë dhe i bëri shenjë tjetrit që ta shoqëronte.
– Doktor, po ju presim, – i drejtohemi.
– Vazhdoni rrugën, se nuk i dihet punës sime…
Na përshëndeti dhe mori rrugën për në Fier – Seman.
Rrugës për në Lushnje, shoku që kisha në makinë, më drejtohet:
– E po, do të kisha vdekur pa e njohur mirë këtë doktor…
– Përse flet kështu?!
– Duke e njohur nga larg, më ishte krijuar përshtypje se ishte moskokëçarës.
Dr. Vasil Kuli është babaj i Prof. Rexhinës, drejtoreshës së mirënjohur të Pediatrisë në Spitalin “Nënë Tereza” të Tiranës.
Për mjaft nga mjekët e ditëve të sotme nuk e kemi të lehtë t’i përgjigjemi pyetjes: kanë zgjedhur rrugën e Hipokratit, apo atë të hipokritit?!