Elmas Bogdani
Kryeministri Edi Rama ka dhënë ditën e djeshme disa mesazhe shumë të forta. Gjatë konferencës për të drejtën e Informimit, kreu i qeverisë u tregua kritik përsa i takon zbatimit të legjislacionit mbi transparencën në vend. Rama si rrallë herë uli tonet me mediat duke iu doli krah gazetarëve për pjesën nxjerrjen e dokumenteve të caktuara zyrtare. Rama tha se asnjë sekret hetimor nuk mund të bëhet publik nga gazetarët nëse prokuroret e ruajnë atë. Duke u ndalur te rasti i gazetari Elton Qyno, apo dhe disa raste të tjera në kohën e pandemisë së COVID-it, kryeministri Rama u shpreh se nëse një sekret hetimor i tillë iu bie në dorë gazetarëve, duhen hetuar ata që ua dhanë këto informacione, duke ‘shigjetuar’ kështu prokurorët. “Sekreti hetimor është diçka tjetër. Përfitoj nga rasti të falënderoj Avokaten e Popullit, me një rast të një gazetari i cili u akuzua dhe u keqtrajtua për nxjerrje të sekretit hetimor. Ka ndodhur edhe gjatë pandemisë së COVID kur prokuroria ju vu mbrapa ca gazetarëve dhe për mua gazetarët nuk nxjerrin sekrete hetimore. Pasi gazetarët nuk i deponojnë sekretet, i disponojnë prokurorët. Kur i bie në dorë sekreti gazetarit, nuk është më detyrimi i tij të ruajë sekretin. Dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por drejt atyre që ia dhanë atij. Kjo është elementare. Që në Kanun shkruhet e zeza në të bardhe ‘Lajmësi nuk ka faj’, kush e prodhoi ose kush ja dha që ta çoj diku tjetër, pra te burimi, me atë duhet të merresh. Informacioni, mbi gjithçka që institucionet publike bëjnë dhe mbi gjithçka që ekzistojnë në letër në vulë në firmë, dhe që nuk përfshihet në një hapësirë të ngushtë, është pronë publike që shteti nuk ka as një të drejtë t’ja mohojë qytetarëve”, u shpreh Rama.
Rama thirrje SPAK të hetojë administratën e korruptuar
Mesazhet e Ramës nuk u ndalën vetëm në konferencën për të drejtën e Informimit. Kreu i qeverisë mblodhi pasditen e djeshme grupin e PS, ku shprehu mbështetjen për drejtësinë. Rama i bëri thirrje SPAK dhe prokurorive të zakonshme që t’i japin fund pjesë së zezë të administratës (korrupsionit) që e cilësoi një turp kombëtar. “Progresi i bërë është shumë i rëndësishëm për të gjithë ata që janë të përfshirë. Nëse shohim diagnozën, ka një të vërtetë shumë të madhe, se sa nevojë ka akoma për të garantuar një shtet që është dhe mekanizëm i harmonizuar dhe që subjektiviteti njerëzor të gjejë shumë më pak hapësirë për të ndërhyrë dhe për ta ofruar korrupsionin si alternativë për ata që duan të marrin nga shteti shërbimin e etj. Për ata që tundin këmbën dhe dua mundësi të shfaqen, është puna e tyre. Puna jonë është për të shtyrë përpara këtë proces. Bëhet fjalë për të ndërtuar makinerinë shtet që Shqipëria s’e ka pasur kurrë, por mund ta ketë brenda këtij 10-vjeçari, nëse bashkohet me aftësi të gjithë agjendës së përcaktuar nga diagnoza. Nuk është rastësi emri që ne i kemi vënë komisionit. Na ka dhënë shumë kuroja screening se na ka dhënë mundësi të shohim se sa potencial kemi. Shqipëria kë një administratë publike, që ka një pjesë të bardhë të rëndësishme ka dhe një pjesë të zezë, me të cilën sot shumë e shumë më tepër se dje, merret drejtësia. Falënderoj prokurorët e SPAK dhe të tjerë në prokuroritë e zakonshme, të bëjmë sa më shumë për ta zvogëluar atë pjesën e zezë që është një turp kombëtar. por ama pjesa e bardhë e administratës nuk është opinion”, tha Rama.
Kapja e SPAK
Po ashtu Rama qartësoi sërish se Komisioni Anti-Korrupsion nuk është ngritur për të prekur Reformën në Drejtësi e as për të kapur Prokurorinë e Posaçme por për të koordinuar punën e një skuadre të tërë, me qëllimin e përbashkët të integrimit në Bashkimin Evropian. “Kush e garanton popullin shqiptar, kush e garanton shtetin shqiptar që gjithë kjo masë institucionesh që është detyrimisht pjesë e kësaj skuadre kombëtare, do të luajë si skuadër Kush ia jep garancinë Shqipërisë që në tryezën e negociatave nuk do të ketë disa lojtarë që do shkëlqejnë, disa lojtarë që do ia hedhin fajin shokëve dhe disa lojtarë që do paraqesin raport për mos paraqitje në ndeshje, sepse janë institucione e pavarura. Kush i kërkon llogari? Qeveria? E pamundur. Ka vetëm një institucion sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku mund të kërkohet llogari për këdo, kurdoherë; Kuvendi”, tha Rama.
Thirrja për opozitën
Opozitës që e ka bojkotuar Komisionin Anti-Korrupsion, Rama i shtrin sërish dorën e bashkëpunimit, me një garanci të shtuar, atë të ndërkombëtarëve. “Në çdo moment që do duan të ulen në atë tavolinë dhe t’i sjellin aty të gjitha idetë që kanë për si luftohet korrupsioni, të gjitha idetë për si luftohet krimi i organizuar, të gjitha idetë që kanë për si luftohet për ta bërë Shqipërinë më të sigurt, më kompetitive, më europiane, t’i sjellin aty dhe pa asnjë paragjykim dhe pa asnjë diskutim çfarë është pozitive dhe çfarë është e dobishme dhe çfarë është e vlefshme do të qëndrojë aty sepse gjëja e mirë e kësaj pune është që kjo punë është një punë që kur të shkruhet në çdo kapitull të vetin, në çdo faqe të vetën do duhet të certifikohet nga partnerët tanë, nga Bashkimi Europian dhe patjetër dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Rama. Por nëse Partia Demokratike sërish refuzon ftesën e tij, Rama urimin e ka gati. “Ata që nuk duan ta kuptojnë sepse duan ta kuptojnë, nuk i ndihmojmë dot dhe nuk i shqetësojmë në aktivitetin e tyre të padobishëm. Të vazhdojnë punën e tyre”, tha Rama.