Elmas Bogdani
Pasi mori zyrtarisht vulën dhe logon e Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë disa lëvizje që kanë ndezur sherrin në Partinë Demokratike. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se kreu i PD ka çuar Gazment Bardhin në vend të Luan Baçit si drejtues qarku në Fier. Ky vendim i Berishës është pritur shumë keq nga Z.Baçi, i cili ndryshe nga Bardhi me disa deputetë që i solli nga tradhtia që i bënë Lulzim Bashës i ka qëndruar besnik ish-kryeministrit që nga shpallja e tij “non grata” nga amerikanët. Berisha nga ana tjetër është vendosur me “shpatulla pas muri”, pasi ishte Bardhi me grupin e tij që i dhanë një dorë për të marrë partinë. Bardhi me deputetët e tij, madje punuan në prapaskenë për koalicionin e “non gratave” gjatë zgjedhjeve të 14 majit. Ata hoqën dorë nga bindjet e nga qëndrimet e mëparshme, duke u larguar nga ana kundërshtare, duke u shndërruar në një bandë renegatësh, por që tashmë po përballen me kundërshti nga besnikët e Sali Berishës, të cilët duan postet më të mira si shpërblim i besnikërisë së tyre. Gazeta e ka thënë shpesh herë se Bardhi dhe grupi i tij kanë kërkuar pazar për zgjedhjet e 2025, që të jenë ata të parët në listat fituese të PD. Por sherri që ka shpërthyer nga kjo lëvizje mes Bardhit dhe Baçit tregon se lufta për poste në PD pritet të shpërthejë në sipërfaqe shumë shpejt. “Ëndërr” në sitar Bardhi ka dhe marrjen e kreut të PD. Gjithçka varet nga vendimi i SPAK, pasi nëse Berisha dënohet, drejtimin e PD duhet ta marrë dikush tjetër. Sherri është ndezur që tani, pasi Berisha po kërkon që të vendosë vajzën e tij në krye të selisë blu.
Prapaskenat
Por kjo po kundërshtohet nga grupet rivale që janë krijuar në PD. Mësohet se grupet dhe klanet brenda kësaj partie vijojnë me të njëjtin intensitet përballjen e nëndheshme me njëri-tjetrin. Janë 4 grupe të fuqishme që dominojnë jetën politike të PD, ndërsa grupi i pesti është në gjendje latente më shumë e shërben si “enë komunikimi” me grupet e tjera në funksion të një ekuilibri të brishtë në PD, çka në një moment delikat ai mund ta shfrytëzojë situatën për të marrë kontrollin e partisë. Kjo do të thotë se në kushtet kur Londra dhe Uashingtoni i mbyllën Sali Berishës derën e bashkëpunimit, në lojë kanë hyrë klanet, veçanërisht katër prej tyre. Pra si grupi Bardhit, i cili duhet theksuar se iu bashkua Berishës me synimin për t’i marrë partinë, ashtu edhe tre klanet e tjera Noka, Boçi dhe Këlliçi, që ndonëse bëjnë sikur janë besnikë të kreut të PD, në thelb kanë mision për t’i “ngrënë kokën” ish-kryeministrit. Kështu që nisur nga situata aspak premtues dhe e ardhmja e zymtë që e pret Sali Berishën, madje edhe vajzën e tij, Argitën, pasi janë të dy të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Anglia, emrat e sipërpërmendur po presin t’i japin goditjen finale kreut të Partisë Demokratike.
Çfarë e pret PD nëse i var shpresat tek Berisha?
Situata nuk duket e mirë dhe këtë e tregoi edhe ambasada e SHBA. Amerikanët i dhanë një “shuplakë” të fortë Berishës pak javë më parë dhe gjithë atyre që i shkojnë pas “non-gratës” se duhet ta mendojnë edhe një herë hapin që po hedhin dhe të kenë kujdes marrëdhëniet me të sanksionuarit nga SHBA, ku në këtë rast përfshihet edhe Argita Malltezi. “Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”, deklaron Ambasada. Ky reagim “bombastik” paralajmëron PD se nëse mbështesin Sali Berishën dhe Argita Malltezin do të përballen me sanksione. PD e gjitha “non-grata” Por nënteksti i reagimi të ambasadës amerikane për gazetën “SOT” është i qartë si për Sali Berishën edhe për grupimin e tij: Mjaft luajtët me dy porta, ose me ne ose me atë që ne e kemi shpallur simbol të korrupsionit dhe minimit të demokracisë shqiptare! Qëndrimi për Berishën u përforcua, pasi fati i tij i zi është vulosur me kohë në SHBA.