Nga Xhoana Vraniçi
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu tha dje se skandali tek spitali Onkologjik në QSUNT është edhe më i rëndë se ajo që ka zbuluar Prokuroria e Tiranës. Ai tregon se kishte bërë një audit në 2022 rreth situatës në këtë spital, ku zbuloi një numër të madh shkeljesh dhe kryesisht edhe për rastin e aparatit të kobaltit që ishte kallëzuar në prokurori sipas ligjit, e cila u la nga viti 2021 jashtë çdo standardi në ambiente të papërshtatshme pavarësisht rrezikut real të jetës së shumë njerëzve. Por pavarësisht raportit të KLSH-së, nuk pati asnjë reagim nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë apo institucioneve të tjera.
KLSH thirrje të ndërhyjë SPAK
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu tregoi se nga auditimet që po mbyllen në sistemin shëndetësor publik, situata është aspak e mirë jo vetëm tek Onkologjiku gjë që nënkupton se problemi është më i thellë dhe përfshin sistemin dhe jo vetëm disa mjekë, siç po përpiqet Rilindja ta cilësojë. Kërkesa e kreut të KLSH për ta hetuar SPAK, nënkupton gjithashtu se skandali përfshin zyrtarë institucionesh deri në rang ministrash, gjë që është kompetencë e SPAK-ut, dhe nuk është thjeshtë përgjegjësi mjekësh. “Jemi në kushtet kur ne kemi konstatuar një sërë problematikash gjatë auditimeve, sepse dua të theksoj këtu që janë kryer disa auditime dhe do të kryhen disa auditime, pjesë e të cilëve është edhe trajtimit te spitali Onkologjik. Dhe njëkohësisht dua t’iu them me përgjegjësi të plotë se jemi në një lloj trajtimi të thelluar qoftë në audimit për ato procese që janë të papërfunduara, njëkohësisht jemi në një trajtim të thelluar juridik për ato raste të cilat janë të përfunduara. Dua t’iu bëj me dije se trajtimi i problematikave në spitalin Onkologjik, pavarësisht rëndësisë që ka është vetëm një pjesë e segmentit të situatës reale”, tha kreu i KLSH-së. Por Arben Shehu thotë se kjo dosje me gjetje konkrete duhet hetuar nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Tiranës. “Problematika për fat të keq është më e madhe dhe ne kemi qenë të detyruar dhe jemi të detyruar që të ndërthurim përgjegjësitë jo vetëm të një institucioni, për të nxjerrë në pah një tablo të plotë të të gjithë situatës në këtë drejtim. Dua t’iu theksoj se është shumë e rëndësishme që pavarësisht vlerësimit për punën e bërë nga ana e Prokurorisë jemi të mendimit dhe kemi diskutuar në mënyrë të padiskutueshme se kjo është një kompetencë e Prokurorisë Speciale për shkak të përcaktimeve që ka në ligj dhe për shkak të rëndësisë që ka problematike që ne do ta bëjmë publike në vijim”, tha kreu i KLSH-së, Arben Shehu.
Çfarë zbuloi raporti i KLSH?
Raporti i Kontrollit të Lartë të shtetit e ka zbuluar disa vite më parë atë që ndodhte në spitalin Onkologjik, por asnjë prej institucioneve nuk denjoi që ta merrte parasysh. Ky raport tregon se Ministria e Shëndetësisë ishte në dijeni për atë që ndodhte te Onkologjiku, por mbylli sytë dhe la mjekët të bënin pazar me jetët e pacientëve, duke u hequr ilaçet për t’i shitur te farmacitë private, që më pas të bënin pushime në Maldive e Tajlandë. Në këtë raport tregohen shkeljet mjekëve dhe drejtuesve të Spitalit Onkologjik, që nga mbushja e recetave për pacientë që kishin ndërruar jetë, deri te mosplotësimi i asnjë recete për pacientët e tjerë, të cilët i privonin nga ilaçet që i mbajnë në jetë. “Pavarësisht aksesit të kufizuar në informacion, nga grupi i auditimit janë detajuar procedura thelbësore shtesë auditimi bazuar në aksesin manual në sisteme dhe kryqëzimin e të dhënave. Konkretisht, për mjekë të caktuar të cilat kanë rezultuar në gjeneruesit më të lartë të rimbursimit sipas rajoneve përfaqësuese dhe kritereve të tjera të riskut nga ana jonë, kemi kryer shkarkimin manual të të gjithë pacientëve të këtyre mjekëve sistemit AHIS. Nga ana tjetër janë analizuar recetat e përmbledhura sipas çdo pacienti për të cilët këto mjekë i kanë lëshuar referuar sistemit të recetës elektronike e-Rx. Në vijim janë kryqëzuar të dhënat e pacientëve përfitues të rimbursimit me pacientët në përgjegjësi të mjekut sipas sistemit AHIS, nga ku ka rezultuar që një pjesë e pacientëve përfitues nuk janë pjesë e mjekut që ka gjeneruar recetën. Kjo mund të ekzistojë për arsye se pacientët e ndryshojnë mjekun të paktën një herë në vit sipas kërkesës së tyre kur kjo miratohet, si dhe ekziston risku që këta pacientë të jenë regjistruar vetëm për të përfituar rimbursimin dhe më pas nuk gjenden më në regjistrin e të siguruarve AHIS. Nga ana tjetër, për këto mjek janë krahasuar ID të përfituesve me ID të pacientëve që kanë ndërruar jetë sipas informacionit të përcjellë nga DPGJC nga ku kanë rezultuar 30 raste të cilat janë evidentuar gjenerimi dhe ekzekutimi i recetave për pacientë të cilët kanë ndërruar jetë, gjë që na përcjell në konkluzionin e përfitimit të padrejtë të rimbursimit”, thuhet në auditin e KLSH-së.
Skandali
KLSH tregon se si mjekët e Onkologjikut plotësuan në të paktën 30 raste receta me ilaçe të rimbursueshme për pacientë që kishin ndërruar jetë. “Nga auditimi konstatohet se për kategoritë me rimbursim të pjesshëm dhe kategorinë pensionistë, janë gjeneruar dhe ekzekutuar më shumë se tre barna për recetë, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në VKA nr. 34 datë 12.12.2019 “Për miratimin e rregullores nr.1 datë 12.12.2019 mbi procedurat e përshkrimit, gjenerimit, ekzekutimit, kontrollit dhe rimbursimit të recetës elektronike e-Rx” ku përcaktohet se “Pika II.9 “Në recetat me rimbursim të pjesshëm dhe ato të kategorisë “pensionist” do të lejohen deri në 3 barna për recetë”… Mbi gjenerimin e recetave për të njëjtin pacient nga më shumë se një mjek dhe/ose në DRF të ndryshme përgjatë periudhës objekt auditivi Nga auditimi janë konstatuar raste kur për të njëjtin pacient ekzistojnë receta nga më shumë se një mjek dhe qendër shëndetësore përkatëse, duke vendosur në dyshim procesin e rimbursimit të këtyre recetave dhe ekzistencën e pacientit referuar regjistrit elektronik të të siguruarve”. Por, përderisa mbushnin recetat e pacientëve të vdekur, të tjerët që luftonin për jetën me sëmundjen e rëndë liheshin në mëshirë të fatit, pasi Spitali Onkologjik nuk kishte një Sistem Regjistri Elektronik, çfarë do të thotë se nuk dihej numri i pacientëve me kancer, sa kohë kishte që trajtoheshin apo si duhej të ndryshohej trajtimi i tyre me ilaçe.
Rimbursimi
Gjithashtu, KLSH në auditin e bërë tregon mungesën e disa barnave të domosdoshme. Kjo mungesë sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka ardhur për shkak të mungesës së evidentimit të daljeve nga recetat pa rimbursim, çfarë sjell mungesën e dijenisë mbi sasinë e barnave të mbetura në depo. “Nga auditimi i dokumentacionit të dosjeve të raport kontrolleve të plota me inventarizim për vitet 2021 dhe 2022, në subjektet “Medigreen”, “Bio Plus”, “Geni Lori”, “Gega”, “Joger”, “Juli’s”, “Nacional”, “Kamel Farma”, “Fatjona”, “Boçi”, “Amelia”, “Mirçe”, “Toni”, “Well Pharma”, “Gledis” dhe “Eva Farma”, nga SKF dhe DRF Tiranë, kanë rezultuar se nuk është bërë tërheqja e recetave pa rimbursim për barnat e rimbursueshme në kundërshtim me pikën 12, Kapitulli 1, të Rregullores nr. 3, datë 22.10.2014. Konkretisht, nga grupet e kontrollit nuk është plotësuar pika 18 e DU4 dhe DU6, duke mos reflektuar sasitë e barnave nga recetat pa rimbursim. Mungesa e evidentimit të daljeve nga recetat pa rimbursim, nuk reflekton saktë gjendjen e mbartur të barnave të përzgjedhura për inventarizim dhe rrjedhimisht krahasimin e tyre me gjendjen fizike të konstatuar nga ana e grupit të inspektimit. Mos marrja në konsideratë e efektit të këtyre daljeve, sjell pasoja në mungesën e evidentimit të diferencave në plus në inventarizim, të cilat janë objekt penaliteti deri në zgjidhjen e kontratës, referuar parashikimeve të kontratës F2020 dhe F2021”, raporton KLSH.