Edi Rama “shkarkon” Belinda Ballukun dhe paralajmëron administratën se do ngrejë më shumë “çarqe” për të kapur të korruptuarit, priten lëvizje drejtorësh
Rigels Seliman
Zv/kryeministrja Belinda Balluku duket se nuk është më e preferuara e Edi Ramës sa i takon të përkëdhelurve tij në qeveri dhe Partinë Socialiste. Edhe pse shihej si një kandidate e mundshme për të pasuar Edi Ramën në krye të PS, pavarësisht klaneve të tjera brenda partisë, së fundmi raportet mes zonjës Balluku dhe kryeministrit janë ftohur. Pasi i largoi disa drejtorë të rëndësishme që ishin “besnikë” të ministres së Transporteve dhe Energjisë, Belinda Balluku, shefi i qeverisë ka “shkarkuar” edhe zv/kryeministren. Kjo e fundit prej muajsh ka qenë kryeministre në hije dhe çdo vendim e ligj kalonte nga firma e saj. Por së fundmi duket se gjërat kanë ndryshuar, pasi prej datës 12 qershor, frenat e Kryeministrisë e Qeverisë i ka marrë Edi Rama. Zoti Rama u është rikthyer mbledhjeve të qeverisë, ku sipas një vëzhgimi të gazetës deri në mbledhjen e fundit ( 26 qershor) të Këshillit të Ministrave, është ai që ka firmosur vendimet. Pra duket qartë se kemi një krisje të raporteve Rama-Balluku. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, pritet që në ditët në vijim zv/kryeministrja të marrë të tjera goditje, pasi shumë drejtorë të rëndësishme që janë njerëz të saj do të shkarkohen dhe madje disa prej tyre që janë përfshirë në afera do të kallëzohen penalisht në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Megjithatë duhet theksuar se kjo verë apo edhe shtatori të jenë të nxehtë për socialistë, pasi lëvizja e Ramës, tregon se kryeministri iu ka përcjellë një mesazh të koduar të gjithë klaneve të krijuara në Partinë Socialiste, që tentojnë apo guxojnë të ngrenë kokën kundër tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, se i presin ditë të vështira.
Paralajmërimi
Por nuk ndalet me kaq, pasi zv/kryeministrja Belinda Balluku nuk është e vemtja që është bërë me “dhimbje koke”. Kryeministri Edi Rama, nga Dhërmiu ka shigjetuar dje administratën publike në vend, teksa theksoi se qeveria ka ngritur shumë çarqe për të kapur minj në zyrat e shtetit, sikundër i konsideron ai të korruptuarit. Rama tha se secili ka punë e vet për të bërë e llogarinë e tij për të mbajtur. “Fjalë më shumë përditë ka. Baltë më shumë sa të duash. Xhagajdur e maskarenj, nuk mbarojnë, dalin. Minj nëpër zyrat e shtetit, patjetër, por edhe kjo, që kur kapen minjtë, të vësh kujën, që “o po bëhet nami”. Ç’po bëhet nami? Shyqyr që po kapen, më shumë të kapen, për këtë punë kemi bërë gjithë këtë përpjekje dhe për këtë punë përpiqemi. Po minjtë i kap çarku. Prandaj, kemi ngritur e do ngremë edhe më shumë çarqe për të kapur minj. Por nuk mund të rrimë të tërë të të rrokanisemi ditë-natë, se u kapën ca minj aty, u kapën edhe ca minj këtu, tani duhet të ngrihemi të tërë e të merremi t’i biem njëri-tjetrit. Secili ka punën e vetë për të bërë. Secili ka përgjegjësinë e vetë për të mbajtur. Secili ka llogarinë e vetë për të dhënë dhe secili që është në anën e qytetarëve ka llogarinë e vetë për të kërkuar sipas detyrave. Kam dhënë këtë detyrë, ma bëj”, deklaroi dje Rama gjatë ceremonisë në Dhërmi, ku ndau 789 tituj të tjerë pronësie në procesin e përmbylljes së hipotekimit të shtëpive të trashëguara.