Adriatik BALLA
Ditën e djeshme u luajtën dy ndeshje emocionuese në raundin e 1/8 të finales së Kampionatit Europian të Gjermanisë, ku Anglia u kualifikua me shumë vuajtje pas 120 minutash, ndërsa Spanja përmbysi Gjeorgjinë edhe pse u gjend në disavantazh. Momente të bukura por që tregojnë se Anglia ende nuk eshtë ngjitur në lartësinë e kualitetit të saj, të përbërjes së yjeve që ka në grup. Në fakt, dje Anglia ishte një minutë larg mbylljes me turp të aventurës në Euro 2024, por në limitet e ndeshjes, britanikët barazuan ndeshjen ndaj Sllovakisë dhe në fund fituan pas kohës shtesë me rezultatin 2-1. Sllovakët kishin kaluar në avantazh prej minutës së 25 me anë të Ivan Shranz. “Tre Luanët”, provuan gjithçka deri në minutën e 95 teksa u dalën më herët edhe nga shtylla pas një goditje të Declan Rice. Mirëpo, u desh një roveshatë e Jude Bellingham që Anglia të mbetej pjesë e këtij Europiani duke e dërguar kështu ndeshjen në kohën shtesë. Të entuziazmuar në maksimum nga goli në fundin e lojës, britanikët shënuan menjëherë edhe golin e përmbysjes në fillimin e pjesës së parë të kohës shtesë. Harry Kane u gjend i lirë në zonë dhe me gjithë kuadratin e portës në dispozicion, nuk mund të gabonte. Në pjesën e dytë shtesë, Anglia menaxhoi më së miri avantazhin dhe pavarësisht vuajtjes, ia doli të kualifikohej për në çerekfinale aty ku do të përballet me Zvicrën. Sakaq, përfundon në 1/8-tat aventura e Sllovakisë në Euro 2024 që gjithsesi la shenjë sidomos pas kësaj sfide me Anglinë. Sa i takon duelit mes Spanjës dhe Gjeorgjisë mund të thuhet se diferenca në fushë e spanjollëve ndaj rivalit të tyre ishte e madhe. Por, gjithsesi, spanjollët u gjendën shpejt në disavantazh, pasi në minutën e 18-të Normand dështoi të largonte topin dhe shënoi autogol. Ky gol bëri që Spanja të vuajë në organizim për shumë minuta. Gjithsesi, falë sulmeve të tërbuara të saj ia doli të barazojë brenda pjesës së parë, me anë të Rodrit në minutën e 39-të. Pjesa e parë mbyllet 1-1, por në pjesën e dytë Spanja do të shtonte ritmin e “vallëzimit” të saj në fushë. Gjen golin e dytë me anë të Fabian Ruiz në minutën e 51-të, e një të tretë me anë të Uilliams në minutën e 75-të, duke siguruar kualifikimin në 8-shen më të mirë. Por Spanja s’do të ndalej me kaq, pasi në një kundërzbritje në minutën e 83-të do të gjente golin e katërt me anë të Olmos. Kualifikim me meritë i saj në çerekfinale.