Nga Julia Vrapi
Artisti Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra vijnë me një koncert në Tiranë. Koncerti sjell për publikun këngë nga 15 vite karrierë muzikore të artistit të njohur. Dren Abazi është këngëtar-kompozitor, po ashtu, ai është themeluesi i Zig Zag Orchestra, një grup i njohur në Kosovë, Shqipëri, dhe vende të tjera të Ballkanit, që mbrëmjen e 4 korrikut do të jenë për publikun me koncert te stadiumi “Selman Stërmasi” në Tiranë. Sipas njoftimit të organizatorëve, artisti premton dy orë koncert me muzikë live. Dren Abazi dhe orkestra e tij rrëfen 15 vite histori të muzikës së shpirtit. “Si një surprizë unike, Dren Abazi, çdo herë që troket në Tiranë me muzikën e tij, kërkon të sjellë meloditë e tingujt e shpirtit, fjalët që rrëmbejnë zemra dhe performanca që kthehen në muza që i rrëfejnë atij për klipin e radhës. Kështu do të ndodhë edhe mbrëmjen e 4 korrikut në Spectapolis, pasi në skenë Dren Abazi ngjitet bashkë me orkestrën e tij për të ofruar dy orë muzikë live në një koncert që do t’ju dërgojë në një botë tjetër atë të muzikës së mirë”, thuhet për koncertin e artistit Dren Abazi. Koncerti që do të zhvillohet në një prej mbrëmjeve të korrikut vjen me një program të pasur muzikor për të gjithë ata që duan muzikën. Janë organizatorët që shprehen se për të takuar “Mbretin e natës”, nën fuqinë magjike të muzikës dhe “hanës” Spectapolis ju pret të enjten më 4 korrik në stadiumin “Selman Stërmasi”. “Hyrja pa asnjë kosto është njëlloj si estetika që ofron përmes interpretimit Dren Abazi dhe orkestra e tij. Merrni miq, në mos, mjafton shpirti dhe zemra që kërkon muzikë”, thuhet nga organizatorët për këtë koncert.
Artisti dhe krijimet muzikore
Artisti Dren Abazi u bë i njohur që me produksionin e parë që publikoi. Kënga “Jorgjica” tërhoqi vëmendjen e të gjithëve teksa interpretohej nga ai dhe Zig Zag Orchestra. Pastaj me një ndër kryeveprat e muzikës shqiptare i thërriste shqiptarët drejt një shtegu artistik, ku “i dehur jam” nënkuptonte pas edhe “zjarr edhe akull”. Prej më shumë se 15 vitesh, këngët e tij vijojnë të zgjojnë të njëjtën ëndërr në publik. Me krijimet e tij të mëvonshme, ai do të shndërrohej në “mbretin e natës” që për pak vite arriti të lërë “pa frymë” ata që kërkonin muzikën e mirë mbrëmjeve. Orkestra kompozon dhe performon muzikë trans-etnike dhe multikulturore. Që nga viti 2009, bendi ka performuar në disa koncerte dhe festivale në mbarë Evropën. Në vijim të aktivitetit muzikor, në vitin 2015 artisti i njohur Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra performuan në Jazz festivalin e famshëm në Sienne dhe në Sunset Fefstival në Paris. Po ashtu ai ka performuar dhe në festivalin Fete de la Musique i njohur edhe si Make Music Day në Paris. Koncerti që do të zhvillohet këtë mbrëmje të muajit korrik i shtohet gjithashtu aktiviteteve të tjera që janë zhvilluar gjatë këtij sezoni veror në kryeqytet për publikun.