Kryevepra botërore janë vënë në skenën tonë me regji nga Nikolin Gurakuqi. Regjisori Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh” e filloi aktivitetin e tij në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në vitin 1979. Pas specializimit në Francë i dedikohet tërësisht regjisë, ku përgjatë aktivitetit të tij ka sjellë në skenë vepra të ndryshme, por një prej tyre është dhe “Zëri njerëzor”. Shkruar nga kompozitori francez Francis Poulenc, cilësohet si një vepër intime, që i përket periudhës së impresionizmit francez. Një histori dashurie e shkruar nga kompozitori i njohur i shekullit të XX, Poulenc, që përcjell te publiku dashuri dhe dramë. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori Nikolin Gurakuqi shprehet se është një vepër kontemporane franceze e kompozitorit Francis Poulenc, që e solli vite më parë në skenë për Ditën Ndërkombëtare të Muzikës. Regjisori tregon se këtë vepër e ka vënë për herë të parë në vitin 2002, për ta rivënë sërish në vijim, por e ka vënë dhe në Tetovë. Regjisori tregon se për herë të parë në skenën tonë kjo vepër u interpretua nga sopranoja Edith Mihali. Por kjo vepër është mes dhe të tjerave që regjisori ka sjellë të autorëve francezë. Në vijim të aktivitetit të tij disa javë më parë regjisori Nikolin Gurakuqi ishte dhe në Universitetin e Tetovës. Në Tetovë u promovua libri “Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor ” i Luigj dhe Nikolin Gurakuqit. I pranishëm për disa ditë në Tetovë, regjisori Nikolin Gurakuqi zhvilloi gjatë tre ditëve masterklas për studentët e Artit Muzikor dhe Artit Dramatik. Regjisori Nikolin Gurakuqi është autor i shumë veprave të vëna në skenën e TKOB, të Universitetit të Arteve, të disa qyteteve të tjera si Durrësi, Shkodra dhe jashtë Shqipërisë.
-Në aktivitetin tuaj si regjisor ju keni sjellë në skenë vepra të ndryshme të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Por më 21 qershor u shënua dhe Dita Ndërkombëtare e Muzikës. Si regjisor për ju sa ka rëndësi kjo ditë?
Unë këtë festë të muzikës e kam kujtuar dhe festuar me vënien në skenë të operës “Zëri njerëzor” vite më parë. Dhe pothuajse çdo vit kam bërë ndonjë aktivitet, por në vitin 1994 që e kam filluar kam bërë një spektakël me muzikë franceze. Sapo kisha ardhur nga Franca dhe bëra një grand spektakël me këngë franceze. Në atë koncert në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit morën pjesë këngëtarët më të mirë të muzikës sonë të lehtë, përmend këtu këngëtaren Manjola Nallbani, këngëtarin Aleksandër Gjoka, Ardit Gjebrea dhe të tjerë artistë. Një spektakël që u mirëprit shumë dhe u organizua në bashkëpunim me RTSH dhe Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Por në vijim çdo vit e kam festuar Ditën Botërore të Muzikës me aktivitete të ndryshme, opera, koncerte, spektakle, muzikë klasike, muzikë moderne.
-Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me regjinë tuaj vite më parë u shfaq opera “Zëri njerëzor ”e kompozitorit francez, Francis Poulenc. Një opera që u soll në skenë me interpretimin e një artisteje si Edith Mihali. Kanë kaluar vite, por si u prit nga publiku vepra e autorit francez Poulenc?
Vepra e autorit francez Francis Poulenc që është opera me një këngëtar erdhi në skenë në vitin 2002 me interpretimin nga sopranoja Edith Mihali, që u mirëprit nga publiku. Një opera, ku artistja është në një dialog me të dashurin e vet, i cili po ndahet prej saj. Një opera konteporane që unë e kam rivënë sërish pas disa vitesh dhe e kam rivënë përsëri si një opera Holl me piano me katin e dytë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Por e kam vënë dhe në Tetovë të Maqedonisë së Veriut me teatrin e Tetovës. Opera ishte një novitet për kohën, si për sa i përket në Shqipëri që nuk ishin vënë opera të shekullit njëzet pasi ishin vënë vetëm opera klasike, etj, dhe unë kisha disa vite që vija në skenë opera kontemporane, opera moderne. I vija edhe në Akademinë e Arteve. Gjuha muzikore e kësaj opere është moderne, por ka dhe një tendencë melodie. Kryesisht është opera recitative.
-Pse e zgjodhët veprën e autorit francez për ta sjellë atë kohë në skenë?
Unë kam vënë dhe vepra të autorëve francezë që ishin të panjohura më parë. Kisha kohë që hulumtoja dhe kam bashkëpunuar me Ambasadën Franceze edhe për vepra të tjera. Përshembull operën “Carmen” nga kompozitori Georges Bizet e kam vënë me tekst në gjuhë frënge në versionin origjinal. Kam vënë si regjisor në skenë operën “Peshkatarët e perlave” po të Bizet, etj. Por një nga veprat është dhe “Zëri njerëzor”.
– Jeni regjisori i shumë veprave të vëna në skenën e TKOB, të Universitetit të Arteve, të disa qyteteve të tjera si Durrësi, Shkodra dhe jashtë Shqipërisë si: opera, opereta, spektakle. Por ju gjithmonë keni shprehur dhe rëndësinë e veprave shqiptare në skenën tonë. Sa ka rëndësi krijimtaria kombëtare për ju në skenën tonë?
Duhet të kemi më shumë vepra shqiptare në skenat tona. Veprat shqiptare duhet t’i mbrojnë vetë autorët, kompozitorët. Ne një teatër opere kemi që duhet të vijojë me vënien e veprave shqiptare. Italianët kanë qindra teatro, por ne kemi një. Opera është një vepër muzikore letrare. Unë e kam treguar që kam vënë vepra shqiptare në skenë, si “Borana” të Avni Mulës, “Dhoma” e Ermir Dergjinit produksion modern shqiptar.
-Promovimit i librit tuaj “Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor ” në Fakultetin e Artit Dramatik në Tetovë ishte një aktivitet i organizuar dhe moderuar nga mexosopranoja e njohur Besiana Mehmedi. Në panel morën pjesë personalitete të botës shqiptare si Meriton Ferizi drejtor i Operas së Kosovës, Adelina Paloja, soprano e operas së Kosovës dhe pedagoge vokali, sopranoja e njohur Marjana Leka, dirigjenti Edmond Doko, etj. Libri “Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor” është promovuar dhe në Tiranë më parë që u mirëprit, por një pritje e veçantë ishte dhe në Tetovë për ju. Çfarë ju fal kjo kur artistët mblidhen për artin, librin dhe krijimtarinë?
Gjatë promovimit të librit u kënaqëm shumë. U bë edhe një masterclass, ku u kënaqën studentët dhe unë. E veçanta e atij masterclass ishte se Universiteti i Tetovës i dha një rëndësi shumë të madhe. Më bënë një pritje të shkëlqyer edhe rektori i atij universiteti edhe dekani i Fakultetit të Arteve, si dhe vetë studentët që frekuentuan maksimalisht masterclass-in tre ditor. Por e veçanta në këtë masterclass është se morën pjesë si ata të muzikës edhe ata të dramës. Dhe realizuam së bashku një mbrëmje artistike me këngë dhe kërcime, saqë publiku në sallë u entuziazmua jashtëzakonisht.
-Shkrimi i librave merr një pjesë të kohës suaj. A keni diçka tjetër për të cilën po shkruani?
Unë kam, por është ende shpejt për ta promovuar. Unë i kam të mbaruar dy libra me poezi, por po shkruaj një tjetër libër për profesionin. Libri që po shkruaj është në vazhdim i atij librit që promovuam më parë mbi regjinë dhe teatrin muzikor, por merret me aspekte të tjera.
Intervistoi: Julia Vrapi