Nga Fatos Çoçoli
Gjykata Kushtetuese është një trupë gjykuese tejet e rëndësishme dhe themelore e shtetit tonë. Përfaqëson organin që zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Kjo gjykatë i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe gëzon pavarësi të plotë organizative, administrative dhe financiare. Detyra e saj është të sigurojë respektimin e Kushtetutës dhe të të drejtave themelore të qytetarëve. Dhe të respektosh Kushtetutën dhe të drejtat e qytetarëve, do të thotë, në radhë të parë, të respektosh frymën e saj. Fryma e Kushtetutës është mbrojtja e interesave themelore të qytetarëve. Interesa të tilla janë e drejta e pronës, e drejta e kujdesit shtetëror, në rast se je i pamundur ekonomikisht, e drejta e fjalë së lirë, e drejta e një pensioni dinjitoz, e me radhë. Prandaj dhe Gjykata Kushtetuese, mendohet nga të gjithë ne si qytetarë, se mbahet nga taksat tona, pikërisht për të kontrolluar me ndershmëri, profesionalizëm dhe përkushtim institucionet e shtetit, nëse këto e kanë respektuar si duhet frymën e Kushtetutës, parimet e saj, dhe pastaj nenet e Kushtetutës. Por në radhë të parë, frymën e Kushtetutës, interesat tona jetike. Me procesin e vetingut, Gjykata Kushtetuese natyrshëm gati u zhbë gati tërësisht dhe u desh një kohë që gjatë, që ajo të plotësohej me anëtarë dhe të risillej në funksionim. Si qytetarë, për shpresat e larta të reformës në drejtësi dhe të rezultateve nga vetingu, kemi pritur me durim që kjo strukturë themelore e Shtetit të jetë një trupë gjykuese, pikërisht në mbrojtjen e frymës së Kushtetutës. Për fat të keq, nuk po e shohim të tillë. Rasti me flagrant i shkeljes se frymës se Kushtetutës dhe dëmtimit te interesave tona jetike si qytetarë, ka të bëjë me ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat. Ligji nr. 29/2023, datë 30.3.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat’’ hyri në fuqi më 1 janar 2024. Ndryshimet në këtë ligj ju drejtoheshin kategorisë së 25 mijë profesionistëve të lirë, të regjistruar pranë tatimeve si të vetëpunësuar. Këta të fundit, në 5 vitet e fundit 2019-2023, kishin qarkulluar 3.3 miliardë euro, me një fitim mesatar 75-90 përqind, duke i paguar Shtetit si detyrim vetë sigurimet shoqërore mbi pagën minimale, ose 1 përqind të të ardhurave të tyre. Sipas të dhënave të tatimeve, bazuar në deklarimet vullnetare të tyre, profesionistët e lirë për vitin 2023 kishin realizuar 510 milionë euro fitim. Me hyrjen e ligjit të ri, por sidomos, me marrjen prej tyre në prill 2024 të njoftimeve të tatimeve se duhej të parapaguanin tre këstet e para të tatimit mbi fitimin, sipas parashikimeve të ligjit të ri, kjo kategori u revoltua keqazi, e mësuar në afro tetë vite në një pozicion gati parajsë fiskale. Një pjesë e profesionistëve të lirë të regjistruar në organet tatimore, lëvizën me shpejtësi. Pranë Gjykatës Kushtetuese, në muajt shkurt-prill 2024, u depozituan tre ankesa, dy prej të cilave nga shoqata të avokatëve të lirë dhe të kontabilistëve të lirë. Gjykata Kushtetuese i pranoi tre ankesat dhe më 18 qershor 2024 i dëgjoi argumentet e hartuesve të tre ankesave. Dëgjoi edhe argumentet e hartuesve të ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat. Sipas këtyre të fundit, ligji synonte të vendoste më shumë drejtësi në sistemin tonë tatimor, duke taksuar më drejt të ardhurat nga puna, pavarësisht formës së organizimit. Fryma e Kushtetutës sonë, njëlloj si e shumë kushtetutave të tjera të një shoqërie të civilizuar që synon ndërtimin e shtetit të së drejtës, është që kush fiton më shumë, ka për detyrë të kontribuojë më shumë në arkën e përbashkët, pra në Buxhetin e Shtetit. Dhe ky kontribut i shtuar realizohet përmes mekanizmit të taksës mbi fitimin. Hartuesit e ligjit të ri i shpjeguan Gjykatës sonë Kushtetuese se kategoria e profesionistëve të lirë ndryshonte jo pak nga ajo e biznesit të vogël tregtar dhe prodhues, pasi, duke patur shpenzime të vogla, ka fitim të lartë, nga 70-95 përqind e të ardhurave(xhiros) të saj. Dhe vërtet, profesionistë e lirë ndryshojnë shumë nga bizneset e tjera të vogla, si prodhues të vegjël, tregtarë të vegjël, ambulantë, etj., që fitojnë nga 5-20 përqind të të ardhurave të tyre, pasi këto të fundit kanë shpenzime të larta të blerjes së mallrave që rishesin apo përpunojnë, si dhe kosto të tjera fuqie punëtore, etj. Ky shpjegim nuk piu ujë te Kushtetuesja jonë. Më 27 qershor 2024, ajo vendosi që të 25 mijë profesionistët e lirë nuk kishin pse t’i paguanin tatim fitimi shtetit për këtë vit dhe deri në vitin 2029. Edhe pse fitimin për vitin 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, e kishin patur 510 milionë euro! Kësisoj, Kushtetuesja jonë i mohoi Buxhetit të Shtetit për të pesë vitet 2024-2029 arkëtimin e të paktën 380 milionë euro(15 përqind e 510 milionë eurove në vit është baraz me një tatim 76 milionë euro në vit. Shumëzuar me pesë vite, bëjnë 380 milionë euro). Në mënyrë indirekte, Kushtetuesja u mohoi kështu të 717 mijë pensionistëve tanë shumicën nga ky tatim 380 milionë euro në pese vjet, i cili mund dhe do të përdorej, kryesisht për të ndihmuar shtimin e pensioneve. Tek shumica e të nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, arësyetimet mbi cënimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike, si dhe cënim të parimit të proporcionalitetit, dolën më të forta se morali i pagimit për Shtetin të shumë me teper se 35-40 eurove në muaj sigurime shoqërore mbi pagën minimale, që profesionisti i lirë i cakton vetes dhe i paguan tani! Dhe i paguan 35-40 euro, nga mesatarisht 1 mijë e katërqind euro fitim mujor që realizon tani. Hartuesit e ligjit u përpoqën që këtij qytetari, profesionist i lirë, që mesatarisht fiton një mijë e katërqind euro në muaj sot, t’i vinin një detyrim-tatim, si kontribut për Shtetin, prej mesatarisht 210 euro. Ose 15 përqind e fitimit të tij. Në emër të një sistemi më të drejtë tatimi. Po ta kishte pranuar Gjykata Kushtetuese këtë moral dhe frymë reale të Kushtetutës, pensionistët tanë do të kishin nga fundi i këtij viti, fonde më serioze, për të parë të rritur në mënyrë më dinjitoze pensionin e tyre.