Presidenti Bajram Begaj dhe kupola e bazës detare të implikuar në skandalin e aferave me pronat publike kanë pranuar jashtë kamerave se SPAK ka gjetur “gjilpërën në kashtë”, ja si oligarkët japin gradat në ushtri, Artur Meçollari plas skandalet e rënda
Elmas Bogdani
Kapiten i rangut të parë, Artur Meçollari, njëherësh ish-zëvendëskomandant dhe komandant në detyrë i Forcës Detare ka nxjerrë detaje të forta për hetimet e SPAK, kundër disa prej zyrtarëve më të lartë me në krye presidentin Bajram Begaj në lidhje me aferat në ushtri. Muçollari “fik” karrierën e Begajt, ku thotë se vetë Presidenti dhe kupola e bazës detare kanë pohuar përfshirjen në skandalin e aferave me pronat publike, ku theksojmë se në kohën kur kanë ndodhur abuzimet me pronat e ushtrisë, Begaj ka qenë Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Ai është shprehur se jashtë kamerave, Presidenti dhe kupola e ushtrisë kanë thënë se SPAK ka gjetur “gjilpërën në kashtë”, si dhe secili prej zyrtarëve është paraqitur njëherë të paktën në dyert e Prokurorisë së Posaçme. Komandant i Forcës Detare nuk e ka lënë me kaq, ka plasur skandalet njëri pas tjetrit pasi ai ka deklaruar se oligarkët e pronave ndërhyjnë në ushtri dhe madje japin gradat, duke bërë kështu të cenohet siguria kombëtare, marrëdhënia me NATO-n, gjithashtu dhe operacionaliteti i Forcës Detare. “Kupola e bazave detare. Mungon Bajrami. Të paktën secili prej tyre është paraqitur një herë në SPAK. Në foto dalin të qeshur, por kur janë jashtë kamerave pranojnë se SPAK ka gjetur dhe gjilpërën në kashtë. Baza Detare e Sarandës, 4 ha nën sekuestro preventive. Në interes të oligarkëve. Baza detare e Shëngjinit, 66,4 ha nën sekuestro preventive. Në interes të oligarkëve. Prona 219 Porto Romano prej tre vitesh e zaptuar 5,2 ha dhe ndërtim pa leje nga Porti MBM. Në interes të oligarkëve. Oligarkët e pronave japin dhe gradat në ushtri. Hyn në ushtri për ti shërbyer Atdheut, por në fakt ju shërben oligarkëve dhe shërbëtorëve të tyre në drejtim te ushtrisë. Prandaj gjendja e personelit është kjo që është. Do bëhet dhe më keq. Sipas vendimit të gjykatës kontrata dhe dorëzimi i Bazës Detare të Sarandës “ka cënuar siguria kombëtare, marrëdhëniet me NATO-n, si dhe misioni dhe operacionaliteti i Forcës Detare”, thotë ai.
Meçollari “hap” biografinë e Begajt
Kapiteni i rangut të parë dhe ish-numri dy i Forcës Detare veç skandaleve ku protagonist ishte Begaj, në shkrimin e tij ka treguar edhe ‘arsyen’ pse është emëruar President, kjo pasi sipas tij nuk ka folur dhe ka mbajtur sekret “bëmat” e “shokëve” të tij në profesionin e errët, çka ka sjellë një shtet që është nga më të korruptuarit në Evropë. Meçollari ndër të tjera ka zbërthyer “arritjet” e punës së Presidentit, ku sipas tij falë zyrtarëve të shtetit, por dhe falë Begajt kemi një sistem sigurie ku informacionet vidhen vetë nga shteti, një shëndetësi që vret njerëz, ku ka përmendur skandalin e pak ditëve më parë në Onkologjik si dhe një sistem mbrojtje që jep falas një bazë detare për oligarkët.“Përse na duhet të paguajmë një President dhe stafin e tij? Sepse ai është unitet i popullit, jo pjesë e qeverisë; sepse është Komandant i Përgjithshëm i FA. Sepse është Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare; sepse është kreu i Shtetit dhe mbi palët dhe për më tepër Bajrami është ushtarak dhe doktor. Bajrami nuk ka folur dhe mos prisni të flasi për shumë çështje të rëndësishme që kanë cënuar sigurinë kombëtare në dy vitet e fundit. Sepse, prandaj u emërua. Falë edhe Bajramit kemi: një sistem shëndetësor jo human dhe që vret me vullnet jetën njerëzore (Onkologjiku); një sistem sigurie ku vetë shteti vjedh informacionet kritike të sigurisë së tij dhe qytetarëve (TIMS) dhe nuk dihet ku i shet. Ndoshta edhe armikut; një sistem mbrojtje që jep falas një bazë detare për oligarkët duke cënuar sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me NATO-n; një vend anëtar i NATO-s që ndryshon destinacionin e portit më të madh, atij të Durrësit, duke injoruar konceptin strategjik të NATO-s; një shtet që është prej vitesh një nga më të korruptuarit të Europë dhe NATO. Dhe në fund krahasoni Bajramin me Moisiun”, shkruan Meçollari.
Paralajmëron Artur Meçollari: Serbia do të sulmojë Kosovën
Veç detajeve të reja për zyrtarët shqiptarë, gjithashtu kapiteni Artur Meçollari më anë të një postimi në rrjetet e tij sociale ka paralajmëruar se Kosova do të sulmohet shumë shpejt nga Serbia, pasi kjo e fundit po fuqizon kapacitetet ushtarake, por po pret fitoren e Rusisë në luftën me Ukrainën dhe krijimin e precedentit, ku shtetet mund të marrin territoret që pretendojnë. Sipas Meçollarit, fitorja e Ukrainës kundrejt sulmeve ruse i intereson dhe është thelbësore për gjithë Europën. Komandanti në detyrë i Forcës Detare nga ana tjetër tha se objektivi final i Rusisë është rikthimi i Marrëveshjes së Jaltës dhe ristrukturimi i skemës së sigurisë europiane.”Asnjë marrëveshje me Rusinë nuk duhet të bëhet në dëm të integritetit territorial të Ukrainës. Ajo do të krahasohet me Marrëveshjen e Mynihut të shtatorit 1938 midis Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë. Marrëveshja e Mynihut në emër të paqes lejoi Gjermaninë të pushtojë një pjesë të Çekosllovakisë. Ajo në vend që të garantonte paqen, nxiti Luftën e Dytë Botërore. Serbia sot i ka kapacitetet ushtarake dhe po i fuqizon ato që të sulmoj nesër Kosovën, por pret fitoren e Rusisë në Ukrainë dhe krijimin e precedentit, që çdo shtet mund të përdori forcën për të marrë territoret që pretendon. Rusia ka si objektiv final rikthimin e Marrëveshjes së Jaltës dhe ristrukturimin e skemës së sigurisë europiane. Ulja e fuqisë ushtarake të Rusisë, eliminimi i çdo kërcënimi rus dhe fitorja e Ukrainës janë thelbësore për Europën dhe paqen e së nesërmes Prandaj sot Ukraina po lufton për të gjithe Europën. Ashtu sikurse populli shqiptar, dhe çdo popull europian, nuk pranon dhe nuk do të pranojë kurrë koncesione territoriale në emër të paqes, edhe Ukraina nuk ka pse të pranojë. Një paqe e qëndrueshme vjen vetëm me fitoren e Ukrainës”, thotë Artur Meçollari.