Franca kualifikohet ndaj Belgjikës me një autogol, ishte ndeshja më e bukur e 1/8 të finales
Adriatik Balla
Dje u luajtën dy takime të 1/8 e finales që dhuruan emocione dhe spektakël, por edhe autogol që e konfirmojnë këtë Europian si më të spikaturin në këtë drejtim. Francë-Belgjikë ishte një nga duelet më të forta dhe emocionuese. Franca dje pasdite e mposhti 1:0 Belgjikën. Ndeshja me ritëm të lartë, e zhvilluar në Duseldorf, u vendos nga një autogol. Në minutën e 85-të francezët realizuan një aksion të gjatë. N’Golo Kante pasoi bukur në zonë për rezervistin Randal Kolo Muani. Ai gjuajti, ndërsa rrugës për në portë sferën e devijoi mbrojtësi belg i qendrës, Jan Vertonghen. Në pjesën e dytë u luajt futbolli thuajse më i mirë deri më tani në Evropianin në Gjermani. Raste kishte në të dy përfaqësueset, madje shumë të mira. Pak para golit të Francës, Kevin De Bruyne i Belgjikës gjuajti bukur, por portieri i Francës, Mike Maignan bëri pritje vendimtare. Pas golit, belgët u hodhën në sulm, por francezët me përvojë nuk e rrezikuan fitoren. Kilian Mbape, që luajti sërish me maskë, ishte aktiv dhe i rrezikshëm gjatë tërë ndeshjes. Por në fund vendosi autogoli. Franca ka krijuar plot 20 raste, ndërsa Belgjika i kishte pesë. Por 16 prej goditjeve të francezëve ishin të pasakta. Goditje në kornizë të portës, Franca e kishte vetëm një, kurse Belgjika dy. Franca llogaritet prej favoriteve për ta fituar Evropianin, por në fazën grupore nuk ka bindur me paraqitje. Dukshëm nivel më të lartë shfaqi ndaj Belgjikës. Edhe Belgjika është llogaritur në mesin e pretendenteve, por ka dëshpëruar me paraqitje. Franca e luan ndeshjen çerekfinale më 5 korrik në Hamburg. Ndërkohë, një nga lojtarët e rëndësishëm të përfaqësueses së Francës duket se do të largohet nga Italia e do të përfundojë në Turqi. Kështu, Adrien Rabiot ka dalë lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Juventusin, ekip ku mesfushori francez kaloi 5 sezonet e fundit. Klube si Milani apo Mançester Junajtid kanë shprehur interesim konkret për Rabiot, i cili pritet të largohet nga Serie A. Shtypi sportiv turk raporton lajmin e bujshëm që Galatasaray ka plotësuar pretendimet financiare të 29-vjeçarit. Duke gjetur gjuhën e përbashkët me përfaqësuesit e lojtarit në lidhje me termat personale të kontratës. Dhe kampionët e Turqisë po merren me detajet e fundit, për ta prezantuar më pas Rabiot si përforcimin ideal për mesin e fushës. 47 ndeshje numëron futbollisti me kombëtaren e Francës, pjesë e së cilës është edhe në Gjermani-2024.