Deputeti gjerman i mahnitur nga ecuria e Shqipërisë në Euro-2024, kuqezinjtë në vitrinën e merkatos në Europë
Adriatik BALLA
Një pjesë e mirë e lojtarëve të Kombëtares kuqezi kanë rënë në “radarët” e klubeve të njohura europiane, pasi paraqitja e tyre në Europianin e Gjermanisë ishte shumë e mirë. Duhet thënë se disa lojtarë spikatën në këtë Europian dhe kanë marrrë vëmendje direkte. I tillë është portieri Thomas Strakosha që mund të ndryshojë ambient në edicionin e ri. Ai mund të braktisë Brentfordin anglez për një klub të Serisë A, ose brenda Anglisë në një klub tjetër ku të ketë mundësinë të luajë titullar. Kurse mbrojtësi Mario Mitaj ka vëmendjen e Lacios dhe të disa klubeve elitare italiane. Paraqitja e Mitajt në Europian ishte shumë e mirë dhe shqiptari me siguri që do të largohet nga Moska në sezonin e ri dhe do të bëhet pjesë e një klubi të rëndësishëm në perëndim.
Broja dhe Asani, më të kërkuarit
Duhet thënë se Armando Broja vijon të jetë në pronësi të Çelsit, por i huazuar tek Fulhami në sezonin që lamë pas. Broja mund të mbetet te Çelsi, por edhe mund të huazohet sërish. Gjithsesi, ai ka marrë vëmendje të shtuar nga disa klube të Serisë A, përfshi gjigantët e Milanit. Në Itali ka dhe klube të tjera që kanë shfaqur interes për Brojën, ku në mediat italiane është lakuar Xhenoa. Por edhe në Premier League e duan futbollistin. Mbetet të shihet çfarë vendimi do të marrë Çelsi për sulmuesin shqiptar. Sa i takon sulmuesit të krahut, Jasir Asani, ai është pjesë e Guangju në Korenë e Jugut dhe nuk e ka gjetur prej gati një viti gjuhën me klubin për një shkëputje me mirëkuptim. Për Asanin interesohet Las Palmas, që është gati të paguajë për ta bërë të vetin. Lojtari po negocion me klubin e tij korean për të lënë Azinë dhe për të kaluar në Europë, konkretisht në La Liga spanjolle, me Las Palmas. Marrëveshja mes klubit spanjoll dhe lojtarit në parim është arritur.
Qëndrimi i deputetit gjerman Bejer
Paraqitja e kuqezinjve nuk ka kaluar pa rënë në sy edhe të shumë figurave publike në Gjermani. Kjo pasi tifozeria shqiptare e shndërroi Europianin e Gjermanisë në festë masive. Deputeti i Bundestagut, Peter Bejer, e ka vlerësuar lart paraqitjen e Kombëtares Shqiptare në Euro 2024. Deputeti i CDU-së ka thënë se paraqitje e djelmoshave shqiptarë duhet të jetë frymëzim për gjeneratat e ardhshme. “Urime kombëtares shqiptare për paraqitjen mbresëlënëse në UEFA Euro 2024! Vendosmëria, puna e palodhur dhe shpirti i tyre ekipor kanë frymëzuar jo vetëm Shqipërinë por edhe tifozët e futbollit në mbarë botën. Një falënderim i veçantë shkon për trajnerin Sylvinho dhe gjithë ekipin për punën e tyre të jashtëzakonshme. Jam i bindur se kjo arritje madhështore do të jetë frymëzim për brezat e ardhshëm. Forca Shqipëri” shkruan Beyer. Nuk është i vetmi, pasi më parë edhe vetë policia gjermane e ka cilësuar sjelljen e shqiptarëve në këtë Europian të nivelit më të lartë, pra perfekte. Shqiptarët pushtuan këtë verë rrugët dhe impiantet e Gjermanisë, duke u dhënë tifozerive të tjera pjesëmarrëse në Gjermani-2024 leksione sjelljeje e prezantimi. Ata ishin të zhurmshëm por Brenda kontureve të tifozerisë. Një sjellje spektakolare që është komentuar gjatë në Europianin e Gjermanisë.