Inovacioni, udhëheqin shërbimet, bizneset e vogla më të shpejtat në zhvillimin e produkteve
Shërbimet janë pararojë e inovacionit ku të dhënat zyrtare tregtinë se ndërmarrjet që përfshihen në këtë kategori kanë dhënë një fokus më të madh në këtë aspekt. Publikimi “Aktiviteti i inovacionit në ndërmarrje” i Institutit të Statistikave tregon se aktiviteti i inovacionit në ndërmarrjet e sektorit të shërbimeve ishte 46 % ku ndërmarrjet në aktivitetin e Informacionit dhe Komunikacionit kanë rezultuar aktive në Inovacion me 67,3 %, ndërmarrjet në aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit me 52,7%. Në total publikimi tregon gjatë periudhës 2020-2022, 42,9 % e ndërmarrjeve të vrojtuara kryen një aktivitet Inovacioni. Krahasuar me të dhënat e vrojtimit të mëparshëm të inovacionit me periudhë referuese 2018-2020, aktiviteti i inovacionit u rrit me 6,3 % (nga 36,6 % në 42,9 %. Por si qëndron inovacioni në sektorë të tjerë përpos shërbimeve? Sipas INSTAT në sektorin e Industrisë aktiviteti i Inovacionit rezulton me 39,3 % ku ndërmarrjet në aktivitetin e Energjisë elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ajër të kondicionuar kanë rezultuar aktive në Inovacion me 44,4 %, në Industrinë Përpunuese me 42,0 %. E fundit në listë është industria nxjerrëse me 18 për qind. Gjetjet e INSTAT nënvizojnë se ndërmarrjet në sektorin e industrisë shënojnë një rritje më të lartë në aktivitetin e inovacionit me 7,2 pikë përqindje ndërsa ndërmarrjet në sektorin e shërbimeve shënojnë një rritje me 5,0 pikë përqindje krahasuar me të dhënat e periudhës së mëparshme.