Lulzim Basha: Edi Rama, arkitekti që qëndron në majë të piramidës së korrupsionit, shqiptarët paguajnë 60% të shërbimeve shëndetësore nga xhepi
Kryetari i Demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, e ka konsideruar si kthim në vendin e krimit takimin e djeshëm të kryeministrit Edi Rama në QSUT. Sipas tij, problemet e sistemit shëndetësor dhe ndalja e abuzimit kërkojnë zgjidhje urgjente, të cilat nuk mund të vijnë nga ai që ka 11 vite që abuzon me shëndetin e familjeve shqiptare. Dhe për këtë si zgjidhje Basha sheh inkurajimin e SPAK në luftën kundër korrupsionit në çdo aspekt dhe alternativën e demokratëve euroatlantik që qytetarëve të mos u shkojnë dëm paratë e sigurimit shëndetësor, por të marrin shërbim në çdo spital që ofrohet shërbimi i nevojshëm. “Pas skandalit çnjerëzor të Onkologjikut, Edi Rama u kthye te vendi i krimit. Me propagandën e tij bajate, u përpoq të lajë duart me përgjegjësitë, për t’ia lënë ato vetëm mjekëve. Kujtonte me paturpësinë më të madhe Tixhen, ndërkohë që kryeTixhja e pandemisë ishte vetë ai me tenderat sekretë. Me parulla të lodhura dhe kundërthënëse, ku sipas interesit të tij një herë e ka fajin individi, një herë sistemi, ndërsa koka, maja e kësaj piramide korruptive, fletë sikur ka ardhur sot në pushtet. Siç ka bërë me zv. kryeministrin në arrati për korrupsion, me ministra, ish-ministra, kryebashkiake e ish-kryebashkiakë, edhe këtu u shfajësua me frazën “përgjegjësia është individuale”. Nuk është aspak i shqetësuar për paragjykimin që në raste të tilla bie mbi mjekë e infermierë, që në kushte jo normale përpiqen me gjithçka për t’u dhënë ndihmë pacientëve. Për ta kemi dhe do të kemi mirënjohje për jetë. Por Rama ka hallin e tij, sepse ai është arkitekti që qëndron në majë të piramidës së korrupsionit. Rasti i Onkologjikut, ku bëhet pazar me jetën e pacientëve, është vetëm dëshmia më e fundit e degradimit të një sistemi korruptiv, që si në çdo hallkë të zinxhirit drejtues të Ramës, prodhon dhimbje dhe kosto për familjet shqiptare. Sot për t’u hedhur hi syve shqiptarëve ka shpikur menaxherë të huaj. Siç është dëshmuar edhe më parë, pas çdo skemë të tillë është një tjetër plan abuzimi me paratë e shqiptarëve dhe më pak shërbim për ta. A thua se nuk është ky që u premtoi shqiptarëve shëndetësi falas, e sot shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të shërbimeve për shëndetësinë”, shkruan ndër të tjera Basha.