U arrestua me urdhër të SPAK, GJKKO lë në burg Astrit Avdylajn, ja kush është i forti i bandës së Shijakut që akuzohet se është përfshirë në disa krime
Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kreun e grupit të Shijakut, Astrit Avdylaj. Gjatë seancës së djeshme, Avdylaj nuk ka dhënë asnjë deklarim. Astrit Avdylaj u arrestua me 29 qershor në banesën e tij. Më herët u publikuan edhe pamje nga vënia e tij në pranga. Gjatë arrestimit, 50-vjeçarit i është sekuestruar edhe një armë zjarri tip pistoletë. Avdylaj u shpall në kërkim nga SPAK, në kuadër të operacionit “Revanshi”, ku u goditën disa grupe kriminale dhe u arrestuan dhjetëra eksponentë të krimit. Dyshohet se ai ka ndihmuar Ervis Martinajn dhe ish-deputetin socialist Arben Ndokën, duke i siguruar kushtet për vrasjen e Durim Bamit. Komunikimet në aplikacionin “Sky” treguan se si Astrit Avdylaj bisedonte me Ndokën dhe ofrohet ta ndihmojë atë në planin për eleminimin fizik të Durim Bamit. Avdylaj i dërgon nipin e tij Aldo Avdylajn dhe Arben Mërkurin, Ndokës për të realizuar qëllimin. Por kush është Astrit Avdylaj? Astrit Avdylaj, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza droge, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike, së bashku me vëllanë e tij Altin Avdylaj. Operacioni masiv i tetorit 2018 “Vol-Vo 4” arrestoi 22 persona. Sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda, rezultoi se ekzistonin lidhje mes disa organizatave kriminale më në zë në vend, të cilët trafikonin kokainë dhe heroinë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian, të drejtuara nga Shijaku e Maminasi, ndërsa për kanabisin ishin të angazhuara dhe organizatat e tjera kriminale. Banda e Avdylajve në Shijak bashkëpunonte me atë të Bajrave në Shkodër dhe Ndokajve në Lezhë. Në krye të tyre ishte i njohuri Astrit Avdyli ose ndryshe Astrit Balliu, që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet për këtë çështje janë nisur që në dhjetor të vitit 2016. Rrugëtimi kriminal i Avdylajve ka nisur që në vitet 90′, ku në 1996-ën është vrarë me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit. Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali ka marrë hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. Hakmarrja nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin. Edhe familjarë të tjerë, si Jasmin Avdyli apo Flamur Avdyli janë të lidhur me botën e krimit. I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdylaj ndërmori një betejë ligjore 10-vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi. Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdylaj u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”. Vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta. Për dy vjet e gjysëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat. Astrit Avdylaj u liria nga qelia e paraburgimit dy vite pas arrestimit të bujshëm, në korrik 2021 dhe përfundoi në “arrest në shtëpi”.