Hyn në fuqi rritja e pagave për 135 mijë punonjës të administratës publike, ja sa do rriten rrogat për çdo kategori, zbardhet lista e plotë me shtesat, lajme të mira edhe për të moshuarit, pensioni minimal pritet të shkojë 15.000 lekë, çfarë do të ndodhë në vjeshtë
Xhoana Vraniçi
Hyri në fuqi ditën e djeshme (1 Korrik) rritja e pagës për 135 mijë punonjës të administratës shtetërore, konkretisht punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, punonjësit e sistemit shëndetësor, punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi) si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.
Detajet
Por sa lekë do të marrin shtesë këta punonjës? Rritja për Forcat e Armatosura do të vijojë nga 7% deri në 22%, ku rritja më e madhe do të jetë tek ata që kanë pagën më të ulët. Për zjarrfikësit është parashikuar rritje pagash deri në 30%, ndërsa për punonjësit e burgjeve rritja nis nga 13% deri në 27%. Ndërsa për mësuesit rritja është nga 20 mijë lekë deri në 22.8 mijë lekë sipas nivelit arsimor, dhe për punonjësit e shëndetësisë rritet me 20 mijë lekë rroga për mjekët dhe me 15 mijë lekë për infermierët. Me këtë rritje pagash të miratuar më 26 qershor 2024 paga mesatare në sektorin shtetëror arrin në 105 mijë lekë. Për këtë rritje të pagave, që është e fundit e reformës së ndërmarrë nga qeveria në vitin e kaluar, vetëm për periudhën korrik-dhjetor 2022 nga buxheti i shtetit do të shpenzohen afro 108 milionë euro për rritjen e pagave. Fatura do të rritet më tej në vitin e ardhshëm pasi për të mbajtur këtë nivel të ri pagash nga buxheti i shtetit do të shpenzohen afro 390 milionë euro. Paralelisht me këtë rritje, prej 1 janarit 2026, të gjitha pagat e sektorit shtetëror do të indeksohen me normën e inflacionit. Indeksimi i rrogave të administratës do të bëhet një herë në dy vite.
Rrogat e reja të Forcave të Armatosura
ISHTE BËHET
Ushtari 58 mijë lekë 71 mijë lekë
Rreshteri 62.660 lekë 80.000 lekë
Majorit 89.440 lekë 107.000 lekë
Koloneli 143.000 lekë 163.500 lekë
Gjenerali 165.000 lekë 190.000 lekë
Rrogat e reja të shërbimit zjarrfikës
ISHTE BËHET
Asistent zjarri 46.000 lekë 60.000 lekë
Zjarrfikës 52.500 lekë 65,000 lekë
Kryezjarrfikës 55.000 lekë 70,000 lekë
Kryeinspektor 74.500 lekë 85.000 lekë
Inspektor 64.200 lekë 75.000 lekë
Komisar 97.500 lekë 105.000 lekë
Drejtues 108.000 lekë 115.000 lekë
Drejtues i pare 120.000 lekë 140.000 lekë
Drejtues i lartë 131.000 lekë 160.000 lekë
Rritja e pagave në shëndetësi
Mjekët +20 mijë lekë
Infermierët +15 mijë lekë
Administrata shëndetësore +15-20%
Rritja e pagave në arsim
ISHTE BËHET
Mësuesit në arsimin e mesëm të lartë 79 mijë lekë 98.5 mijë lekë
Mësuesit në arsimin e mesëm të ulët 75.8 mijë lekë 96 mijë lekë
Mësuesit në ciklin fillor 72.4 mijë lekë 95.2 mijë lekë
Punonjësit e burgjeve
Aspirantët për Policinë e Burgjeve 80% të pagës së inspektorit
Punonjësit e burgjeve rritje nga 6 mijë deri në 33.6 mijë lekë
Pensionet
Por lajme të mira ka edhe për pensionet. Pas rritjes së pagave në administratë, të gjithë pensionistët janë në pritje të indeksimit të pensioneve. Qeveria ende nuk ka njoftuar se kur do të ndodhë, por pritshmëritë janë gjatë vjeshtës, kohë kur pritet të marrë formë edhe skema e re e pensioneve për të cilën po negociohet me Bankën Botërore. “Nuk duhet të ngatërrojmë indeksimin, i cili nuk është rritje si dhe bonusin e fundit vitit. Këto janë parashikuar në ligjin e buxhetit. Ajo që është si pritshmëri është rritja e pensioneve. Qeveria dhe ministria po detajon një skemë të re, që në fokus do të jenë pensionet e ulëta. Sikundër u rrit paga minimale, fokusi do të jetë rritja e pensionit minimal”, tha deputetja e PS Pranvera Resulaj. Por pak kohë më parë ministri premtoi se do të ketë një paketë shtesë për shtresat në nevojë. Kur pritet të konkretizohet? “Ecuria e mbledhjes së të ardhurave duket e kënaqshme. Turizmit pritet të japë një hov edhe më shumë në këtë drejtim. Në përfundim të sezonit turistik do të shihen treguesit e buxhetit për të vendosur masën e paketës mbështetëse. Shifrat janë pozitive ndaj dhe paketa do të jetë e kënaqshme”, sqaroi Resulaj. Vizion Plus ka mësuar se në fokus të negociatave për skemën e re të pensioneve janë pensionet minimale. Ideja është që të mos ketë pension nën 15.000 mijë lekë në muaj, por kjo mbetet për tu konkretizuar brenda vitit duke bërë dhe një diferencim të pensioneve në fshat dhe qytet, si dhe të rezidentëve brenda dhe jashtë vendit, ku prioritet do të kenë ata që jetojnë në Shqipëri.