Skandalet te AKSHI, a është blerë Prokuroria që po heton Mirlinda Karçanajn nga grupet e interesit, si prokurorët po çojnë hetimet drejt kalendave greke
Linda Karçanaj, drejtoresha e Agjencisë Kombëtarë të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) vazhdon të amnistohet nga drejtësia. Ka dyshime të forta se grupe interesi që marrin tendera dhe janë përfshirë bashkë me Karçanajn në afera, kanë ndërhyrë te drejtësia që ajo mos të marrë asnjë masë edhe pse AKSHI është shndërruar si një gropë thithëse që vetëm shpërdoron taksat tona dhe shpërndan tendera të dyshimtë. Dosja “e zezë” e drejtueses së AKSHI-t sa vjen dhe zgjerohet. Në këtë artikull po renditim vetëm majën e ajsbergut të korrupsionit galopant që ka mbërthyer këtë institucion dhe si prokurorët po çojnë hetimet drejt kalendave greke.
Karçanaj në SPAK
Edhe pse drejtoresha e AKSHI-t është paraqitur para disa muajsh para prokurorëve specialë për të dhënë sqarime rreth padisë që i është bërë për dëmtimin e të dhënave masive të qytetarëve shqiptarë, si pasojë e mos-ndarjes së serverave pas sulmit kibernetik që ka goditur vendin tonë, asnjë lëvizje nuk ka ndodhur deri më tani nga Prokuroria e Posaçme. Hakerat madje vazhdojnë të publikojnë të dhënat tona, ku para disa ditësh nxorën karta identiteti, numra dhe targa. Gjithashtu SPAK po zvarrit hetimet edhe për tenderin e AKSHI-t për abuzime me fondet publike lidhur me 1.7 milionë euro. Nëse dosja qepet siç duhet, Karçanaj rrezikon deri në 3 vite burg. Matlija tha se kur vjen puna te prokurimet publike dhe tenderat është pika më e errët nga të gjitha organet e çështjes dhe në mënyrë të veçantë të procesit ekzekutiv. Kujtojmë se 1.7 miliardë lekë i ka ofruar Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit subjektit “Spot Communicatiuons” për të reklamuar portalin e- Albania. Drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj ka nxituar të firmosë kontratën me “Spot Communicatiuons”, duke mbyllur sytë para shkeljeve që u bënë në tender. Është ky thelbi i denoncimit të bërë pak kohë më parë nga “Ora investigim”, e cila publikoi fakte për kompanitë pjesëmarrëse në tender që kanë pasur lidhje me njëra-tjetrën. Karçanaj edhe në këtë rast si është futur “gjemb” në këmbë. Nga ana tjetër, në mars të këtij viti ajo është thirrur për herë të dytë në SPAK. Mësohet se Karçanaj u pyet lidhur me në lidhje me hetimet mbi ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberin dhe tenderat e mirëmbajtjes se serverëve të ARRSH. Deri më tani asnjë lajm mbi Karçanajn nga SPAK. Po ashtu, pak kohë më parë për shkak të abuzimeve me dy tendera, atë të laboratorëve smart në shkolla dhe mbikqyrjen e burgjeve, në zyrat e AKSHIT zbarkuan hetuesit e BKH, të cilët sekuestruan masivisht kompjutera dhe celularët e shumë punonjësve. Por drejtuesja e AKSHI-t u la jashtë këtij aksioni.
Skandalet
Na gjeni një drejtuese në botë që do t’i shpëtonte këtyre skandalve, apo dhe të vazhdonte të qëndronte në krye siç po vepron Mirlinda Karçanaj edhe pse nxori sheshit të gjitha të dhënat private të çdo shqiptari. Linda po e turpëron përditë shoqërinë tonë me nivelin e ndërgjegjes, logjikës së saj qorre e shurdhe duke u justifikuar gjithmonë kur plasin skandalet. Gjëja më e qartë deri në këto momente është papërgjegjshmëria. Ka ndodhur gjëma dhe askush nuk ka përgjegjësi. Askush. Madje Karçanaj ka mësuar nga udhëheqësit e saj që e mbajnë akoma në krye të këtij institucioni me argumentin se këto gjëra ndodhin kudo. “U kanë ndodhur vendeve dhe shteteve më të fuqishme se ne. Kanë ndodhur edhe më parë. Do të ndodhin sërish. Po ndodhin çdo ditë.” Rama duhet ta shkarkonte menjëherë Karçanajn nga detyra që në momentin kur u publikuan listat e pagave të të gjithë shqiptarëve. Ajo nuk e dha dorëheqjen pasi tha se nuk ka asnjë përgjegjësi për publikimin e listës së pagave dhe kreu i qeverisë nuk mori asnjë masë për këtë skandal të madh që shkaktoi “tërmet” në opinionin publik. Jo vetëm kaq, por masa e saj duhet të ishte më e rëndë kur plasi skandali i patronazhistëve. Të dhënat personale duhet të mbrohen me ligj dhe institucionet shtetërore e kanë detyrim ligjor për ti mbrojtur ato. Karçanaj, dështoi dhe socialistët që i kanë siguruar nga AKSHI, apo diku tjetër të dhënat personale duhet të mbanin përgjegjësi. Jo vetëm kaq, por shkarkimin urgjent ajo duhet ta merrte nga tenderat e dyshimtë që ka dhënë, pasi ato janë kthyer në monopol dhe i fitojnë të njëjtat kompani. Le ta marrim të mirëqenë se AKSHI-t po i bie në qafë. Le ta marrim të mirëqenë po ashtu se AKSHI nuk ka asnjë përgjegjësi për patronazhistët, për rrjedhjen e të dhënave dhe skandalet e tjera dhe fajtorët kryesorë janë hakerat. Po për lekët e taksapaguesve shqiptarë si do i bëhet? Kush do të mbajë përgjegjësi nëse fajtore nuk është Karçanaj e cila është shndërruar si një monument kulture që vazhdon të mbrohet nga Edi Rama dhe grupe të tjera interesi?