Botuesi dhe miku i shkrimtarit Ismail Kadare, Bujar Hudhri ka folur pas homazheve për shkrimtarin e ndjerë. Duke folur për mediat, Bujar Hudhri tha se ambulanca që erdhi për të marrë shkrimtarin e njohur nuk kishte asnjë kusht brenda.
Hudhri theksoi se edhe pse ambulanca ishte me sirena ndezur, trafiku i tmerrshëm në Tiranë, bëri që Kadareja të dërgohej me vonesë në urgjencë.
“Nuk e dija çfarë kishte ndodhur. Kur e pashë të shtrirë në korridor. Gjithmonë e shikoja në këmbë, të qeshur, solid, dukej sikur kurrë nuk do ikte nga kjo botë. E morëm në ashensor e vendosëm, sikur të ishte në karrige, ishte në gjendje gati të ngrirë. Hipëm në ambulancë, një ambulancë shumë e thjeshtë, pa asnjë impiant që mund t’i vijë në ndihmë të sëmurit. Me zor kemi çarë rrugët e Tiranës, edhe pse ulërinte sirena, njerëzit nuk hapnin rrugën gjersa mbërritëm në urgjencën e QSUT. Pamë mobilizimin e mjekëve, derisa kuptuam se diçka e keqe po ndodhte. Më pas heshtje,” tha Hudhri.