Qeveria kanadeze bën të ditur se ngarkesa e parë me armë shqiptare ka mbërritur ditën e sotme në Irak. Armët shqiptare u transportuan me një avion kanadez. Ngarkesa me armë nga Shqipëria u dërgua pas vendimit të qeverisë shqiptare për të ndihmuar Irakun.
Shqipëria është një nga 7 vendet që do të ndihmojë me armë Irakun. Qeveria e Shqipërisë është rreshtuar hapur në krahë të vendeve ndërkombëtare që luftojnë të ashtuquajturit Shtet Islamik i Irakut dhe Levantit dhe praktikat e tij barbare e terroriste. Në një deklaratë për mediat, qeveria shqiptare bëri të ditur se do të mbështesë edhe me municione qeverinë e Irakut, me qëllim luftimin e kësaj organizate terroriste.
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë do të jetë pjesë e koalicionit për mbështetjen e Qeverisë së Irakut me armë të lehta dhe municione në luftën kundër terroristëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIL). Si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka dhënë që prej orës së parë kontributin e vet në luftën kundër terrorizmit dhe ka qenë e do të jetë pjesë e koalicioneve ndërkombëtare, në Afganistan, Irak e më gjerë, bashkë me vende të tjera aleate dhe partnere. Praktikat barbare të ISIL dhe situata humanitare katastrofike në Irak na vënë të gjithëve para përgjegjësisë morale për të bërë ç’është e mundur kundër errësirës që përpiqen të sjellin mbi njerëzimin forcat e verbra të terrorizmit”, thuhej në njoftimin e qeverisë.