Dikur Zaimina bënte namin në muzikë me këngët që ktheheshin në hite e videoklipet ku shfaqej gjithnjë me stil të veçantë e unik. Një ndër këto videoklipe ka qenë edhe ai me titull "I kom", i publikuar në vitin 2013. Aty Zaimina shfaqej me helikopterë ushtarakë dhe mediat asokohe u pushtuan nga lajmet me titull: "Kush ishte këngëtarja që u ul me helikopterin e Ministrisë te vila e Bamir Topit?"
"Helikopterët e Ushtrisë përdoren për pushime nga biznesmenë dhe femra", ishte një deklaratë e ish-Presidentit Bamir Topi në vitin 2013.
Asokohe u tha se Ministria e Mbrojtjes i vuri në dispozicion Zaiminës dy helikopterë të Ushtrisë shqiptare për të realizuar videoklipin.
Sipas Bamir Topit ky ishte një provokim i urdhëruar nga ish-Kryeministri Sali Berisha për të trembur familjen e ish-Presidentit, bën të ditur "Panorama", në një artikull që zbardh këtë histori.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri reagoi dhe deklaroi se helikopteri ishte ulur pas një kërkese të Zajmina Vasjari për të xhiruar videoklipin.
Pas 'skandalit' mediatik për realizimin e një videoklipi me helikopterët e Ushtrisë nuk qëndroi në heshtje as Zaimina. "Shumë gazetarë më kanë telefonuar për këtë çështje, por nuk jam prononcuar pasi kjo është bërë një çështje politike. Nuk kam motiv të akuzohem", u shpreh Zaimina asokohe.