Për herë të parë një i burgosur shqiptar ka mundur të japë online provimin e diplomimit në Universitetin e Romës.
Drejtoria e Burgjeve bën me dije se Alban Bardhi student në Universitetin e Romës dha provimin për degën Histori-Gjeografi. Sipas kësaj drejtorie ky është rasti i parë që ndiqet një praktikë e tillë në Shqipëri.
"Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton, se më datë 21.07.2014 është zhvilluar me sukses për herë të parë në Shqipëri një provim online nga ana e një të burgosuri. Përmes teknologjisë elektronike me anë të një lidhje të drejtpërdrejtë në Skype, provimi u dha nga shtetasi Alban Bardhi, i paraburgosur në IEVP “Mine Peza”.
Kjo risi në sistemin penitenciar u mundësua nga një bashkëpunim i DPB dhe Konsullatës Italiane në Tiranë. Nga ana e drejtorisë së Paraburgimit “Mine Peza” u morën masat e nevojshme për ta zhvilluar provimin në një zyrë të veçantë, të pajisur me kompjuter me kamera dhe mikrofon, në kushtet e sigurisë dhe mbarëvajtjes normale të procesit të provimit’- bëhet me dije nga Drejtoria e Burgjeve.
Më tej sqarohet se Bardhi dha provim për mbrojtjen e Doktoraturës për profilin e studimeve në degën e Histori- Gjeografisë. “Në anën tjetër të ekranit ka qenë i pranishëm komisioni i vlerësimit të provimit, i cili përbëhej nga pedagogë të Universitetit të Romës në Itali. Në fund të provimit, i paraburgosuri është vlerësuar me shkallën maksimale të 110 pikëve (shkëlqyer).
Alban Bardhi ka lindur dhe është banues në Tiranë. Ai akuzohet për veprat penale “Prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni”. Është dënuar në Itali me 27 vjet e 6 muaj heqje lirie, siguri e lartë dhe ka për të kryer edhe 13 vjet dënim. Ai është ekstraduar nga Roma më 26 qershor 2014”- theksohet në njoftimin e DPB.