Kupola në pushtet humbet qetësinë dhe shpërthen në dhunë. Pak orë para nisjes së procesit të votimit, janë përgjakur zgjedhjet e 23 Qershorit. Pas përleshjeve në Kamëz, një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Laprakës, e cila mbulohet nga kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Rakip Suli. Shtabi elektoral i Partisë Socialiste në Laprakë është sulmuar në mesnatë nga një bandë e PD me armë dhe thika. Një simpatizant i Partisë Socialiste ka mbetur i plagosur me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë janë sulmuar me thika, duke u plagosur. I plagosur me armë zjarri ka mbetur shtetasi Arjan Rrahmani, 32 vjeç, komisioner i Partisë Socialiste. Lajmi për incidentin është konfirmuar edhe nga kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Laprakë, Rakip Suli. Ky i fundit ka deklaruar se kanë mbetur tre të plagosur pranë shtabit elektoral të PS. Suli deklaroi gjithashtu se Arjan Rrahmani ndodhej në një lokal pranë shtabit elektoral. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka shoqëruar 8 persona në komisariat. Policia ka shpallur në kërkim dy persiana si të dyshuar për sulmin. Suli tha ndër të tjera se sulmi ka prapavijë politike, për të intimiduar dhe shantazhuar drejtuesit e PS në Laprakë. Ai tha se disa persona kanë qëlluar me armë në drejtim të shtabit elektoral. Ndërkaq, në vendngjarje kanë shkuar menjëherë kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Sajmir Tahir, Pjerin Ndreu dhe ministri i Kulturës Visar Zhiti.
Incident në Burrel
Një skandal i paprecedentë ka ndodhur mbrëmë në Burrel. Policia e Burrelit ka arrestuar kandidatin për deputet të PBDNJ, Dashnor Aliun. Mësohet se rreth orës 23.00 disa makina me targa shtetërore, të ndërmarrjeve dhe institucioneve të Matit kanë tentuar të shkojnë në fshatin Frankth për të shpërndarë para dhe mallra në këmbim të votës për Partinë Demokratike. Burimet sqarojnë se Aliu ka debatuar me shoferin e bordit të kullimit Mat, duke dashur ta ndalojë të hyjë në fshatin në fjalë, me argumentin se blerja e votave ishte e paligjshme. Por, menjëherë në fshat kanë shkuar forcat e policisë, duke e arrestuar kandidatin e PBDNJ. Ndërkaq, socialistët e Burrelit kanë mbajtur të izoluar për disa orë përgjegjësin e nënstacionit të Komisisë, Shkëlqim Alushi. Shtabi elektoral i kandidatit socialist pretendon se e ka kapur Alushin teksa shpërndante para për banoret e Komisisë. Por 40 socialistë të Burrelit janë vënë në ndjekje të Alushit, i cili njihet si një person që edhe në fushatat e kaluara është marrë me vjedhjen e votave dhe shpërndarjen e të hollave.