Shefi i Repartit Infektiv në QSUT, Pëllumb Pipero, ka hedhur akuza në drejtim të Ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova, ndërsa ka denoncuar mungesën e barnave në spitale. Pipero u shpreh se Halim Kosova nuk i ka sjellë asnjë të mirë sistemit të shëndetësisë, përveç fletushkave që ka shpërndarë nëpër spitale, që kur erdhi në detyrë.
“Erdhi me atë bujën e madhe se do ulë çmimet, 10 apo 15 herë sa ta mendosh ti, unë e kam bërë pa një vizion të qartë, pa një projekt të qartë, pa fijen e brendisë, por më vjen keq që një doktor të arrijë të merret në spitalin “Nënë Tereza” me vijëzim rrugësh e tabelash. E ka veshur gjithë spitalin me tabela "Vepro tani", “Njofto në këtë numër telefoni", etj me radhë, në vend që të hyjë brenda në spital, të hyjë tek lënda e kontrastit, medikamentet. Vajti të shembte kirurgjinë dhe përfundoi vetëm me lyerje të kirurgjisë dhe pa e përmirësuar fare cilësinë e atij spitali”, tha Pipero. Për të, e gjithë kjo situatë ka shkaktuar amulli në QSUT me shefat e shërbimit.
“Një shef shërbimi është shumë herë më i rëndësishëm se një Ministër Shëndetësie. Në terma afatgjatë, ka sjellë model të keq. Është dëmtuar imazhi i shefit të shërbimit”.
“Gjendja me medikamentet është shumë e keqe dhe shumë e rënduar. Për shembull, spitali i Durrësit. Halim Kosova e ka lënë këtë spital pa bord dhe ky spital sot nuk blen dot as medikamente për urgjencë. Të gjitha operacionet në këtë spital janë ndaluar. Kosova nuk ka dhënë vendim as për të shtuar personelin mjekësor në këtë periudhë, që ka nevojë për personel në këto muaj të verës”.