Pas shpërthimit të ndodhur ditën e shtunë në pallatin 12 katësh në Vlorë, policia ka marrë në mbrojtje familjen e kryetarit të Partisë Demokratike në këtë qark dhe njëkohësisht kandidat për deputet, Ardian Kollozi.
Menjëherë pas shpërthimit, Partia Demokratike me anë të konferencave për media e ka cilësuar këtë ngjarje si një atentat nga militant të Partisë Socialiste. Me të njëjtën monedhë i është përgjigjur edhe selia rozë, e cila e ka dënuar këtë akt dhe ka bërë thirrje që të mos ketë politizim të situatës.
Për këtë rast, Drejtoria e Policisë së qarkut të Vlorës ka marrë nën hetim materialet filmike të subjekteve përreth, por deri tani autorët mbeten të paidentifikuar.