Sot në mbrëmje pritet të luhet në Beograd ndeshja mes kombëtares shqiptare dhe asaj serbe, por situata duket mjaft e tensionuar në aeroportin e Beogradit.
Mësohet se një grup gazetarësh dhe biznesmenësh janë ndaluar të kryejnë proceduarat e kontrollit të pasaportave, pasi njëri prej tyre mbante një shall të kombëtares shqiptare. Nga ky rast policia ka bllokuar kalimin e tyre deri në një urdhër të dytë. Madje atyre iu janë marrë edhe pasaportat pa ju dhënë asnjë shpjegim për bllokimin.
Në lidhje me ngjarjen është informuar edhe ambasadori ynë në Serbi, Ilir Boçka, i cili po negocion me policinë serbe. Më herët Federata e Futbollit të Serbisë kishte deklaruar se nuk do të lejonte asnjë tifoz shqiptar në stadium.
Në lidhje me bllokimin e shqiptarëve në Beograd ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme , e cila mësohet të ketë thirrur për sqarime, ambasadorin e Serbisë. Ministri Bushati i ka kërkuar homologut serb Miroljub Zariç, të paraqitet në ministri.
Ndër të tjera MPJ-ja e konsideron një situatë jo normale.
“Serbët të lirojnë personat e bllokuar. Nuk do të lejojmë dhunimin e asnjë qytetari shqiptar”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Ndërsa gazetari Artan Hoxha e quan një situatë të tillë një akt të pastër diskriminimi. Sipas tij, në momentin që u ndalua personi me shallin e kombëtares, u ndërpre kalimi edhe për studentë, apo shqiptarë që kalonin transit nga Beogradi.