Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi dje mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështje në ngarkim të ish-kryetarit socialist të ish-komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku dhe 10 personave të tjerë, të akuzuar për trafikimin nga Kolumbia të 485.5 kg kokainë të përzier me pleh kimik. Droga u zbulua një vit më parë, 24 nëntor 2022 në banesën e Viktor Çervanakut e cila ishte kthyer në një laborator kokaine. “Nga hetimet e kryera është provuar fakti se personat e akuzuar në këtë procedim penal, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë planifikuar, organizuar dhe importuar nga Kolumbia për në Shqipëri një sasi lënde narkotike të lloji kokainë”, thuhet në njoftimin e djeshëm të SPAK.
Detajet
Prokuroria e Posaçme zbulon itenerarin si kokaine e cila nëse hidhej në treg do të sillte një përfitim prej 40 milionë euro, hyri në Shqipëri e përzier me “plehun organik” artificial. Kokaina ishte transportuar nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut, në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi. Pastaj në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19 shtator 2022. “Lënda narkotike është transportuar dhe është fshehur gjatë transportit nëpërmjet një ngarkese me “pleh organik” artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që është transportuar nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut, në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi. Nëpërmjet transportit në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19.09.2022 dhe pasi ngarkesa është zhdoganuar në Doganën e Tiranës, është transportuar në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku është kryer sekuestrimi i lëndës narkotike nga policia gjyqësore. Pas mbërritjes në destinacion të 485.5 kg kokainë, grupi kriminal do të gjente dhe siguronte personat e specializuar që do të mundësonin ekstraktimin e kokainës së pastër, e cila më pas do të tregtohej. “Lënda narkotike e llojit kokainë ka qënë e përzier me “plehun organik” artificial dhe pas mbërritjes së saj në vëndin e destinacionit, grupi kriminal do të gjente dhe siguronte personat e specializuar që do të mundësonin ekstraktimin e kokainës së pastër, e cila më pas do të tregtohej. Sipas ekspertimit kimik të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike që mund të përfitohej nga ekstraktimi i ngarkesës së “plehut organik” artificial, në vlerën e saj maksimale llogaritet të ishte në sasinë 485.5 kg”, informoi SPAK. Po ashtu, SPAK ka sqaruar dhe rolin e secilit prej anëtarëve të këtij grupi kriminal. Sipas SPAK, Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Viktor Çervanaku dhe djali i tij Denilson Çervanaku janë personat që kanë krijuar, organizuar dhe kanë drejtuar grupin kriminal të trafikut të drogës nga Kolumbia ndërsa Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, dhe një kolumbian Samir Rosales Rodriguez kanë qenë pjesëmarrës në këtë grup kriminal.
Organizatorët dhe drejtuesit e trafikut sipas SPAK
1- Nikolin Gjolena,
2- Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra),
3- Viktor Çervanaku
4- Denilson Çervanaku
Pjesëtarë të grupit kriminal
5- Zenel Çervanku
6- Enxhi Ferhati
7- Redion Meshi
8- Julian Malaj
9- Bledar Matoshi
10- Marildo Rona
11- Samir Rosales Rodriguez