Dy javë pas arrestimit të Julian Meçajt të bandës së Durrësit në Dubai, një tjetër emër i botës së krimit ka rënë në prangat e policisë në të konsideruarin “vendi më i vështirë në botë për ekstradime”. Bëhet fjalë për Denis Brajoviç alias Bajri, i shpallur në kërkim në megaoperacionin “Metamorfoza” dhe më konkretisht për eliminimin e Gjin Boriçit në Vau Dejës më 9 gusht 2020, kërkuar si detyrë nga i zhdukuri Ervis Martinaj sepse po e konkurronte në fushën e lojërave të fatit. Policia e Shtetit thotë se lokalizimi fillestar i tij është bërë nga agjentët shqiptarë, të cilët njoftuan homologët në Dubai, dhe më pas ata mundën ta prangosin 36-vjeçarin në operacionin që e koduan “Rishtas”. Shqipëria do të tentoj të ekstradoj Denis Bajrin dhe për këtë do të përdor çdo praktikë të mundshme që ka rezultuar e suksesshme nga partnerët ndërkombëtar, ndërsa prej disa muajsh tashmë është dërguar drafti i përgatitur për një marrëveshje ekstradimi midis dy vendeve. Deri në këtë fazë burime i thonë Report Tv se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kthyer përgjigje se drafti është marrë dhe po konsultohet, asgjë më shumë. Komunikimet në aplikacionin “SkyECC” të zbardhura nga autoritetet franceze zbuluan se vrasja e Gjin Boriçit ishte organizuar nga Behar Bajri, ndërsa në rolin e ekzekutorit ishte Denis Bajri. Në përgjime SPAK ka mundur të zbardh biseda që konfirmojnë autorësinë e vrasjes dhe që korrespondojnë fiks me oraret e ekzekutimit. Fillimisht, Denis Bajri në “SkyECC” njofton Behar Bajrin dhe i shkruan “kryvi”. Të njëjtin mesazh pak minuta më vonë ia nisën edhe Ervis Martinajt. Për këtë vrasje, biznesmeni Pëllumb Gjoka ishte ai që pajtoi Behar Bajrin dhe Behari ia la porosi Denisit, në këmbim më pas Gjoka kërkoi vrasjen e ish policit të burgut, Kleanth Musabelliu, i cili shpëtoi. Behar dhe Gjin Boriçi ishin miq në atë kohë dhe pas vrasjes i shkoi në varrim.
Detaje nga arrestimi i Çelës
Ndërkohë Gëzim Çela, ish-oficeri i forcave speciale i njohur ndryshe si ‘Baroni i drogës’ do të ekstradohet nga Kosova drejt Shqipërisë. Ministri e Drejtësisë njofton se ekstradimi i Gëzim Çelës do të bëhet me procedurë të thjeshtuar. Vetë Çela ka dhënë pëlqimin për t’u ekstraduar drejt Shqipërisë, ndërsa Gjykata e Ferizajt në Kosovë lëshoi lejen për kryerjen e procedurave. Çela është i njohur si “bosi i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore. Në vitin 2015, Çela akuzohej për trafik ndërkombëtar kokaine. Në vilën e tij në Fushë Kuqe u gjet një sasi prej 18 kg kokainë. Çela u arrestua më 9 dhjetor në fshatin Dardani të Ferizajt nën shoqërinë e dy vajzave nga Shqipëria. Me të ishte dhe personi që e ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë. Ai doli përgjimet e operacionit “Flakë në Det”, i nisur që në 15 gusht të këtij vitit dhe u shpall në kërkim nga SPAK në 9 Tetor, ditën kur u arrestua Dritan Metaj, shefi i komisariatit të Kurbinit i dyshuar në mbështetje të aktivitetit kriminal të të ashtuquajturit “baroni i drogës”, ndërsa ishin shpallur në kërkim edhe Arben Dalipaj, nga Vlora dhe Roland Guza nga Durrësi.
Tronditet Mali i Zi, vritet shqiptari, anëtar i një grupi kriminal
Nga ana tjetër, një anëtar i një grupi të organizuar kriminal ka mbetur i vrarë mëngjesin e sotëm nga të shtënat me armë zjarri në Tivar të Malit të Zi. Bëhet me dije se identiteti i shqiptarit është Edmond Mustafa. Policia ka bllokuar qytetin dhe është në kërkim të një ose më shumë autorëve. Dëshmitarët okularë nga restorantet në rrugën ‘Marshall Tito’ thanë se dëgjuan disa të shtëna dhe se viktima ishte i shoqëruar nga një grua. Mediat lokale raportuan se autori u arratis me një motoçikletë. Shërbimet e urgjencës dhe policia ndodhen në vendngjarje. Policia po vijon hetimet lidhur me ngjarjen. Edmond Mustafa është një emër mjaft i njohur për autoritet malazeze pasi ishte anëtar i grupit kriminal të Skaljarit. Grup që akuzohet për trafikim droge dhe vrasje. Kujtojmë se më 1 gusht 2020 rojet e sigurisë Ljubo Miloviq dhe Petar Lazoviq dhe kreu i klanit “Kavaç”, Radoj Zvicer, të zhgënjyer që i Edmond Mustafa po ndryshonte mendje për të bashkëpunuar me ta, organizuan rrëmbimin e tij. Ata e kanë mbajtur për ditë të tëra në banesën e tyre në lagjen Siti të Podgoricës duke i kërkuar të akuzojë disa anëtarë të bandës kriminale, së cilës i përket, për njëzet vrasje. Millovic kishte negociuar me të, përmes aplikacionit të koduar Sky, duke u prezantuar si ish-polici Zoran Stanoviq. Në ditën e fundit të korrikut 2020, kur nuk arritën ta joshin Mustafën, hartuan një plan për ta trembur, por edhe për ta gjetur me ndihmën e burimeve policore duke përgjuar të dashurën, miqtë e tij dhe me ndihmën e stacioneve bazë. Media malazeze shkruante se nga mesazhet e Lazoviqit të ri, mund të konstatohet se kanë pasur mbështetjen e Lazoviq, i cili në atë kohë ishte ndihmës drejtor i Administratës së Policisë. Gjithashtu, nga bisedat shihet se Miloviqi ishte edhe iniciator i rrëmbimit të “skaljarcit”, i cili sugjeroi që t’i hidhnin një bombë në shtëpinë e tij për ta shpejtuar.