Pak orë pas arratisjes së tij, Policia e Tiranës bëri të mundur arrestimin e 29-vjeçarit Orges Nilo, i cili u arratis mbrëmjen e së mërkurës duke u hedhur nga kati i dytë i Komisariatit Nr.1 në kryeqytet. I riu u kap në gjendje të dehur pranë selisë së PS.
29 vjeçari nga qyteti i Fierit, ka qenë duke u marrë në pyetje nga prokurori i çështjes për vjedhjen e një makine në kryeqytet dhe në momentin e parë që ka gjetur mundësinë për t’ia mbathur është hedhur nga kati i dytë i komisariatit dhe është arratisur.
Burime nga Policia e Tiranës bënë me dije se Orges Nilo u arrestua pranë selisë së PS. Aktualisht, 29 vjeçari ndodhet në Spitalin Ushtarak, për mjekimin e plagëve të marra. Policia mori një telefonatë gjatë paradites së sotme, në të cilën u njoftua se një person në gjendje të dehur dhe me disa plagë të marra në trup ndodhej pranë selisë së PS.