Basha sulm frontal Ramës dhe Berishës, ekspozon puçin e tyre kundër SPAK dhe Reformës Zgjedhore si vijim të pazarit të 2008-ës, ja si po mundohen të mbajnë në këmbë pandëshkueshmërinë
Kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha ka komentuar dje situatën politike, ndërsa ka hedhur akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjatë një prononcimi për mediat, zoti Lulzim Basha tha se ndryshimet Kushtetuese të 2008-ës duhen shfuqizuar pasi e kanë kthyer Shqipërinë në Republikë kryeministrore. Sipas Bashës, Rama dhe Berisha po veprojnë në vazhdim të asaj marrëveshje, pasojat e të cilës janë korrupsioni dhe shpopullimi. Propozimet për listat e hapura, votën e diasporës, numërimin elektronik, barazinë e votës dhe Shqipëria një zonë, të depozituara në Kuvend nga demokratët euroatlantikë, janë ndryshime që i duhen vendit. “Ne kemi çuar në Parlament propozimet tona për kodin zgjedhor. Dhe këto propozime siç i di tashmë mbarë Shqipëria, janë 4: listat e hapura, pra ta zgjedh qytetari deputetin, jo kryetari i partisë. Së dyti, votimi dhe numërimi elektronik, sepse shmang shumë problematika dhe shumë manipulime të zgjedhjeve të kaluara nga qeveria. Së treti, barazia e votës, sepse sot një deputetë në Vlorë zgjidhet me 8500 vota, por në Kukës me 13 500 vota dhe kjo nuk është barazi vote. Shqipëria një zonë elektorale, është ajo që ne kemi propozuar. Dhe e katërta që e kemi çuar qartësisht se si duhet bërë, është vota e diasporës. Me Shqipërinë një zonë elektorale, me votimin elektronik, me listat e hapura, diaspora e ka fare të lehtë, shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë e kanë fare të lehtë të hedhin votën e tyre. Pra, propozimet tona janë aty. Në qoftë se këto propozime vijnë debatohen, diskutohen, padiskutim na duhet vota e çdokujt, edhe e socialistëve për t’i kaluar. Fatkeqësisht duhet ta them, nga ky moment ku jemi sot duket qartë pjesë e pazarit është që të mbahet në fuqi kodi zgjedhor dhe ndryshimet Kushtetuese të 2008-ës. Prandaj dua ta them edhe sot këtu, nuk kam hequr dorë nga ajo që kam shpallur edhe para vet zotit Berisha në mbledhje të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që para disa vitesh, për shfuqizimin, hedhjen poshtë të ndryshimeve famëkeqe të Kushtetutës në vitin 2008, që i vunë minat një Republike me potencial demokratik dhe krijuan Republikën kryeministrore. Ja ku janë pasojat, korrupsion, emigracion, shpopullim dhe një rini e cila nuk e gjen veten në Shqipëri. Ky është shqetësimi ynë kryesor”, deklaroi ai. Më tej kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha tha se hapi i radhës i bashkëpunimit Rama-Berisha, është të pengojnë punën e SPAK-ut. Basha tha se pazarxhinjt duan të largojnë nga kodi penal vepra të tilla si “shpërdorimi i detyrës”, të kufizojnë mundësitë e SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. “Shqipëria meriton më shumë, ndaj programi jonë vjen me taksën e ulët, vjen me ndihmë për rininë shqiptare që të punësohet këtu me paga dinjitoze, vjen me luftë pa kompromis kundër korrupsionit, mbështetje pa kompromis për SPAK që t’i shkojë deri në fund çdo politikani të korruptuar. Pasurive të çdo politikani përmes ligjit tonë për vettingut të politikanëve. Tani po bëhen gati t’i vënë minat SPAK-ut. Hapi tjetër që shpërfaq dhe përmbledh dhe interesin e përbashkët të të dyve është godasin SPAK-un. Të largojnë nga kodi penal vepra të tilla si “shpërdorimi i detyrës”, të kufizojnë mundësitë e SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, u shpreh Basha.